Pjesa “publike” është hequr cka tregon për mundësinë që do të kenë edhe shkollat e larta private për të ofruar programe të tilla. Universiteti duhet të disponojë dokumentin në të cilin përcaktohen fusha shkencore dhe emërtimi i programit të studimit të doktoratës, i cili duhet t’i referohet një fushe studimi, disipline ose mund të jetë ndërdisiplinare dhe të shoqërohet nga relacioni shpjegues përkatës për interesin që paraqet fusha.Po kështu duhet të disponojë marrëveshje me së paku me një universitet të një vendi të zhvilluar, që garanton programe të shkëmbimit të personelit akademik dhe të studentëve të doktoratës.Universiteti partner duhet të realizojë projekte kërkimore të përbashkëta.
“Universiteti duhet të japë të dhëna për personelin akademik të huaj që do të angazhohet si udhëheqës shkencor ose si bashkëpunëtor shkencor i doktorantëve” ,thuhet në vendim.Është shtuar një paragraf I veccantë për mënyrën si do të vlerësohen të gjithë kandidatët për titullin “Doktor”. “Juria përbëhet nga 5 (pesë) veta, ku të paktën tre prej të cilëve duhet të kenë titullin “Profesor”. Në rastet kur nuk mund të gjenden dy anëtarët e tjerë me këtë titull, pranohen anëtarë me titullin “Profesor i asociuar” dhe kanë përvojë të mjaftueshme akademike e shkencore brenda dhe jashtë vendit.”,thuhet në vendim.Sipas tij Përbërja e jurisë i propozohet Këshillit të Profesorëve nga koordinatori i programit të doktoratës/përgjegjësi i departamentit. KP-ja shqyrton propozimin dhe miraton jurinë për zhvillimin e provimit të doktoratës.
KP-ja përcakton dy ose tre oponentë, një prej të cilëve duhet të jetë nga jashtë institucionit.Janë përcaktuar gjithashtu edhe kushtet kur hiqet titulli. “ Grada shkencore “Doktor” është e revokueshme në çdo kohë dhe për çdo rast, që konstatohet plagjiaturë ose manipulim të dhënash në punimet e kandidatit. Në këtë rast, dekani i kërkon Këshillit të Profesorëve të mblidhet menjëherë dhe ta shqyrtojë rastin e konstatuar. Vendimi i Këshillit të Profesorëve shqyrtohet nga Këshilli i Etikës i institucionit të arsimit të lartë, i cili i propozon rektorit të këtij institucioni revokimin e gradës shkencore “Doktor”, të fituar nga kandidati. Rektori, pasi e shqyrton, merr vendim, të cilin ia dërgon kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë për të bërë çregjistrimin nga regjistri përkatës i këtij Komisioni. Të drejtën e revokimit të gradës shkencore “Doktor” e ka edhe rektori i institucionit përkatës të arsimit të lartë, edhe Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë, kur ka informacione të besueshme në lidhje me këtë çështje. Të drejtën e revokimit të gradës shkencore “Doktor” e ka institucioni, që e ka lëshuar diplomën për marrjen e kësaj grade, edhe në rastet kur konstatohet plagjaturë apo manipulim të dhënash në studime/punime kërkimore të kryera pas promovimit për marrjen e saj.”
Kushtet per kandidatet
Gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës, studenti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme:
. Të ketë realizuar si autor i parë, së paku, tri referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat dy referime ose paraqitje duhet të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare, në një vend të zhvilluar (simpozium, konferencë, kongres), të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuara me kod ISBN-je. Lista e shteteve, në të cilat veprimtaritë shkencore ndërkombëtare dhe referimet e mbajtura ose paraqitjet (poster) shkencore do të njihen, miratohet me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, me propozim të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe Konferencës së Rektorëve.
. Të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku dy prej artikujve duhet të jenë botuar ose pranuar për botim në revista shkencore të njohura perëndimore;
. Të ketë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Profesorëve të fakultetit disertacionin, së bashku me një përmbledhje, të miratuara nga udhëheqësi shkencor. Struktura e disertacionit dhe e përmbledhjes së tij përcaktohen në rregulloren e studimeve të doktoratës;
. Të ketë dhënë provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.”.