Doku-Fest vetem nje film nga Shqiperia

Doku-Fest , vetëm një film nga Shqipëria

Nga data 6 deri më 12 gusht 2007, në kinematë verore të Prizrenit u shfaqën 106 filma konkurrues, të cilët u përzgjodhën nga një numër prej mbi 800 filma të paraqitur për konkurrim nga shumë vende të botës. Për fituesit është ndarë shuma prej 10 mijë eurosh, ndërsa është njoftuar edhe për një numër dhuratash nga fondacione të ndryshme dhe biznesi vendas. Shqipëria në këtë aktivitet përfaqësohet me një film të vetëm, ndërsa dokumentarë të gjuhës shqipe, pa dashur të bëjmë reklamë janë edhe këta tituj; "Ku mund ta gjej Enver Hoxhën", apo "To be or not to be 1244".


Kronika

Qyteti 2900-vjeçar i Prizrenit, i njohur me emrin e lashtë Theranda, ka pritur në gjirin e vet një aktivitet të veçantë, i cili për një javë rresht është kthyer në një kryeqendër evropiane e botërore të filmit dokumentar. Qyteti, ku rreth 3 mijë artistë nga të gjitha kontinentet kanë qëndruar për 10 ditë, ka njohur publicitetin dhe famën më të gjerë që mund të ketë një qytet ballkanik. Nga pjesëmarrësit në aktivitet, një krijuese indiane tha për Prizrenin se "mësova se ky është qyteti i 36 xhamive dhe i shtatë kishave si dhe i një dokufestit...".

Prej një jave, artdashësit e Prizrenit kanë pasur rastin të ndjekin një prej aktiviteteve të rralla artistike me shtrirje ndërkombëtare që në këtë qytet po kthehet në traditë, festivalin e filmit dokumentar me metrazh të shkurtër dhe të mesëm. Në festival kanë konkurruar 106 filma, nga mbi 800 të tillë që janë paraqitur nga vende të ndryshme të botës. Drejtuesit e këtij aktiviteti të madh tregojnë se historia e "Doku-fest"-it ka nisur në vitin 2002, nga regjisori Uran Kërkezi, ndërsa në këto vite aktiviteti u rrit në mënyrë të paparashikuar, kur kemi parasysh se në edicionin e parë ka pasur 8 apo 10 filma konkurrentë. Një jurie të specializuar prej 17 artistësh, që kryesohet nga drejtuesi i programit "Hot Dogs" në Kanada Sean Fernel (Shan Fërnell), i është dashur të përzgjedhë vetëm 66 filma, nga mbi 800 të paraqitur nga krijues të vendeve të ndryshme, ndërsa 40 filma kanë konkurruar me cilësimin si të veçantë. Me këtë status kanë konkurruar një numër filmash ballkanikë dhe amerikanë, të cilët gjithnjë sipas një pjesëtari të jurisë, paraqisnin specifika tematike. Krahasuar me edicionet e shkuara, aktiviteti i sivjetshëm ka pasur një juri specifike, të përbërë prej të rinjve deri në 15 vjeç, të cilët do të shpallin në darkë filmin e pëlqyer më shumë prej tyre. Finalja e Doku Fest-it do të ketë 12 filma, ku dy çmime do t‘u rezervohen filmave me tematikë ballkanike, 1 çmim për filmin me temë ndërkombëtare dhe 8 filma me tema kombëtare etj... I gjithë aktiviteti realizohet në katër kinematë verore të Prizrenit, ndërsa java konkurruese është ndjekur nga rreth 20 mijë shikues. Bie në sy pjesëmarrja e Shqipërisë me një film të vetëm, kur shtete të largët amerikane, aziatike etj. marrin pjesë me disa të tillë...


Infrastruktura

Përveç kinemave të njohura që ka Prizreni, nikoqirët janë kujdesur edhe për të tjera verore të improvizuara në lagjen "Nënkala" etj., ku një publik i edukuar ndjek me interes shfaqjet interesante që prezantojnë tema dhe problematika nga më të ndryshmet, që nga konceptet e indianëve, sjelljen me shpendët, deri tek ato me frymë politike siç janë krijimet shqiptare që stigmatizojnë rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit që e mban pezull Kosovën. Në kinemanë "Lumbardhi", në disa prej spektakleve, nuk gjen vend për t‘u ulur, ndërsa në raste të caktuara salla mbetet përgjysmë, por ashtu në kinemanë e improvizuar "Nënkala" apo në pallatin e kulturës, njerëzit zënë radhë, jo vetëm për të ndjekur filmat por, ndonjë prej tyre, siç ishte rasti i një grupi muzikor që përshëndeste festivalin, prisnin në hyrjen e vipave për të takuar Fërnelin, apo të tjerë nga Australia, Amerika, Gjermania apo Italia e kështu me radhë. Prizreni kishte hapur dyert për mysafirët e rrallë, ndërsa tregtarët tregohen të zellshëm për të tërhequr sa më shumë me erëza dhe me shije klientët. Në rrugët e Prizrenit, reklamat e aktivitetit kanë krijuar një atmosferë festive.

Probleme shqiptare

Drejtues të aktivitetit nuk harrojnë të thonë se nga Shqipëria merr pjesë vetëm një krijues, apo më saktë vetëm një film. Në këtë fakt ata shprehin keqardhjen për vlerësimin e pakët të këtij evenimenti. "Vetëm një film nga Tirana, kjo është pak", thotë nëndrejtori i festivalit Samir Karahoda. Ndërkaq, dikush kujtohet të justifikojë me fjalët që kinematografia shqiptare ndodhet në rikonstruksion, në ringritje, por drejtuesi në fjalë të kujton shkollën e Çashkut etj... dhe thotë se edhe krijuesit e Kosovës kishin pjesëmarrje jo shumë të gjerë por që, edhe ata kishin rrezikuar të përjashtoheshin, sepse ishin paraqitur relativisht me vonesë. A është kjo një vonesë shqiptare në të gjitha aspektet, metaforizon dikush në ambientet e Doku Fest-it.

Që prej vitit 2000, ky aktivitet duke formuar traditën, që sipas organizatorëve synon të tërheqë vëmendjen e krijuesve të gjuhëve të ndryshme në botë, siç bën p.sh. Kana, ka pasuar transformime formale dhe në përmbajtje. Karahoda tregon se që nga viti i shkuar në Doku Fest-in e Prizrenit ka nisur të aplikohet gara e filmit më të mirë ballkanik, kjo nuk ishte më parë, dhe përveç kësaj do të aplikohet edhe gara e filmit më të mirë kombëtar.

Nga viti në vit. Doku Fest-i dhe në tërësi përpjekjet e krijuesve kosovarë në fushën e filmit, kanë tërhequr vëmendjen e kineastëve gjermanë, të cilët, siç u mor vesh në Prizren, do të organizonin trajnime të përbashkëta mes krijuesve të Visbadenit dhe Prishtinës për filmin dokumentar. Qëllimi ynë në fund të fundit është që të bashkojnë regjisorët dhe krijuesit e tjerë rreth ideve dhe vizioneve të shekullit të ri, tha një krijues kosovar nga grupi i drejtimit të festivalit.

Mysafirët e ardhur nga vende të ndryshme ka dhënë vlerësimet e tyre pozitive për Prizrenin dhe aktivitetin, duke thënë se ishin befasuar me bukuritë e këtij qyteti, si dhe me rininë e gjallërinë që ka. Më i ndjekuri nga kamerat evropiane ka qenë Sean Fernel, i cili nga pozitat e kryetarit të jurisë i ruhet thjesht vlerësimit paraprak për pjesët konkurruese, por nuk heziton të shfaqë kënaqësinë e tij për ditët prizrenase. "Nuk do ta këmbeja me asgjë një aktivitet të tillë një qytet si Prizreni" mësohet të ketë thënë ai.

Peticioni

Aktiviteti, krahas zbavitjes dhe edukimit, ka shërbyer edhe për të sensibilizuar opinionin lidhur me një vendim të kohëve të fundit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, sipas të cilit, kinema "Lumbardhi", nga godinat më të vjetra në qytet të prishet, për t‘i lënë vendin një parkingu për automjetet apo diçka tjetër. Nisur nga ky vendim, krijuesit dhe një grup i gjerë njerëzish të interesuar i kanë dërguar peticion Kuvendit Komunal, ku i kërkohet të mos e prishë "Lumbardhin" si objekt historik dhe si vatër edukimi në funksion. Me artistët e teatrit dhe skenës ishin bashkuar edhe një numër qytetarësh, të cilët përcillnin shqetësimin në mënyrë kolektive, duke u rreshtuar si përkrahës të kinemasë. Nuk merret vesh nëse Kuvendi Komunal do të prishë apo jo "Lumbardhin", sepse ata shohin edhe anën ekonomike të çështjes, por së paku, në atë plate është ulur juria më vip që ka njohur qyteti, ajo e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar me Metrazh të Shkurtër dhe të Mesëm.

Ndërkaq në festival nuk mungojnë si zakonisht edhe prurjet "pikante", të cilat pavarësisht nëse marrin apo jo një vlerësim në klasifikim, mbeten për një kohë të gjatë në kujtesë e shikuesit, për vetë subjektin, apo paradoksin që paraqesin. Në kalendarin e festivalit gjen tituj të tillë si "Ku mund ta gjej Enver Hoxhën", apo "To be or not to be 1244". Për të dy këta tituj, dhe kalimtarit më të pavëmendshëm i ngjallej një asociacion i caktuar i ironisë dhe fatit tragjiko-komik të kombit. Ndërkohë tituj të tjerë si "Historia një dërrase", "Made in India", "Austria" etj, duken më se të zakonshëm. Sidoqoftë festivali i këtij viti, me gjithë problemet e brendshme që mund të ketë, si mungesa e themeluesit, apo ndonjë gjë tjetër e karakterit teknik, janë kalimtare. Ajo që mbetet është që Prizreni bëhet i pari qytet shqiptar i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar...

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama