Kjo është edhe dita e çeljes së Sezonit Turistik të Vlorës për vitin 2011. Parashikohen të marrin pjesë rreth 10 Ansamble nga shtete të ndryshme të Europës e Botës si dhe grupe të ftuara nga Vlora e qytete të ndryshme të vendit. Festivali është pjesë e Kalendarit të CIOOF-it dhe mbështetet në parimet e tij. Festivali zhvillohet në skenë të hapur ku, nata e fundit do të jetë Koncert I Madh me numura të zgjedhura. Për të gjitha Grupet pjesëmarrëse ndahet Emblema e Festivalit ndërsa për Grupin më të mirë jepet Kupa e Festivalit.Në rrugëtimin e vet 3-vjeçar, Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival”, është ngritur dhe plotësuar, duke ecur në një rrugë pothuajse të parrahur nga mënyra e organizimit dhe gjeografia e shtrirjes dhe përfaqësimit të vlerave.Pak muaj pas mbylljes së Edicionit të Tretë të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar, “Aulona International Folk Festival”, që organizohet nga Qendra Kulturore “Aulona”, është shfaqur një dokumentar i realizuar nga Petrit Ruka qendër këtë aktivitet.
Duke marrë shkas nga një prej aktiviteteve më të rëndësishme ndërkombëtare në shkallë vendi në fushën e folklorit dhe të traditave, autori i mbështetur nga një staf profesionistësh, që përbën edhe grupin organizator të festivalit, ka arritur të përcjellë dimensionet e një festivali që është shumë më tepër se kaq. Teksa ndjek këtë material prej rreth 60 minutash, vëren se ai nuk është thjesht përmbledhja e një festivali dinjitoz dhe cilësor, që zhvillohet në prag të çeljes së sezonit turistik në Vlorë. Tej kësaj, ai përcjell mesazhin e madh të bashkëpunimit dhe të integrimit të vlerave dhe të traditës, mes popujsh të ndryshëm që vijnë në Vlorë nga vende të ndryshme të Europës.
Popujt kanë se çfarë të shohin dhe të marrin nga njeri-tjetri, ndërkohë që vlerat që ata kanë krijuar në shekuj mund dhe duhet të shndërrohen në ura bashkëpunimi dhe bashkëjetese. Sepse kështu ata njohin njeri-tjetrin, perceptojnë gjithçka të mirë dhe pozitive, arrijnë të përcaktojnë identitetin respektiv dhe profilin e dimensionet shpirtërore. Në këtë rrafsh dhe me këto elemente, festivali dhe vetë dokumentari përcjellin edhe mesazhin e madh të promovimit turistik, sepse në përmbledhje të të gjitha sekuencave të këtij dokumentari, shikuesi arrin ta identifikojë atë natyrshëm me vetë fuqinë e turizmit kulturor.
Në rrugëtimin e vet 3-vjeçar, Festivali Folklorik Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival”, është ngritur dhe plotësuar, duke ecur në një rrugë pothuajse të parrahur nga mënyra e organizimit dhe gjeografia e shtrirjes dhe përfaqësimit të vlerave. Aktualisht, sipas specialistëve, ai është shndërruar në një referencë të evidentimit të traditës së mirëfilltë folklorike, një festival i përmasave ndërkombëtare, jo thjesht për shkak të pjesëmarrjes, por të cilësisë së përfaqësimit dhe të organizimit, i përcaktuar si i tillë edhe nga CIOFF (Organizata Ndërkombëtare e Organizimit të Festivaleve Folklorike). Në këtë kontekst, zgjedhja e organizatorëve për ta zhvilluar këtë aktivitet si prolog të sezonit turistik, në ditën e çeljes së tij në Vlorë, përbën edhe një model efektiv të ndërthurjes së turizmit me kulturën me pasuritë shpirtërore të trevave të Vlorës dhe të vendeve të tjera që vijnë dhe bëhen protagonistë të skenës që ngrihet në këtë qytet, çdo fillim maji.
Kjo është edhe një nga arsyet që grupi organizator ka arritur ta shtrijë këtë festival dhe ta shndërrojë atë në një pasuri të vërtetë të komunitetit të biznesit, të operatorëve turistikë dhe të vetë vlonjateëve. Këto u evidentuan sot, në takimin e zhvilluar në mjediset e hotel “Vlora International”, me rastin e shfaqjes së dokumentarit “Fuqia e turizmit kulturor”, me autor regjisorin Petrit Ruka, ku ishin të pranishëm qytetarë vlonjatë, intelektualë, artistë, përfaqësues dhe drejtues të qeverisjes vendore, përfaqësues të Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, një nga sponsorët e festivalit.
Në fjalën e tij, drejtori i përgjithshëm i Festivalit, Sejmen Gjokoli, u ndal në vlerat e dokumentarit, ndërkohë që theksoi se, regjisori Petrit Ruka është kujdesur të qëmtojë detajet që përcjellin madhështinë e këtij aktiviteti, i cili është shndërruar gradualisht në një epiqendër të promovimit të vlerave kulturore dhe turistike të Vlorës. “Ky festival folklorik ndërkombëtar u shndërrua në një manifestim të folklorit europian, - u shpreh Gjokoli, i cili shtoi se, ‘Aulona International Folk Festival’, ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë në promovimin e resurseve turistike të qytetit”.
Nga ana e tij, regjisori Petrit Ruka, theksoi se Festivali Folklorik Ndërkombëtar ‘Aulona International Folk Festival’ është një aktivitet serioz, i dimensioneve ndërkombëtare që ka ardhur në rritje gjatë tre edicioneve. “Fuqia e këtij aktiviteti qëndron tek ajo çka ai përfaqëson dhe gjeneron, tek organizimi, tek integriteti dhe integrimi i vlerave të krijuar nga popujt në rrugëtimin e tyre në histori”.
Në këtë aktivitet ndërkombëtar që u zhvillua në datat 14, 15 dhe 16 maj dhe që përkon me edicionin e tretë të tij, morën pjesë 8 grupe folklorike, nga Turqia, Polonia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Kosova, Italia, Bullgaria e Shqipëria. Ansambli i Qytetit i Këngëve dhe Valleve “Rexhep Mitrovica”, i Mitrovicës (Kosovë), u shpall më i miri mes grupeve pjesëmarrëse në Edicionit e Tretë të Festivalit Folklorik Ndërkombëtar “Aulona International Folk Festival”. President nderi i edicionit të tretë të festivalit ishte poeti, Akademik Jorgo Bulo.