Dokumente te reja mbi shqiptaret ne Britanine e Madhe

Dokumente te reja mbi shqiptaret ne Britanine e Madhe
Në përpjekjet për të sjellë sa më shumë fakte për themelimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar, në kuadër të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë në Arkivin Historik të Kantonit Somerset në Britaninë e Madhe, janë zbuluar dokumente me rëndësi të veçantë për historinë e vendit tonë.

I ngarkuari me punë i Republikës së Shqipërisë në Britaninë e Madhe,  z. Mal Berisha, njëkohësisht edhe studiues dhe hulumtues, bashkë me zëvendës ambasadorin e Republikës së Kosovës dhe drejtorin e Qendrës për Studime Shqiptare në Londër, z Bejtulla Destani, këto ditë e vizituan  këtë arkiv shumë të pasur. Në të gjendet një fond i veçantë i dokumenteve të kolonelit anglez, Aubrey Herbert, njëherësh ish-deputet i parlamentit britanik, ushtarak dhe politikan, njohës i gjuhës shqipe, i njohur për veprimtarinë e tij në dobi të çështjes shqiptare. Ai erdhi për herë të parë në Shqipëri në vitin 1907 dhe më pas shumë herë të tjera bashkë me Miss Edith Durham, Henry Nevington dhe anglezë të tjerë, dashamirës të Shqipërisë. Ai ishte themeluesi i Shoqatës Anglo-Shqiptare, e cila këtë vit edhe ajo feston 100- vjetorin e lindjes së saj.

Në dokumentet e zbuluara gjenden materiale shumë interesante, të panjohura më parë, rreth marrëdhënieve të kolonelit Herbert me figura të shquara të kombit tonë, si Ismail Qemali, Mithat Frashëri, Dhimitër Berati, Pandeli Vangjeli, Mbreti Zog, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Mehmet Konica, Faik Konica, Charles Telford Erikson. Po ashtu, gjenden letra që kanë të bëjnë me përpjekjet për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, të Konferencës së Paqes në Paris, në Lidhjen e Kombeve, të panjohura me parë.

Pas arkivit, diplomatët dhe studiuesit shqiptarë, në shenjë nderimi vizituan mbesën e kolonelit Herbert, si dhe shtëpinë e tij në Duverton.

Shtëpia ruhet edhe sot siç ishte në atë kohë, kur ai ndërroi jetë, në vitin 1923. Kolonelin Herbert e kishte vizituar një muaj para vdekjes Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë së asaj kohë në Britaninë e Madhe, Mehmet Konica, bashkë me amerikanin Charles Telford Erikson, të autorizuar nga vetë Ahmet Zogu dhe Fan Noli në një mision diplomatik. Që prej asaj kohe këtë vend të rëndësishëm për historinë e vendit zor se e ka shkelur ndonjë shqiptar e aq më pak diplomat. Në shtëpinë e  Herbertit gjenden fotografi, kostume dhe relike, që kanë të bëjnë me lidhjet e tij me popullin shqiptar.

Në Britaninë e Madhe puna për hulumtimin, gjurmimin, zbulimin e dokumenteve të tilla vazhdon me intensitet për t’i dhënë 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë sa më shumë fakte dhe materiale historike.

Jo shumë kohë më parë u botua libri “Aubrey Herbert, Albania’s Greatest Friend”. Një seri veprash të tilla janë në proces përgatitje, bazuar pikërisht në dokumente të tilla, të zbuluara rishtas, me rëndësi për historinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet e saj me Britaninë e Madhe.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama