Dokumentet sekrete plani i Kenedit per te vrare Kastron per 150 mije dollare

Dokumentet sekrete, plani i Kenedit per te vrare Kastron per 150 mije dollare
Një dokument i CIA-s që tregon mbi një plan të lidhur me mafien, për të vrarë për 150 mijë dollarë liderin kuban, Fidel Kastro, është mes mijëra dokumenteve të Robert F. Kenedi, të bëra publike javën e kaluar. Arkivat nacionalë dhe libraria presidenciale “Xhon Kenedi” në Boston kanë bërë publike rreth 2700 faqe nga dokumentet personale të Robert Kenedit, të përpiluara në kohën që ai punonte si prokuror i Përgjithshëm nga viti 1961 në 1964, duke ofruar një vështrim mbi vendimmarrjet e kohës së Luftës së Ftohtë. Dokumentet, të publikuara në 50-vjetorin e krizës së raketave kubane, nuk rishkruajnë historinë e Luftës së Ftohtë, por sipas historianëve sigurojnë një vështrim në mendimet personale të figurave kryesore të epokës. Kenedi e ka këshilluar vëllain e tij president, Xhon F. Kenedi, gjatë pushtimit të Gjirit të Derrave dhe krizës së raketave, momentet kryesore të presidencës së tyre.

Gazetari dhe historiani Majkëll Dobs, i cili shkruan mbi politikën e jashtme, tha se “titulli i Robert Kenedit si prokuror i Përgjithshëm qëndron larg funksionit të tij të vërtetë, si këshilltari kryesor dhe njeriu më i besuar i Presidentit Xhon Kenedi”. Shtatë kutitë me materialin e sapopublikuar përfshijnë telegrame, raporte, transkripte takimesh dhe shënime të shkruara me dorë nga Kenedi. Pushtimi i vitit 1961 i Gjirit të Derrave kërkon rrëzimin e komunistëve me ndihmën e kubanëve anti-Kastro që jetonin në ekzil dhe gëzonin mbështetjen e amerikane. Më shumë se 100 anëtarë të ekipit të pushtimit të sponsorizuar nga CIA u vranë dhe shumë u kapën nga forcat e Kastros.

Një dokument i CIA-s ofron një profil të Kastros: e quan inteligjent, por “jo shumë të qëndrueshëm” dhe “të paduruar e të nxituar”. Një tjetër thekson planet për vrasjen e Kastros, përfshirë një plan të vitit 1964 që kishte lidhje me mafien. Mafia dhe “të ikurit patriotë kubanë” kërkonin një pagesë prej 100 000 dollarësh për të vrarë Kastron, 20 000 dollarë për vëllain e tij Raul dhe 20 000 dollarë për revolucionarin Ernesto ‘Çe’ Guevara, plus 2500 dollarë për shpenzimet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama