“Konkurs, Mbi plotësimin e 3 (tri) vendeve të lira të punës. a). Pozita: Nji Avokat Publik Komunal në zyrën e Kryetarit të Komunës së Skënderajt. Lokacioni tek: Kryetari i Komunës së Skënderajt. b). Pozita: Nji Zyrtar të Ambijentit në DUNMA. Lokacioni vendi i punës: Drejtoria për Ndërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambijentit. c). Nji Mbikqyerësi Sallav te leximit ne DKRS”, është vetëm një pjesë e tekstit të konkursit, i cili është publikuar në dy të përditshme tona.
Ndonëse shumë herë është kërkuar edhe nga vetë këshilltarët komunalë, komuna nuk ka lektor, por edhe pa lektor, dikush që e njeh sadopak gjuhën shqipe, apo i cili të paktën ka kryer shkollën e mesme, do të duhej t’i jepte një shikim konkursit, nëse për asgjë tjetër, atëherë për të mos u “bërë horë“ në opinion. Pos “nji”, në vend “një“, që vazhdimisht përsëritet në konkurs, tingëllon aspak e logjikshme, madje edhe qesharake fjala: “Lokacioni tek: Kryetari i Komunës së Skënderajt”.
Ndryshe, pothuajse në çdo raport që paraqitet para këshilltarëve komunalë, këta të fundit japin vërejtje për gabimet gjuhësore dhe pothuajse gjithnjë kërkojnë dhe rekomantojnë një lektor, i cili do t’i kontrollonte raportet. Gabime të mëdha gjuhësore bëhen edhe në aktet dhe dokumentet e tjera që lëshohen, por atyre nuk ua vë veshin askush.
Në një situatë, kur në institucionet publike komunale për çdo ditë merren njerëz në punë, nganjëherë edhe pa konkurs fare, punësimi i një lektori, qoftë edhe pa konkurs, do të ishte i pranueshëm, mbase edhe i domosdoshëm.