Tekniku gjerman i Ferencvaroshit, Tomas Doll, nuk e bën dramë barazimin me Partizanin dhe u shpreh se në ndeshjen e kthimit do të shohim një tjetër skuadër. Sipas Doll, goli erdhi pas një gabimi të ekipit të tij dhe normalisht nga një goditje që po ta godasësh 50 herë portën, vetëm një herë mund të shënosh.
"Luajtëm ndeshjen e parë sot (dje), por ne dimë që mund të luajmë më mirë. Javën e ardhshme do të shohim një tjetër futboll dhe një tjetër skuadër. Rezultati është i mirë për ne, por bëmë disa gabime në golin e parë që pësuam. Kjo gjë që nuk duhet të ndodhte. Bëmë një gol të bukur, por javën tjetër jemi më të freskët dhe do të shohim", u shpreh fillimisht Doll në konferencën për shtyp pas ndeshjes.
Më tej, gjermani pohoi se Partizani nuk e surprizoi, pasi nuk dominoi mbi ta. "Nuk ishte surprizë se e dinim që kishte lojtarë të shpejtë, por s'është se ata dominuan apo na futën frikën. Duhet të jemi më të sigurt në gjërat tona, kjo është çështja. Javën tjetër do të luajmë ndryshe. Më e rëndësishme ishte që treguam moral pas golit dhe rezultati ishte i mirë për ne.
Nuk mund të veçoj ndonjë lojtar të Partizanit në veçanti që mund ta shoh si pjesë të skuadrës sime. Aksioni i golit të tyre ishte i bukur, por nga ana tjetër ishte edhe gabim i ynë. Megjithëse lojtari goditi shumë fort nga një pozicion që po ta godasësh 50 herë portën, një herë do të shënosh gol. Ai qëlloi në shenjë, por humbën topin aty ku nuk duhej. Ne duhet të gjejmë ritmin tonë, nuk ishim në formën e duhur sot (dje)", përfundoi Doll.
Vladimir Mema