Dollari shenon rekord shumevjecar duke shtrenjtuar kredite dhe importet

Dollari shenon rekord shumevjecar duke shtrenjtuar kredite dhe importet

Dollari amerikan u kuotua në 130.46 lekë sot, mbi 30 për qind më shtrenjtë se një vit më parë, por ekspozimi i shqiptarëve ndaj dollarit është relativisht i ulët. Dollari amerikan shënoi një rekord shumëvjeçar përballë euros në tregun ndërkombëtar sot, gjë që u reflektua edhe në shtrenjtim të kësaj monedhe ndaj lekut shqiptar. Dollari shënoi vlerën më të lartë në 12 vjet kundrejt euros pasi tregjet kanë rritur pritshmëritë për një rritje të normave të interesit nga ana e Rezervës Federale nga mesi i këtij viti si pasojë e përmirësimit të ndjeshëm të situatës ekonomike të Amerikës. Ndërkohë, vlera e euros u godit nga diskutimet që bisedimet për shpëtimin e Greqisë nga falimenti nuk po ecin siç duhet. Euro kushtoi sot 1.0762 dollarë, dhe tregtarët po shikojnë nëse mund të zbresë edhe më poshtë se kaq.

Leku shqiptar ka mbetur gjerësisht i pandryshuar në kursin e këmbimit kundrejt euros gjë që ka bërë që dollari amerikan të shtrenjtohet me gati 30 për qind në krahasim me një vit më parë.

Shtrenjtimi i dollarit pritet të sjellë rritje të kostos së importit të disa mallrave të rëndësishëm si naftë dhe drithëra si dhe në rritjen e kostos së borxhit publik e privat të marrë në dollarë apo në monedha të lidhura me dollarin. Ekspozimi në termat e kredisë private në dollarë është i ulët ndërsa ekspozimi në tregtinë e jashtme dhe veçanërisht në termat e borxhit publik të huaj është në nivele të konsiderueshme.

Rreth 20 për qind e tregtisë së jashtme të Shqipërisë kryhet në dollarë. Ndërkohë, qeveria shqiptare ka një portofol në dollarë në ekujvalentin 290 milionë eurove sipas raportit të borxhit publik, ose 10 për qind të totalit të borxhit të jashtëm. Kjo pjesë e borxhit pritet të shtrenjtohet si pasojë e shtrenjtimit të dollarit. Por qeveria shqiptare ka edhe detyrime në SDR, monedhë llogari e institucioneve financiare ndërkombëtare, e cila përbëhet në masë të gjerë në dollarë amerikanë dhe që është forcuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit. Qeveria e Shqipërisë ka në SDR një porfotol kredish në ekujvalentin e 758 milionë eurove. Sipas raportimit të kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, SDR kushtonte më pak se 160 lekë verën e kaluar ndërsa u shtrenjtua në 181 lekë sot. Ky shtrenjtim pritet të rëndojë edhe koston e borxhit publik.

Portofoli i kredive të dhëna në dollarë, sipas raportit statistikor të Bankës së Shqipërisë është i ulët. Në janar të këtij viti, kreditë për kompanitë në dollarë qenë rreth 35 milionë dollarë, ndërsa kreditë në dollarë për individët qenë rreth 15 milionë dollarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama