Don Lush Gjergji Papa vjen per te gjithe shqiptaret

Don Lush Gjergji: Papa vjen per te gjithe shqiptaret

Kjo vizitë është përkrahje morale, kulturore dhe shpirtërore e Selisë së Shenjtë ndaj shqiptarëve gjatë shekujve
Fetarisht, fatkeqësisht, jemi të ndarë, por fatbardhësisht nuk jemi të përçarë. Për këtë na ka lakmi shumëkush

Më 21 shtator, Papa Françesku udhëton drejt Shqipërisë, duke u bërë kështu Papa i dytë që viziton vendin tonë pas vizitës së Shën Gjon Palit II më 25 prill 1993. Harmonia fetare, por edhe mbështetja ndaj një populli fisnik, siç u shpreh Ati i Shenjtë vetëm disa ditë më parë teksa kthehej nga Koreja e Jugut, janë arsyet e kësaj vizite. “Shkoj në Shqipëri për dy arsye të rëndësishme. E para, sepse kanë arritur të krijojnë një shtet dhe të mendojnë për Ballkanin, unitetin kombëtar mes islamit, ortodoksëve, katolikëve me një këshill ndërfetar që ndihmon shumë në ekuilibrim. Kjo është gjë shumë e mirë, sepse ka harmoni. Dhe prezenca e Papës është për t’u thënë të gjithë popujve se mund të punohet bashkë dhe unë e kam ndier si të ishte një ndihmë për atë popull fisnik”, ka thënë Papa Françesku. Por, në kontekstin historik e shpirtëror, kjo vizitë e kalon dimensionin e saj për shqiptarët, një popull që vjen nga një e shkuar totalitare, me një histori të trishtë në marrëdhënie me fenë, dhe që kërkon me ngulm Europën. Përgjatë 50 viteve, besimi fetar u ndalua dhe u luftua nga regjimi komunist. Por, hapja e dyerve të lirisë ruajti te shqiptarët të njëjtën harmoni dhe komunikim mes feve. Për Don Lush Gjergjin, ipeshkëv në Ipeshkvinë e Kosovës, dhe një njohës i mirë i figurës së Nënë Terezës, duke qenë autor i monografisë më të plotë kushtuar figurës së saj, kjo vizitë është një përkrahje morale e shpirtërore e Selisë së Shenjtë ndaj historisë së shqiptarëve.

Më 21 shtator, Papa Françesku viziton Shqipërinë. Kjo është hera e dytë që një Papë viziton vendin tonë. Cili, sipas jush, është mesazhi i kësaj vizite?

Papa Françesku, nëpërmjet tij mbarë kisha katolike, çmon dhe nderon sidomos dy veçori dalluese në Shqipëri dhe ndër shqiptarët, martirizimin shumëshekullor, veçmas gjatë sundimit dhe përndjekjeve të egra komunisto-ateiste, dhe bashkëpunimin dhe bashkëjetesën ndërfetare ndër ne. Këto dy aspekte na bëjnë edhe sot shembull për të tjerët, për Mesdheun dhe më gjerë, janë “kapitali” ynë shpirtëror që duhet ruajtur, kultivuar, begatuar dhe “eksportuar” – paraqitur në botë.

 

Në kontekstin historik, cila është rëndësia e kësaj vizite?

Është përkrahja morale, kulturore dhe shpirtërore e Selisë së Shenjtë ndaj shqiptarëve gjatë shekujve, sidomos në periudha të kërcënimeve dhe rrezikimeve. Historia jonë kombëtare dhe kulturore, në veçanti shkrimet dhe botimet e ndryshme biblike, liturgjike, katekistike, shpirtërore, prej Formulës së Pagëzimit e tutje, kanë pasur gjithnjë domethënie të dyfishtë, fetare dhe kombëtare. Pa këtë përkrahje dhe ndihmesë të papëve dhe të Vatikanit, prelatët tanë s’do të na linin një trashëgimi kaq të çmuar dhe të rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Me një fjalë, Selia e Shenjtë ishte dhe mbetet përkrahësi i së mirës, së drejtës, së vërtetës, të faljes dhe të dashurisë ndër ne dhe me ne, pastaj edhe me popujt dhe shtetet e tjera, si një lloj “avokati” para Zotit dhe njerëzimit.

 

Kisha katolike dhe feja në Shqipëri, përgjatë 50 viteve u mohua dhe u persekutua në diktaturë. Cili është raporti që feja katolike ka mbajtur me të shkuarën?

Kisha katolike çmon dhe nderon vuajtjen, pësimet, martirizimin e popullit tonë, sidomos të klerit dhe të besimtarëve tanë. Që mos të tretet “kujtimi historik”, ky thesar kaq i çmuar dhe i dalluar, ajo ka përpiluar listën e martirëve shqiptarë, dhe pas hulumtimeve e dokumentimeve të hollësishme ia ka paraqitur Selisë së Shenjtë, Kongregatës për Shpalljen e Shenjtërve. Lusim Zotin dhe presim që Vatikani edhe zyrtarisht edhe kremtorisht t’i pranojë ata si martirë dhe shenjtër, gjë kjo që do të ishte në ndihmë dhe dobi para Zotit, do të na paraqiste denjësisht në kishën katolike dhe në botë. Pa histori s’ka as ardhmëri, thotë populli. Historia është dhe duhet të mbesë “Mësuesja e jetës”, unë do të shtoja “Mësuesja dhe Nëna e jetës”.

 

Shqipëria është konsideruar gjithnjë një vend me harmoni fetare. Si e shihni këtë harmoni fetare sot në Shqipëri dhe Kosovë?

Ne jemi vëllezër-motra në mënyrë të dyfishtë, si shqiptarë, aspekti kombëtar, dhe si besimtarë, monoteistë, aspekti fetar. Fetarisht, fatkeqësisht, jemi të ndarë, por fatbardhësisht nuk jemi të përçarë. Për këtë na ka lakmi shumëkush. Kohëve të fundit “fryjnë” disa erëra, mos të them “stuhi apo uragane” që duan të na përçajnë dhe armiqësojnë. Kjo nuk është historia dhe tradita jonë. Kjo nuk i sjell askujt dobi, por është e dëmshme për të gjithë. Një fe që nuk është takim, afrim dhe bashkim me Zotin dhe me njeriun, të afërmin, me të gjithë, nuk është fe e mirëfilltë. Papa Shën Gjon Pali II thoshte: Vrasja e njeriut është krim. Vrasja e njeriut në emër të Zotit është sakrilegj, mëkati më i madh për çdo njeri.

 

Në Kosovë dhe në Shqipëri ka pasur ngjarje të veçuara, siç kanë qenë arrestimet e imamëve në Kosovë. Cili është impakti i këtyre ngjarjeve?

Populli është i hutuar dhe i befasuar. Mirëpo, mendoj unë, na nevojitet “urtia e Salamonit”, mençuria dhe baraspesha në vlerësime dhe gjykime, sepse nuk jemi “kasapë” për të prerë e vrarë, por “kirurgë” të shpirtit për të mjekuar dhe shëruar plagët e vjetra e të reja. Ndoshta tepër gjatë kemi heshtur, e tash ngutemi për ta rikuperuar kohën e humbur … S’duhet t’i nënçmojmë këto dukuri tejet të rrezikshme, por s’duhet as t’i zmadhojmë dhe krijojmë “taborizime” apo përgjithësime. Gjakftohtësia, maturia, urtia, mbi të gjitha shpirtmadhëria, feja dhe dashuria na aftësojnë që t’i kalojmë edhe këto batica e zbatica. Tash është koha për t’u treguar dhe dëshmuar apo siç thotë fjala latine: Hic Rhodus, hic salta!

 

A është kjo vizitë një mbështetje për shqiptarët në rajon?

Jo vetëm mbështetje për shqiptarët në rajon, por edhe më gjerë, një lloj “lançimi” për të mirë në Mesdhe, në Europë dhe në botë, siç ishte edhe vizita e Shën Gjon Palit II më 25 prill 1993. Porosia e tij atëherë ishte vërtet “interpretimi” i shkëlqyer i historisë sonë të lashtë dhe të afërt, interpretimi i qëlluar i së tashmes dhe hapja e perspektivës për një të ardhme sa më të mirë. Në këtë frymëzim dhe shpirt do të jetë edhe 21 shtatori dhe vizita e Papa Françeskut në Shqipëri.

 

Figura e Nënë Terezës, sa i ka ndihmuar shqiptarët dhe raportet me Vatikanin?

Gjithsesi, sepse ajo është dhe mbetet “letërnjoftimi” dhe “pasaporta” jonë në botë. Papa Françesku është “binjak” shpirtëror me Nënë Terezën, sepse thekson vazhdimisht fuqinë e thjeshtësisë apo përvuajtërisë, të varfërisë, shërbimit ndaj atyre që kanë nevojë, duke theksuar se kisha është, duhet të jetë e varfër, me të varfër dhe për të varfër, si fuqi shpirtërore dhe morale për gjithë njerëzimin. Me Nënë Terezën edhe një herë është krijuar afërsia dhe vëllazëria shpirtërore dhe morale gjithëshqiptare, kultura e jetës dhe qytetërimi i dashurisë, gjë kjo për të cilën kemi nevojë ne dhe bota. Nënë Terezën s’duhet vetëm ta çmojmë, ta nderojmë, ta admirojmë, por t’i shkojmë gjurmëve të saj, me moton: “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama