Gjatë një mbledhjeje, ekspertët kanë bërë publike disa shifra të cilat flasin vetë: në botë ka më shumë se 600 milionë persona të cilët kanë arritur të 60-at (trefishi në krahasim me një shekull më parë) dhe sipas parashikimeve, në vitin 2050, numri i tyre do të rritet edhe më shumë, duke arritur numrin 2 miliardë (pra, tri herë më shumë se sot).
"Mungesa e një pune fikse apo e një aktiviteti të rregullt fizik sjell rreziqe të mëdha demence (skizofreni) apo sëmundjesh të tjera të rënda, të cilat e bëjnë vdekjen më të afërt", nënvizon një nga organizatorët e studimit, i cili drejton një grup ndërkombëtar shkencëtarësh të angazhuar në këtë drejtim.
"Është mënyra më e mirë për të luftuar kundër plakjes dhe për të vënë në lëvizje muskujt dhe trurin, sepse të qenit pasiv shkatërron muskujt dhe ‘boshatis‘ trurin", pohon një onkolog, që është dhe një nga organizatorët e një seminari mbi punën dhe pleqërinë. "Nëse një qen gjuetie apo një kalë vrapimi nuk kryejnë një aktivitet të rregullt fizik, jeta e tyre shkurtohet. Trupi i njeriut është formuar në atë epokën kur i duhej të punonte shumë për të fituar bukën e gojës. Megjithatë, njeriu duron, njësoj si në rastin e këtyre dy kafshëve, pa një aktivitet fizik e mendor të përditshëm dhe kjo mund të shndërrohet në një çekuilibër hormonal". Sipas ekspertit, minimumi i përditshëm është, nëse trupi e lejon, një gjysmë ore në ditë shëtitje për çdo moshë. "Për sa i përket trurit, duhet të mendojmë se, në ndryshim nga shumë makina, sa më pak të përdoret aq më shumë konsumohet e plaket", thotë ai.
Megjithatë, të punosh gjatë nuk është zgjedhje medoemos negative, siç tregon edhe rasti i atyre personave të cilët e ëndërrojnë për vite daljen në pension dhe sapo arrijnë në momentin e shumëpritur, e lënë veten të dominohen nga kjo e fundit.
"Dihet që të qenit sedentar, të vetmuar e të izoluar janë faktorë të rrezikshëm për një sërë patologjish që lidhen me plakjen. Veçanërisht mund të bëhen faktorë nxitës të patologjive kardiovaskulare e neurovegjetative, të ngjashme me sëmundjen ‘Alzheimer‘", kujton ai. Një studim i sapopublikuar në një revistë shkencore konfirmon që aktiviteti mendor në moshën e tretë e largon rrezikun e dëmeve konjektive dhe demencën e pleqërisë. "Efekti mbrojtës vjen edhe nga leximi i revistave dhe librave, shkrimi i letrave, si dhe frekuentimi i bibliotekave. Një aktivitet intensiv cerebral dhe fizik u lejon qelizave të funksionojnë më mirë dhe të jenë më të gjalla, duke krijuar kështu një terren të përshtatshëm për funksionimin e neuroneve. Ka një prodhim më të lartë hormonesh cerebrale, që quhen "neurosteroide" dhe jemi nën vëzhgimin e tyre. Mbajtja e tyre në gjendje aktive vepron mbi funksionimin e të gjithë organizmit", shpjegon doktori, që dëshiron t‘u japë një mesazh personave të cilët dalin në pension: "Duhet të shihni përpara dhe ta lini pas të shkuarën, sepse kërkimi i kohës së humbur mund të prishë kohën që ka mbetur për të jetuar".
Por a ekziston një lidhje e provuar mes dinamizmit të një personi dhe sistemit të tij imunitar? Fatkeqësisht, shkenca nuk ka rritur ende në një përfundim të saktë. "Nuk e dimë ende me saktësi se çfarë ndodh me funksionimin e qelizave cerebrale", thotë studiuesi, i cili preferon të ndalet në një tjetër pikë të rëndësishme: "Njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri, kanë një histori të tyren personale, kanë jetuar në një ambient të veçantë, si dhe kanë gjene specifike. Në këtë rast duhet gjetur kombinimi i duhur mes gjendjes shëndetësore, ambientit shoqëror dhe elementit kryesor që është dëshira". Duke qenë dinamikë, edhe falë punës, ulet rreziku i zhvillimit të ndonjë kanceri. "Në organizmin e secilit prej nesh ka forma tumorale, të cilat mund të zhvillohen në çdo moment. Kalimi nga një gjendje aktive në atë pasive, mund të bëhet faktori kryesor për zhvillimin e kancerit".
Një pohim që tregon se të punosh gjatë mund të ketë efekte të dobishme në përmirësimin e jetës, është konfirmuar edhe nga disa studiues kanadezë, të cilët kanë kryer një studim të bazuar mbi disa përfundime mbresëlënëse: kush del në pension në moshën 55- vjeçare ka një mesatare vdekshmërie më të lartë se ai që punon deri në 65 vjeç. Studimi i publikuar në një revistë shkencore ka analizuar 3500 punëtorë të një industrie petrokimie, të cilët kishin dalë në pension në moshën 55, 60 dhe 65 vjeç. Autorët pohojnë se dalja herët në pension çon në një jetë më të mirë. "Studimi ynë kërkon të paraqesë diçka tjetër. Dalja në pension në moshën 50 ose 60-vjeçare, nuk shoqërohet me një jetë më të gjatë. Madje është vënë re se vdekshmëria është e lartë te personat që dalin në pension në moshën 55-vjeçare sesa te 65-vjeçarët dhe kjo nuk varet nga gjendja social-ekonomike. Pra kush punon, gëzon. Është e rëndësishme që e gjithë shoqëria ta mbështesë problemin e moshës së tretë. Një të moshuari nuk mjafton t‘i thuash se është e nevojshme të dalë nga shtëpia e të merret me një punë, por i duhet krijuar një ambient ku mund të jetojë e të gëzojë ditët e fundit që i kanë mbetur", përfundojnë ekspertët.