Dopiete e Shales Rashica realizon per merkaton

Dopietë e Shalës, Rashica realizon për merkaton

Ditë e mrekullueshme për dy mesfushorët e Kombëtares. Njëri me dy gola në Çeki ka udhëhequr Liberecin në triumfin e radhës në kampionatin çek, duke e ruajtur vendin e katërt që i jep Europa Ligën. Ndërkohë që tjetri ka realizuar në Holandë, por goli i tij nuk ka mjaftuar për tri pikë. milot rashica

Bëhet fjalë për Herolind Shalën, Libereci i të cilit ka triumfuar 2-0 falë dopietës së tij dhe për Milot Rashicën që ka shënuar në barazimin 1-1 të Viteshes, në Holandë. Ndërkohë, në Kroaci ka pasur një "derbi shqiptarësh", i cili në fund është fituar nga Roshi e Balaj.

Çeki - Herolind Shala ka realizuar dy herë në fraksionin e parë të lojës, duke e çuar në avantazh të dyfishtë Liberecin në dhomat e zhveshjes. Në takimin përballë Jihlavas, shqiptari ka shënuar në minutat 24 dhe 44. Goli i parë vjen pas një galopimi të fuqishëm drejt zonës, ku, pasi driblon mbrojtësin, arrin të godasë mjeshtërisht, atje ku nuk mund të devijohet as nga mbrojtësit e tjerë dhe as nga portieri. Dhjetë minuta më vonë, Shala merr një asist nga njëri prej shokëve të tij dhe i vetëm përballë portierit, arrin ta dërgojë topin në fund të rrjetës, përmes këmbëve të gardianit kundërshtar.

Holandë - Mesfushori i Viteshes ka treguar edhe një herë tjetër se është duke kaluar një formë të shkëlqyer. Milot Rashica ka realizuar në minutën e 48-të të takimit, duke ndjekur në mënyrën e duhur aksionin e skuadrës së tij, për të goditur më pas me ftohtësi dhe me saktësinë e një bomberi. Gol që i ka dhënë avantazhin e përkohshëm Viteshes, por që është barazuar në të 81-ën nga një penallti. Herakles ka ndalur skuadrën e mesfushorit të Kombëtares, i cili është në qendër të vëmendjes për shumë skuadra europiane.

Kroaci - Ka qenë një ndeshje shqiptarësh ajo mes Lokomotivës së Zagrebit dhe Rijekës. Herdi Prenga dhe Eros Grezda e kanë nisur titullarë për të sfiduar Bekim Balajn, ndërkohë që në pjesën e dytë ka pasur minuta edhe për Endri Çekiçin dhe Odise Roshin. Takimi ka folur për miqtë, ku Rijeka e Roshit dhe Balajt ka marrë tri pikët në këtë sfidë. Një përballje shqiptarësh, por ku të dyja ekipet kanë pasur objektiva në lojë. Vendasit synonin një triumf në këtë sfidë, për të ngushtuar diferencën me vendin e tretë, ku ndodhet Hajduku i Splitit. Takimi është vendosur nga një gol i Gavranoviç në minutën e 59-të të takimit.

Kthehet Basha, Komo... njësoj

Migjen Basha është rikthyer në fushën e lojës për skuadrën e Serisë B italiane. Megjithatë, Komo është mundur 3-0 nga Bari në fushën e kësaj të fundit.

Një ndeshje e barabartë në fraksionin e parë të lojës, por në të dytin kanë qenë vendasit që kanë dominuar në çdo aspekt. Prania në fushë e futbollistit të Kombëtares kuqezi nuk ka sjellë asgjë për Komon, e cila ka marrë një tjetër humbje duke zvogëluar shanset për mbijetesën.

Hyka mund Kukelin, "autogol" i Zyrihut

Kur kampionati helvet po i drejtohet fundit, çdo javë është shumë e rëndësishme dhe çdo ndeshje vlen më shumë sesa vetëm tri pikë. Jahmir Hyka dhe Luzerna e tij kanë mundur Burim Kukelin dhe Zyrihun.

Kjo e fundit nuk fiton prej dy ndeshjesh, duke lëkundur edhe një herë pozitat për mbijetesë, duke parë formën e mirë që po kalon Vaduzi i Sadikut që ndjek. Me këtë trepikësh, Luzerna e Hykës shpreson për vendin e katërt.

LEGJIONARËT
Milot Rashica (0-90´)
"Zverdhet" në minutën e 22-të, zhbllokon në të 48-ën.
Ansi Agolli (0-90´)
Një ndër më të mirët në fushë për Karabakun që s'ndalet.
Bekim Balaj (0-90´)
Rijeka bën detyrën, shkodrani nuk bën dot diferencën.
Odise Roshi (79-90´)
Mesfushori fierak provon të ndryshojë ritmin, por pa sukses.
Eros Grezda (0-76´)
Ndër më të mirët për Lokomotivën, por humb përballë shqiptarëve.
Endri Çekiçi (67´-90´)
Futet në fushë për të ndryshuar shifrat, por nuk sjell dot asgjë.
Herdi Prenga (0-90´)
I padiskutueshëm në formacionin e Lokomotivës, mundet nga
shqiptarët.
Migjen Basha (0-90´)
Rikthehet pas pezullimit, por Komo nuk ka fuqi të reagojë.
Herolind Shala (0-78´)
I mrekullueshëm me dopietën në fraksionin e parë.
Burim Kukeli (0-90´)
Mesfushori nuk ia del të shmangë humbjen e Zyrihut.
Jahmir Hyka (0-90')
Mund në transfertë Kukelin e Kombëtares, Luzern "sheh" Europën.
Donis Avdijaj (0-78´)
Titullar në një tjetër fitore të Sturm Gratcit në Austri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama