Dora e Del Pontes

Dora e Del Pontes

Apo edhe të nxjerrin në dritë hije që zakonisht mediat e opinioni i gjerë nuk ka mundur t'i shohë. Në anën tjetër, kemi edhe atë formë të hartimit të librave kur politikanët duan që të ngrihen në piedestale politike. Kështu, memuare a jetëshkrime në vetën e parë shkruajnë edhe Helmut Kohli, Bill Clintoni, Gerhard Schroederi, Tony Blair-i...por edhe aspirantë për të marrë poste të rëndësishme politike, siç mund të jetë një Barack Obama apo Hillary Clinton. Duhet thënë që në Europën postkomuniste kjo mënyrë profilimi nuk është edhe aq e zhvilluar. Mbase për faktin që lexuesit dhe me këtë edhe votuesit potencialë për dekada të tëra ishin lodhur me libra të liderëve komunistë a diktatorëve, duke filluar nga Enveri, Titoja, Çaushesku, Honeckeri e të gjithë të tjerët.

Për të shtuar në këtë mes është që si memuaret e ish-diktatorëve ashtu edhe të demokratëve i lidh diçka. Zakonisht këta libra nuk shkruhen nga vetë ata. Edhe pse emri është i tyre në krye të librit. Janë "ghostwriter"-s ata që e bëjnë punën kryesore. Por kjo nuk ka aq shumë rëndësi.

Rëndësi ka shumë më tepër që këto ditë, pikërisht një, një... çfarë t'i themi: prokurore, politikane, diplomate, personalitet publik i involvuar drejtpërdrejt me Ballkanin ka botuar një libër i cili ka tronditur thellë opinionin e gjerë në hapësirën e ish-Jugosllavisë por edhe në Europë e më gjerë. Fjala është pra, për librin e autores Carla Del Ponte me titullin "Gjuetia: Unë dhe Kriminelët e Luftës" (botim i shtëpisë botuese italiane me shumë emër, "Felltrineli"). Duke mos i ikur shabllonit të librave të përmendur më lart, edhe Zonja Del Ponte librin e saj e ka shkruar me një co-autor ose "ghostwriter". Fjala është për amerikano-kroatin Chuck Sudetic i cili më parë raportonte nga Bosnja për "Rolling Stones" por edhe "Athlantic Monthley" kurse vitet e fundit ishte i punësuar i Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi në cilësinë e analistit politik.

Kujtoj që është e tepërt të flitet këtu për të gjitha ekstraktet e librit që tashmë janë botuar- kryesisht në mediat serbe, kroate, boshnjake dhe më së paku kosovare. Tashmë dihet se çfarë në libër është thënë dhe cilat janë konturet e këtyre akuzave që Del Ponte u bën të gjithëve - nga politikanë e diplomatë botërorë e deri tek aktorët në vetë hapësirën e Ballkanit. Sidoqoftë, derisa për Kroacinë, Bosnjen e Hercegovinën dhe sidomos Serbinë, libri i Del Pontes paraqet një impakt tepër të rrezikshëm për politikën dhe rrjedhat e brendshme të këtyre vendeve (sidomos për Gjingjiçin dhe Demokratët në prag të zgjedhjeve në Serbi) është Kosova dhe janë kosovarët ata që me këtë rast kanë pësuar sulmin më të rëndë, goditjen më të madhe, akuzën më të tmerrshme që kjo grua u ka bërë popujve të çliruar nga hordhitë serbe të Milosheviçit e kriminelëve të tjerë në ish-Jugosllavi. Libri i Del Pontes tashmë ka dalë në librari. Artikujt, analizat, kërkimet në media të mëdha botërore nuk kanë të ndalur. Çdo gjë sillet e pështillet rreth krejt librit por e tëra sërish kthehet tek kjo akuzë që shqiptarët ishin dyshuar të kenë bërë transplantime me organe të serbëve në malet e Matit në Shqipëri. Efekti medial i këtyre paragrafëve të librit të Del Pontes ka qenë aq i madh saqë është për t'u frikësuar që e tëra nuk do të mbarojë me kaq. Kur të kihet parasysh që pas botimit në italisht, libri do të dalë në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht e gjuhë të tjera të mëdha. Për të mos folur këtu edhe për gjuhët e vetë rajonit. Rrethi ose thënë edhe më mirë rrathët e temës në fjalë vetëm sa do zgjerohen dhe rrëfimi për shqiptarët kanibalë që nga malet e Matit kishin mundur të ngrinin fabrika transplatimesh me organe të serbëve vështirë që do të përmbyllen. Së paku derisa të dëshmohet e kundërta. Dhe këtu duhet të ndalemi.

Së pari, është naive të besohet që një kundërshtim i bashkëpunëtorëve të Del Pontes- ish-Prokurorit Nice (në "Jutarnji List" dhe "KOHA Ditore") dhe ish-zëdhënëses Hartmann (në "Le Temps") për atë që janë "absurde" akuzat e ish-shefes së tyre për malin e Matit dhe organet e transplantuara serbe, mjafton për ta rrëzuar akuzën e Del Pontes në librin e saj. Edhe më naive por edhe shkurtpamëse janë qëndrimet dhe kundërshtimet e Ministres së Drejtësisë apo Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Kosovës të cilët rrëfimin e Del Pontes e kanë kualifikuar si "fabrikim" me të cilin as që ia vlen të merret... Sepse këtu kemi problemin. Ne mbase nuk mund t'i dimë shkaqet apo shkaset pse Zonja Del Ponte ka shkruar këtë libër dhe sidomos pse u ka veshur kosovarëve këtë njollë. Por ajo që mund të supozojmë është që ish-kryeprokurorja nuk arriti të prangoste krerët e UÇK-së kurse për njërin prej tyre të cilin nuk pat nevojë ta prangoste sepse ai shkoi atje vet dhe doli i pafajshëm siç edhe ishte pritur (këtë gjë Del Ponte me siguri e ka ditur nga fillimi!). Prandaj tashti vijnë akuzat në fjalë në këtë libër i cili për bazë duhet të ketë vetëm një dimension: hakmarrjen ndaj të gjithëve. Hakmarrje pa pyetur për të vërtetën apo çmimin.

Për t'u kthyer tek problemi dhe qëndrimi thjesht i palejueshëm i bartësve të institucioneve kosovare, duhet thënë që Qeveria e Kosovës (por edhe ajo e Shqipërisë) dhe institucionet përgjegjëse duket të mos jenë të vetëdijshme për pasojat e rrëfimit për organet. Në radhë të parë në pyetje është imazhi i vendit dhe shqiptarëve përgjithësisht. Pastaj vijnë këtu edhe krejt resentimentet që specialistët dhe "specialistët", ekspertët dhe "ekspertët" për Ballkanin do t'i kenë dhe do t'i përdorin sa herë që të flitet për shtetin më të ri të Europës. Për këtë shkak kujtoj që kosovarët duhet të sillen siç sillen vendet dhe institucionet normale të kësaj bote normale. Urgjentisht duhet themeluar një komision ndërkombëtar i cili do të hetonte akuzat e Del Pontes (pra duhet pranuar kërkesa e "Human Rights Watch"). Në të njejtën kohë, duhen angazhuar avokatë ndërkombëtarë të cilët do të padisnin Zonjën Del Ponte për paragrafet që kanë të bëjnë me rrëfimin në fjalë. Në çastin që çështja do kalonte në gjyq, libri do të tërhiqet nga qarkullimi derisa gjyqi të dëshmonte të kundërtën e akuzave të saj. Kështu bëhet gjithandej në botën dhe shtetet normale.

Jam mëse skeptik që kosovarët, bartësit e institucioneve përgjegjëse, do t'i hyjnë kësaj aventure gjyqesh kundër Del Pontes. Sepse për këtë flasin reagimet naive apo heshtjet e atyre që duhet të flasin. Por në të njejtën kohë jam mëse i bindur që pasojat dhe rrathët e sipërpërmendur, nëse nuk vërtetohet e kundërta e pohimeve të saj, do të kenë pasoja tmerrësisht të mëdha. Sepse libri nuk është gazetë, as lajm (radio- televiziv), as protokoll politik. Qoftë ky edhe libri i Carla Del Pontes e cila nëse me dorën e saj nuk arriti të nënshkruante më shumë aktakuza kundër kosovarëve ia doli të nënshkruante këtë libër i cili Kosovës deri më tashti i ka bërë dëmin më të madh të mundshëm prej pas çlirimit të saj.

Somario

Si memuaret e ish-diktatorëve ashtu edhe të demokratëve i lidh diçka. Zakonisht këta libra nuk shkruhen nga vetë ata. Edhe pse emri është i tyre në krye të librit. Janë "ghostwriter"-s ata që e bëjnë punën kryesore. Por kjo nuk ka aq shumë rëndësi.

Prandaj tashti vijnë akuzat në fjalë në këtë libër i cili për bazë duhet të ketë vetëm një dimension: hakmarrjen ndaj të gjithëve. Hakmarrje pa pyetur për të vërtetën apo çmimin.

Nga Beqë Cufaj Nga Gazeta Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama