Marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet mazhorancës së re dhe presidentit të Republikës, detyrojnë edhe zonjën e parë të shtetit që të japë dorëheqjen. Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, bashkëshortja e Presidentit Nishani, Odeta Nishani ka lajmëruar miqtë e saj për largimin nga detyra si Drejtore e Studimit të Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.“E thënë thjeshtë, etika është baza e komunikimit në administratë, në shoqëri, në shkollë e kudo në sferat e jetës.
Kur ky parim cenohet, komunikimi gjymtohet ose bëhet i pamundur. Natyra e administratës publike karakterizohet nga hierarkia, e cila sipas rangut menaxhon të menduarit dhe të vepruarit në shërbim të taksapaguesve dhe të vetë shtetit, por gjithçka duhet të funksionojë në një kuadër etik”, shkruan Odeta Nishani. Bashkëshortja e kreut të shtetit akuzon mazhorancën e re për presion psikologji dhe trysni të vazhdueshme për drejtuesit të rinj për punonjësit e ish-Ministrisë e Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve.
“Arroganca dhe tensionimi artificial bazohen në kërkesa, të cilat dëshmojnë mungesë vizionesh, mosnjohje të realitetit dhe të punës së bërë deri tani. Presioni psikologjik, trysnia e vazhdueshme, pretendime absurde, shkrirja e strukturave ekzistuese dhe krijimi i strukturave të reja, të mbivendosura me institucionet e varësisë po përdoren në mënyrë që njerëzit të vetëlargo- hen nga puna, e shoqëruar kjo edhe me prishje kontratash, duke përfituar nga statusi i ri i ministrisë pas ndarjes së MTKRS-së (Ministrisë Turizmit Kulturës Rinisë dhe Sporteve). Duke e gjykuar fyese dhe të papranueshme këtë atmosferë, me keqardhje largohem nëpërmjet dorëheqjes së parevokueshme nga Ministria.
Gjej rast të falënderoj përzemërsisht të gjithë bashkëpunëtorët e mi në këto vite për profesionalizmin, përkushtimin, ndershmërinë dhe rezultatet e arritura, të cilat sfidojnë çdo nihilist dhe nihilizëm qëllimor”, deklaron zonja Nishani. Odeta Nishani kreu arsimin e mesëm të përgjithshëm në shkollën “Dhaskal Todri” në Elbasan. Më pas, ajo u diplomua në Universitetin Politeknik të Tiranës si “Inxhiniere për Ndërtime Civile dhe Industriale” në vitin 1993. U martua me zotin Bujar Nishani në vitin 1994.
Znj. Nishani e nisi karrierën e saj profesionale në Akademinë Ushtarake si Drejtuese Investimesh duke vijuar më tej në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve, si Inxhiniere Ndërtimi dhe Konstruktore për një periudhë 10-vjeçare. Profesionalisht statusi i Zonjës së Parë e gjen Odeta Nishanin në fushën e Zhvillimit të Turizmit, në detyrën Drejtore e Studimit të Tregut dhe Statistikave të Turizmit, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në këtë fushë , bashkëshortja e Presidentit Nishani mban titullin “Master në Menaxhim Turizmi”, fushë në të cilën ka punuar gjatë këtyre 7 viteve.