Sa ka të bëjë ky dështim me rrethanat ku zhvillohen iniciativat private në Shqipëri, në mënyrë të veçantë në kulturë? Sa ndikon mungesa e politikave shtetërore në fushë të librit?
Dorëhiqet panairi i pranverës por problemet mbeten.
Zoti Klosi, keni deklaruar publikisht gjatë muajit nëntor, veçanërisht në ditët e panairit të kaluar të librit, se Shoqëria e Librit Shqip që ju përfaqësoni do të organizojë një Panair të Librit të Pranverës. Për këtë shpërndatë gjatë atyre ditëve edhe një fletëpalosje me informacionin përkatës. Si qëndron gjendja me organizimin e këtij panairi?
Më vjen keq që të shpall publikisht sot se Panairi i Librit i Pranverës nuk do të bëhet. Mendoj që është i domosdoshëm një njoftim i tillë, pasi shumica e botuesve që ftuam gjatë muajve nëntor-dhjetor të jepnim mendimin e tyre për një organizim të tillë, reaguan mjaft mirë, deri dhe me entuziazëm. Ishte e qartë pakënaqësia e pjesës më të madhe me organizimin aktual, me gati-privatizimin e Panairit të Tiranës nga organizatori i tij, me mbipeshën e 4-5 botuesve të fuqishëm financiarisht, për arsye se përfitojnë tendera shtetërorë e jo pse përfaqësojnë atë që do të ishte elita kulturore e librit shqip. Shkurt, të gjithë këta botues duhet ta dinë që sot që një panair pranvere për Tiranën është i parealizueshëm.
Cilat janë arsyet që nuk e realizoni dot?
Arsyeja e thjeshtë është që asnjë nga mbështetësit dhe partnerët e mundshëm nuk u përgjigjën pozitivisht, madje edhe më keq, nuk janë përgjigjur fare deri në ditën e sotme. Këtu përfshij Ministrinë e Kulturës, kompani të rëndësishme private që rëndom bashkëfinancojnë aktivitete kulturore te ne, partnerë ndërkombëtarë, panaire me emër në Europë etj. Kini parasysh që shpallëm publikisht se do ta kthenim çmimin e stendave për botuesit aty ku ishte para se ta ngrinte në mënyrë arbitrare z. Petrit Ymeri me 40%, pra do të bëhej sërish 7000 lekë për m2. Tani, kur pas gati dy muajsh aplikimesh, takimesh, letrash e e-mailesh pa numërim, nuk ke kurrfarë reagimi pozitiv nga donatorë të mundshëm, i bie të hysh në një aventurë syllambyllazi. Atëherë thashë stop, dhe njoftova menjëherë anëtarët e ShLSh që ky panair nuk mund të bëhej.
Përse nuk ngacmon veshë publikë apo veshë të kamurish, ideja e një panairi më të mirë, më kulturor, më të drejtë, më dinjitoz për Tiranën?
Këtu vijmë te shpjegimet e ndërlikuara. Mendoj se në përgjithësi mungon besimi te një organizim i ri, i shëndetshëm kulturor për Shqipërinë. Këtë e vë re te partnerë ndërkombëtarë që i njoh shumë mirë, personalisht, prej vitesh. Nga Albania ka vetëm bad news: dhe do të vazhdojë një copë herë kështu. Si mund të krijohen këto stenda dinjitoze, ku libri kalon nga parimi i tezgës te parimi i ekspozimit? si mund të pengohen monopolet e krijuara tashmë që ta diktojnë ata organizimin e sipërfaqes? si mund të ftohen emra të mëdhenj nobelistësh në Tiranë etj. etj.? Them se kështu mendon donatori i mundshëm kur refuzon ose thjesht hesht pasi merr parashtrimet tona.
Një tjetër arsye që e kuptova me vonesë – dhe ky nuk është naivitet i pakët – është që s’duhet të ndahet Tirana në dy panaire. Sidomos tek të huajt përshtypja është tejet negative: përsëri përçarje, përsëri dyluftime dhe anarki. Një model gati qesharak e kemi me Prishtinën, ku më duket sa janë më shumë se dy, janë tre panaire në një stinë, në pranverë. Panairi i Librit të Tiranës është tanimë një institucion dhe është krejt i ri, nuk ka as 5 vjet që funksionon si i tillë. Është meritë e padiskutueshme e Fatmir Toçit dhe e Petrit Ymerit që e krijuan, të mirat ia kemi ndjerë ku më pak e ku më shumë të gjithë si botues. Largimi i zotit Toçi dhe involvimi i tij në politikë, divorci që bëri me zotin Ymeri, për mendimin tim ishte fatal. Ky i fundit doli që ishte pjesa agresive, e pangopur, cinike e organizimit, ndërkohë që i pari dallon për natyrën e butë të kompromisit, asnjëherëpërjashtuese. Zotëria pronar i “Diturisë” që thotë se është shoqatë botuesish (se sa ka Shoqatë pas vetes, mjafton të kujtojmë modelet politike të person-partive që marrin vulën dhe ikin me vrap dhe quhen LSI, PSD, AD, DDT e sa të duash), me shpejtësi të madhe, sapo që u largua nga organizimi i Panairit të Vjeshtës Toena konfliktzbutëse, na vuri ekranet gjigante në hyrje të panairit, ku shihnim mrekullitë e “Diturisë”, na ngopi veshët me qendrën e zërit që bënte reklamën e librave të tij dhe gjithë përçudnimet e tjera. Pa shiti sipërfaqe si e sa deshi dhe s’i dha llogari shtetit, pa rimbursoi qiranë e Pallatit të Kongreseve nga MTKRS e gjithë deformimet e tjera dhe nuk u ktheu një cent botuesve.
Përfundimi: Duhet ruajtur me çdo kusht Panairi i Vjeshtës, “Toena” dhe botues të tjerë të rëndësishëm duhet të gjejnë gjuhën e pajtimit, qoftë dhe me horrat; uzurpatorit i duhen vënë të gjitha ledhet që janë të mundshme ende në administratën tonë, paratë publike absolutisht nuk duhet të menaxhohen më prej tij.
Nuk e shikoni dështimin e Panairit të Pranverës si dështim tuajin personal?
Natyrisht që e shoh si të tillë. Më mungoi nuhatja dhe njohja e duhur e skenës së botuesve. Më mungoi talenti për të paqtuar njerëz me interesa tepër vetjake. Ndaj, duke nxjerrë pasojat, u paraqita miqve e kolegëve të ShLSh dorëheqjen time si kryetar. Në fund të fundit, le t’i shohim e pranojmë hapur kufijtë tanë njerëzorë: kam dashuri të madhe për gjuhën shqipe e për krijimin, kam dashuri kur bëj një libër timin dhe mendoj se nuk i bëj keq, por botimet i kam të pakta dhe me sa duket duhet të rri këtu. Nuk paskam patur aftësi të organizoj botues të librit shqip. Por, nëse do të arrij të korrigjoj bashkë me miqtë e ShLSh sadopak përçudnimet e panairit ekzistues të librit, – dhe Shoqata jonë natyrisht që ekziston e duhet ruajtur medoemos si organizëm kulturor – do ta bëj duke e ngritur përsëri zërin. Të paktën, jam i qetë që deri këtu, përveçse parave dhe kohës sime, nuk mora nga këto gjësende kaq të çmuara prej asnjë tjetri.
Pse duhej?
Shoqëria e Librit Shqip, e krijuar vitin e shkuar, shpalli në përfundim të Panairit “Tirana 2011” organizimin e një panair të pranverës, më 23-26 prill 2012, që korrespondon me Ditën Ndërkombëtare të Librit. Shoqëria mendoi për një panair të tillë sepse Tirana nuk e ka mjaft një panair të vetëm, se gjatë një viti njerëzit kanë shumë pak kontakt me librin për arsye se sistemi i librarive dhe i shpërndarjes së librit nuk arrin t’u përgjigjet siç duhet nevojave të shqiptarëve për lexime.
Shoqëria e Librit Shqip mendonte për një përfaqësim më të drejtpeshuar dhe më të sistemuar. Çmimet për stendat të ishin të përballueshme për një numër botuesish të mesëm e të vegjël, të cilët nuk mundë të përfaqësohen në panairin e vjeshtës. Panairi i pranverës ishte konceptuar si një ngjarje kulturore për kryeqytetin: Libri më parë se jetë mall është një produkt kulturor, ndaj në qendër të vëmendjes janë njerëzit e kulturës, personalitete të huaja të librit, shkrimtarë, historianë, autorë shqiptarë, me të cilët do të organizoheshin diskutime, lexime publike. Shoqëria ftoi të gjithë botuesit e librit shqip nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia duke parashikuar që të aplikonte një çmim rreth 40% më të ulët se ai që praktikohet sot.