Shkrimtari i drejtohet Gjykatës: Sekuestrojeni para se të merrni vendim.
Kërkon origjinalin e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”
Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, padit në Gjyk-atën e Tiranës Nexhmije Hoxhën, të venë e ish-diktatorit Enver Hoxha. Shkak për padinë është bërë dorëshkrimi origjinal i një prej veprave të shkrimtarit Kadare, romanit të mirënjohur “Dimri i vetmisë së madhe”. Referuar padisë, shkrimtari pretendon se dorëshkrimi origjinal i këtij libri mbahet në mënyrë të paligjshme nga e veja e diktatorit. Për ta nxjerrë dorëshkrimin nga arkivi i Nexhmije Hoxhës, shkrimtari Kadare i është drejtuar Gjykatës së Tiranës përmes një kërkesë-padie.
Lajmi i depozitimit të padisë, ku në rolin e paditësit është shkrimtari Kadare dhe në rolin e të paditurës është vejusha Hoxha, u bë i ditur nga burime zyrtare pranë Gjykatës së kryeqytetit. Çështja gjyqësore mban numrin 14897 dhe datën e djeshme si datë të regjistrimit. Në Gjykatën e Tiranës, padia do të shqyrtohet nga gjyqtari Bledar Abdullai. Ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë gjyqësore, kur do të bëhet përballja mes gjeniut të letrave shqipe, Ismail Kadare, dhe personazhit të shumëpërfolur të epokës komuniste në Shqipëri, vejushës së diktatorit Enver Hoxha.
DORESHKRIMI
Sipas padisë, “historia e dorëshkrimit” që pritet të marrë fund me një vendim gjykate, ka nisur në vitin 1971, kur nga Kadare është shkruar vepra “Dimri i vetmisë së madhe”. Dorëshkrimi origjinal i kësaj vepre i marrë asokohe shkrimtarit nga ana e Nexhmije Hoxhës, me qellim mbajtjen e tij në Arkivin e Komitetit Qendror. Po sipas padisë, pas këtij momenti, dorëshkrimi origjinal nuk ka rënë më në duart e krijuesit të tij, Kadare. Interesimi i shkrimtarit është shfaqur fill pas vitit 1990, kur Arkivi i Komitetit Qendror të PPSH kaloi tërësisht në Arkivin e Shtetit. Por, dorëshkrimi në fjalë nuk ekzistonte në Arkivin e Shtetit. Sipas përmbajtjes së padisë, gjatë viteve të fundit, shkrimtari Kadare ka negociuar përmes personave të tjerë me Nexhmije Hoxhën për kthimin e dorëshkrimit. Gjithmonë përgjigjja e zonjës Hoxha ka qenë negative. Madje, sipas padisë, në disa raste ajo ka pretenduar se ia ka kthyer shkrimtarit dorëshkrimin e kërkuar. Pamundësia për të bërë të vetin krijimin e tij në rrugë më të buta, ka detyruar shkrimtarin Kadare t’i drejtohet rrugës ligjore.
PADIA
Në kërkesë-padinë e tij e firmosur prej tij, të depozituar dje në Gjykatë, shkrimtari Kadare parashtron katër kërkesa para togave të zeza. Së pari, Kadare kërkon të rifitojë të drejtën e autorit mbi veprën artistike, dorëshkrimin origjinal, të shkruar prej tij plot 41 vjet më parë, në vitin 1971. Në vijim, ai kërkon që ky dorëshkrim të bëhet ligjërisht pronë e tij. Për t’i bërë ballë ndonjë të papriture të pakëndshme, shkrimtari i kërkon gjykatës sigurimin e padisë, sekuestrimin e këtij dorëshkrimi me urdhër të gjykatës me qëllim largimin e tij nga arkivi i Nexhmije Hoxhës. Veç sekuestrimit, Kadare kërkon që kopja e parë e veprës së tij “Dimri i vetmisë së madhe” të ruhet në një institucion i pavarur derisa gjykata të thotë fjalën e fundit. “Rifitimi i të drejtës së autorit mbi veprën artistike – dorëshkrim origjinal i librit “Dimri i vetmisë së madhe”. Rikthimi i dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i vetmisë së madhe” në posedim të z. Ismail Kadare. Marrja e masës së sigurimit të padisë duke urdhëruar inventarizimin dhe sekuestrimin e dorëshkrimit origjinal të veprës “Dimri i Vetmisë së Madhe”, mbajtur në mënyrë të paligjshme nga e paditura Nexhmije Hoxha dhe lënia përkohësisht në ruajtje pranë një institucioni të pavarur të përcaktuar nga gjykata deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes”, thuhej në objektin e kërkesë-padisë.
“Kam 15 vjet që i kërkoj pronën time”
Kadare: Bashkë me dorëshkrimin, ndodhen edhe shënime të miat nga të cilat mund të lindë një tjetër vepër
Shkrimtari: Nisa gjyqin se Nexhmije Hoxha refuzon të ma japë
Shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare, ka pohuar dje se çështja për të cilën ai ka bërë padi në Gjykatën e Tiranës ndaj Nexhmije Hoxhës, është një histori 15-vjeçare. Ai u shpreh se i është drejtuar Gjykatës si instanca më e lartë dhe e fundit, pasi ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të mësuar fatin e dorëshkrimit. “Unë kam kërkuar ligjërisht të drejtën time që dorëshkrimi i romanit ‘Dimri i vetmisë së madhe’ të më jepet ose mua si autori i veprës ose Arkivit të Shtetit”, tha dje Ismail Kadare.
Shkrimtari vuri në dukje se nuk ka asnjë kuptim që, duke mos pasur një akt dhurimi nga ana e tij, ky dorëshkrim origjinal të jetë në duart e një personi privat si Nexhmije Hoxha. Shkrimtari theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për dorëshkrimin e romanit tashmë të mirënjohur “Dimri i vetmisë së madhe”, por edhe për diçka tjetër më shumë se sa kaq. “Dorëshkrimi origjinal nuk përmban vetëm romanin që është botuar, por edhe shënime të miat të cilat mund të përbëjnë një bazë për një vepër tjetër”, theksoi Kadare, duke dhënë edhe një argument tjetër më shumë në lidhje me kërkesën që avokatët e tij kanë depozituar në Gjykatë. Shkrimtari tha se është interesuar për dorëshkrimin prej kohësh para se t’i drejtohej Gjykatës së Tiranës.
“Pasi kam kërkuar nga institucionet shtetërore dhe arkivat që ky dorëshkrim të më rikthehet, iu drejtova gjyqit si instanca e fundit për ta zgjidhur këtë çështje”, u shpreh shkrimtari Ismail Kadare. Ai shprehu shqetësimin e tij se dorëshkrimi në fjalë mund të jetë dëmtuar bazuar në ato që ai ka parë nga një fotokopje. “Para disa kohësh më ra në dorë një fotokopje e dorëshkrimit, i cili ishte dëmtuar dhe kjo ishte një arsye më shumë që të kërkoj që dorëshkrimi origjinal t’i jepet ose autorit të veprës, ose të ruhet në kushte optimale në Arkivin e Shtetit”, u shpreh shkrimtari. Kadare e ribotoi romanin në fjalë në maj të këtij viti, duke bërë një përafrim në variantin e parë të tij. Ribotimi i vitit 2012 është realizuar mbi një rishikim që Kadare i bëri veprës në fjalë në vitin 2008.
Kërkesa: Shkrimtari kërkon sigurim të padisë
“Me kërkesën e paditësit, gjykata lejon marrjen e masave për sigurimin e padisë, kur ka arsye të dyshohet se ekzekutimi i vendimit për të drejtat e paditësit do të bëhet i pamundur ose i vështirë”, thuhet në nenin 202 të ligjit Nr.8116, datë 29.3.1996, Kodi i Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë. Në rastin e padisë së Kadaresë, sigurimi i padisë është kërkuar, pasi gjatë gjykimit ekziston rreziku që dorëshkrimi mund të dëmtohet, apo në rastin me keq, të asgjësohet nga e paditura Nexhmije Hoxha.
Helena: Udhëheqja shfaqi kuriozitet për “Dimrin e vetmisë së madhe”
Romani “Dimri i Vetmisë së madhe” i Ismail Kadaresë u shkrua në vitin 1971 dhe, siç tregon në kujtimet e saj e shoqja e shkrimtarit, Helena, për këtë roman ishin të interesuar krerët më të lartë të shtetit, Ramiz Alia e vetë Enver Hoxha. Madje, pikërisht ky roman u bë shkas i vizitës së Ismail Kadaresë në shtëpinë e Enver Hoxhës. Diktatori dhe e shoqja donin të dinin me doemos se ç’po shkruante Kadare për prishjen me Bashkimin Sovjetik dhe mbledhjen e famshme të 81 partive komuniste. Romani do të botohej vetëm shtatë vite më vonë, por me emër të ndryshuar. Titulli mbeti vetëm “Dimri i Madh”. Në një shtet socialist nuk mund të kishte vetmi, pavarësisht se aso kohe kishte marrë fund dashuria mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.
Por duket se Kadareja me intuitën e tij të hollë e kishte parandier “vetminë e madhe” që do të na vinte. Kjo ishte arsyeja, jo vetëm e vonesës në botim, por edhe e censurimit të tij. Me titullin e tij origjinal, vepra mundi të botohet vetëm në vitin 2008 nga shtëpia botuese “Onufri”, pra 30 vjet më vonë. I pyetur mbi këtë roman, vetë Kadare do të shprehej në një intervistë se “Dimrin e vetmisë së madhe” e shkroi që “një herë e përgjithmonë të çlirohesha nga fjala ‘parti’”, që më pas askush të mos më thoshte: “Ku është ajo fjalë në veprën tënde?” Në çastet e ndalimit të librit ‘Përbindëshi’, kritikët dogmatikë shkruan se isha dekadent. Miqtë më këshilluan që të mendohesha për të shkruar diçka për partinë ose të hiqja dorë nga letërsia. Dhe, me të vërtetë, pas ndalimit të librit “Përbindëshi”, e kuptova se ishte e domosdoshme të shkruaja diçka mbi jetën politike të Shqipërisë.
Pra, ose duhej të largohesha nga letërsia, ose duhej t’i paguaja haraç diktaturës”. Megjithatë, vepra nuk do të pëlqehej përsëri. Kishte shumë zymtësi e trishtim në të, në një kohë që propaganda komuniste përpiqej të shpërndante një tjetër frymë. “Romani është bazuar mbi ngjarje reale, mbi një temë reale. Madje, edhe në vështrimin emocional, sepse cilido, duke më përfshirë edhe mua, është kundër shteteve të mëdha që mund ta thërrmojnë një vend të vogël. Prandaj edhe unë isha kundër Rusisë, e cila ishte një perandori e vërtetë, kurse Shqipëria ndodhej në pozicionin e vasalit. Pra, gjithçka ishte e natyrshme dhe nuk kishte asgjë që të më priste rrugën. Vetëm një gjë më pengonte, se Hoxha nuk ishte i sinqertë në tërë këtë ngjarje. Nga këndvështrimi historik është ai që kishte të drejtë, por për fat të keq, këtë e bëri për veten e tij dhe jo për interesin e këtij vendi të vogël, të Shqipërisë, apo për princip”, do të shprehej Kadare.
E drejta e autorit
“E drejta e autorit është e drejta ekskluzive e kopjimit të një vepre krijuese ose për të lejuar dikë të bëjë diçka të tillë. E drejta e autorit mbi një vepër lind automatikisht në momentin e krijimit të veprës origjinale ose të prejardhur. E drejta e autorit aplikohet te të gjitha veprat origjinale letrare, shkencore dhe artistike. Këto përfshijnë librat, muzikën, skulpturat, pikturat, fotografitë, filmat, programet radio-televizive, programet kompjuterike”, përkufizohet e drejta e autorit nga Zyra Shqiptare për të Drejtat e Autorit.