Prokuroria e Krimeve të Rënda do të pres sot katër zyrtarë për të dëshmuar lidhur me atentatin e pretenduar nga deputeti Tom Doshi, ku sipas së cilit ishte planifikuar gjashtë muaj më parë.
09:10 Berisha paraqitet në Prokurori, përshëndet me dy gishta
Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit për herë të para në organin e akuzës, për të dëshmuar për çështjen Doshi. Ai nuk e la mënjanë përshëndetjen me dy gishta, as gjatë hyrjes së tij në ambientet e Prokurorisë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka çuar ftesë ish-kryeministrit në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen.
Deputeti demokrat mori zyrtarisht fletë-thirrjen ditën e premte, ndërkohë që sot do të jetë edhe hera e parë e deputetit Berisha që do të shkelë në ambientet e organit të akuzës për të dëshmuar.
Berisha u bë pjesë e hetimit, pas deklaratës së tij në seancën plenare të 5 marsit, ku ai deklaroi në Kuvend se ishte në dijeni për atentatin e pretenduar tre muaj më parë, por nuk ka dashur të bëhet pjesë e çështjes.
09.03 - Këshilltarja Erla Mëhilli: Berisha do të vijë në Prokurori
Në orën 09.03 në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mbërriti Erla Mëhilli, këshilltarja për mediat e ish-kryeministrit e cila konfirmoi paraqitjen e zotit Berisha në organin e akuzës për të dhënë dëshminë.
Në 11.00 pritet dëshmia e deputetit Fufi
Në orën 11.00 sërish me ftesë të Prokurorisë, pritet edhe dëshmia e deputetit demokrat të Lezhës Mhill Fufi për të cilin deputeti i përjashtuar nga PS, Tom Doshi pretendon se ka qenë objektiv i atentatit të porositur nga Meta. Në reagimin e parë zyrtar mbi këtë çështje, Fufi tha se nuk kishte pasur asnjë informacion për planin e pretenduar nga Doshi.
Në 12.00 pritet përballja Frroku-Doshi
Në orën 12.00 pritet edhe përballja më e fortë, ballafaqimi i deputetit të larguar nga PS Tom Doshi dhe kolegut të Partisë Kristian-Demokrate, njëherësh mikut të tij, Mark Frroku.
Publikisht Doshi ka deklaruar se Mark Frroku ka qenë personi që i ka prezantuar Durim Bamin dhe e ka vënë në dijeni për atentatin ndaj tij, por kjo alibi është mohuar nga deputeti Mark Frroku i cili para hetuesve ka mohuar gjithçka.