Dosja Dokumentare “Migjeni”, ishte krijuar e plotësuar dora-dorës qysh nga koha e ish “Shtëpisë Muze Migjeni”, nën kujdesin e arkivistëve shkodranë, me kontributin e shquar të familjes Migjeni, konkretisht të tri motrave të tij, ku dallohej Ollga Nikolla dhe bashkëshorti i saj S. Luarasi. Një pjesë nga këto materiale ishin depozituar edhe në ish-Muzeun Ateist.
Në kohën e trazirave dhe privatizimeve, mbas vitit 1990, materialet e ndryshme filluan të fironin e humbitnin (e thënë sa më lehtë) dhe kështu dikush u kujdes që “Dosja Migjeni” të ruhej në M. H. Shkodër. Ky person është kaq modest, saqë nuk e pranon t’i përmendet emri, sepse justifikohet se ka kryer detyrën që do ta kryente çdo arkivist…
Vërehet se Dosja ka disa materiale dokumentare, të cilat nuk i kanë njohur, shfrytëzuar apo analizuar, as disa që mbahen si njohësit më të mirë të Migjenit! Kjo tregon se Dosja është plotësuar në kohë edhe nga shumë persona dashamirës. Por, ka edhe raste kur nuk kanë dashur t’i shfrytëzojnë për rrethana të ndryshme etj.,
Vetë Dosja që përbëhet nga disa dosje formate më të vogla, është nga ato tipat e kuqe të stërdemoduara të kohës së PPSH-së. Mirëmbajtja dhe në mjaft raste restaurimi i dokumenteve etj., lë shumë për të dëshiruar, disa dokumente janë në gjendje alarmi! Po ashtu edhe plotësimi i Dosjes, me pjesët e nxjerra dhe të skanuara e të printuara nga botimet origjinale të gazetave e revistave të kohës, duhej të ishte plotësuar, por sidoqoftë, “më mirë vonë se kurrë”! Hedhja në skanim në CD e të gjithë Dosjes, është një punë që kiameti, nuk do donte më shumë se dy-tri javë kohë, për të mos thënë se me pak sforcim bëhet edhe për dy-tri ditë! Kjo Dosje duhet të ishte bashkuar edhe me materiale dokumentare e dorëshkrimore të tjera që disponohen në Shkodër e Tiranë. E plotësuar kështu ajo duhet të ishte botuar për vitin jubilar të 100-vjetorit të lindjes. Botimin mundej ta bënte ndoshta vetë Muzeu me akordimin e ndonjë fondi, vetë Bashkia apo Universiteti i Shkodrës, pa shkuar aq larg e lart tek Akademia etj…
Tekefundit kështu bëhet edhe ekonomi tregu me turistët e huaj etj., CD-ja shitet me euro e jo badihava falas!
Rreth datëlindjes dhe mbiemrit gjenerik të saktë të Migjenit?
Biografi më i autorizuar dhe madje edhe i vetmi biograf i hollësishëm zyrtar, prof. S. Luarasi, jepte si datëlindje datën 30 shtator 1911, e cila me kalendarin e ri korrespondonte me 13 tetor 1911. S. Luarasi kishte shkruar e kritikuar më shumë me nja 15-20 copë rreshta, katër datat e ndryshme të botuara më parë, ndër disa botime, por nga ana tjetër, nuk i kishte analizuar shkaqet e këtyre luhatjeve dhe ndërrimeve, por ishte mbështetur te një “Libër Shtëpie” për ndërrimin e datëlindjes nga 1909 në 1911. (“Migjeni, VEPRA, Mbledhur dhe redaktuar nga S. Luarasi, bot. 1957, HYRJE, f 5-6)
Me të gjithë logjikën e justifikuar, datëlindja, datëvdekja e saktë dhe biografia e Migjenit etj., kanë qenë dhe mbeten një detyrim i familjarëve e trashëgimtarëve të Migjenit. Do thoshim se, nuk kanë qenë aspak normale disa kritizerizma dhe ankesa të S. L. ndaj të tjerëve për mungesën e datave dhe biografisë, kur këto ishin një zotim dhe ngarkim i bashkëshortes dhe i tiji, të cilin nuk e kishin plotësuar dhe e kishin vonuar! Vetë botimi i 1936-s, por edhe botimi i 1944, “me kujdesin e familjes” i poezive “Vargjet e Lira” nuk kishin asnjë lloj parathënie e biografie!
Trashëgimtarja Angjelina Ceka (Luarasi) në ribotimin e vitit 2002, vetëm ripërsërit se, data 13 tetor 1911 është datëlindja e saktë, duke pasur parasysh lëvizjen midis kalendarit të vjetër dhe të ri. (“Migjeni, Vepra”, bot. 2002, Jeta, f. VII)
Me ndihmën e disa materialeve të Dosjes, ndoshta ka vend për të hetuar ende në gjendjen civile Shkodër, por edhe në gjendjet civile të ish-Jugosllavisë në lidhje me të ashtuquajturin mbiemrin gjenerik “Dibrani” në Reka të Maqedonisë, për etninë e gjyshes malazeze Stanka Milaniç/Staka Milani etj. (shih fotoskanimin tonë të dokumenteve) Nuk na rezulton askund që Milloshi vetë dhe i ati Gjoko dhe ndonjë nga pjesëtarët e kësaj familjeje ta kenë përdorur mbiemrin gjenerik Dibrani të shkruar dhe të dokumentuar ndokund!
Në lidhje me çështjet e migjenologjisë të paplotësuara, që sapo ka shtruar dr. Moikom Zeqo.
Dr. M. Zeqo, një migjenolog i njohur në kohën e diktaturës, madje edhe si “dorë e fundit” bashkë me R. Uçin e I. Kadarenë; ish-drejtor i MHK edhe në Demokraci dhe me “zë në kapitull” ende sot, sapo ka shkruar artikullin më të fundit, “Migjeni më konceptuali i letrave shqipe”, 25 maj 2011. Dr Zeqo, ka shtruar aty në formë ankesash, një seri çështjesh e problemesh, ku disa qëndrojnë, disa duhen vështruar edhe pak më ndryshe dhe disa sipas mendimit tim nuk qëndrojnë etj. (Ai artikulli te KOHA JONE e N. Lesit, me sa duket e kishte ngrënë çairin e vet…)
Dr. Zeqo shkruan pikësëpari se, Migjeni është akoma i paplotësuar si tekstologji, nga një komision ekspertësh, sepse ka ca fjalë që janë shtuar e ca që janë hequr, dikund ndonjë frazë etj. Kjo është e vërtetë, dhe këtu edhe pse në dukje bëhet fjalë për një sasi fare të vogël, çështja është shumë e rëndësishme, sepse i jep një kthesë ndoshta edhe 180° interpretimit kritik të Migjenit! Po përse nuk është realizuar deri më sot, kush i hoqi e kush i shtoi, si ishin ato anëshkrimet, ato redaktimet e korrekturat gjuhësore?! Ju shokë të migjenologjisë, akoma nuk i keni mbledhur as ato që konsiderohen si dorëshkrime/manoskrite autentike të poezive e prozave të Migjenit; ju akoma nuk i keni mbledhur as ato që konsiderohen si daktilografime origjinale e si kopje, të cilat janë të hallakatura sa në Shkodër e sa në Tiranë dhe e gjetët ta ngrini sot këtë çështje?!
S. Luarasi, i ashtuquajturi si “Dekani i Migjenologjisë” nga ju z. Zeqo (E keni ju këtë tagër për dekanate e shkencë migjenologjike?!), ka pas akuzuar kryesisht Gj. Lukën, mbas dënimit të tij politik në qershor 1955, “për zhalavitje, gabime fjalësh tekstuale rreth 700 copë, për lidhje të Migjenit në Shtratin e Prokrustit”, etj., meqenëse nuk ia mbante të akuzonte e të shkapetej direkt me disa persona më të mëdhenj, ku disa gëzonin protektoratin e Enverit e disa të Mehmetit, apo Hysniut. Z. Petro Luarasi, në ortakëri bashkautorësie me Dashnor Kaloçin, filluar nga viti 2003 shtoi mjaft shpifje të tjera, në fondin e Luarasit plak me stilin me sharje, alibist e fantazist të Atit… Disa të tjerë kanë akuzuar “zhdanovistët”, disa “stalinistët”, deri madje edhe njëfarë “trockizmi”! Epo urdhëroni të ballafaqohemi dhe t’i peshojmë argumentimet e diskutimet.
Me montatura retrospektive e botime të oksigjenuara me “biroçin me kalë”, apo duke marrë rolin e mesit të artë, nuk zgjidhen këto çështje, z, Zeqo! Po përse nuk u diskutua kjo çështje në demokraci?! A ka shpenzuar tërë ato para Ministria e Kulturës në demokraci? Apo, pse ashtu na paska urdhëruar filan President e kryetar partie e filan Kryeministër, ministër i Brendshëm e sekretar Kryeministri?!
Urdhëroni të ballafaqohemi dhe të sqarohemi njëherë e mirë, një për një, me diskutime me kulturë e jo me denigrime e stile frymëzimesh me sharje (Siç e justifikon Naum Prifti!), jo me atentate letrare, politike e ideologjike, jo me redaksi të prokurorisë politike; jo me mbyllje goje me Partira të katapultuara, herë majtas e herë djathtas, sipas rrogës ku kullot!
Ja ku jemi përsëri O “Lala i Libofshës”, o historiograf me merita i vllaho-aromunëve! Ja ku jemi përsëri i nderuar Nasho Jorgaqi, mundesh të flasësh, ke qenë kryeredaktori i redaksisë në botimin e Migjenit në v. 1957! Nuk të duket se je pak si vonë për Dosjen e Shkodrës?! Ja ku jemi Z. A. Uçi, i estetikës, urdhëro të ta tregoj unë me dokumente se, “atë diellin alegorik”, Gjovalini e kishte interpretuar dy herë dhe e gjente si të çuditshme, por Enveri ia hoqi Mbinjeriun dhe la vetëm një hipotezë me BS të cilën për hir të vërtetës e kishte “eurekuar” aso kohe L. R…
Ç’na kishte pasë qenë vallë ajo gjâ aq e tmerrshme e misterioze e mikut CORVUS/alias Andre Stefi, që komunistët e Shkodrës nuk do t’ia falnin Migjenit për Trajtat e Mbinjeriut dhe ndërkaq e kishte gjetur strehën te legalistët në Korçë?! Ehëë…
Ruhen disa shënime të Gj. Lukës ku analizoheshin disa këndvështrime dhe praktikisht aleanca vepruese komuniste staliniste dhe nacional-socialiste hitleriane e musoliniste (Pakti Ribentrop-Molov etj), të cilat e kishin një kohë që e kishin “pjekur hallvën” edhe pse për opinion dhe për të qenë brenda me relativitet, flitej për “Frontin Popullor”. Në artikullin e nënvizuar të revistës TEMPO, “NOI SIAMO PER LA NUOVA EUROPA”, 31 gusht 1939, ndër të tjera, shkruhej: “Principet e Europës Wilsoniane janë në agoni… Europa e Versajës është në agoni. Europa e imperializmave borgjeze e konservatore, Europa e mitit të Paqes së Vazhdueshme… Europa e pasur dhe e vjetër, frekuentuesja amerikane e Montekarlos, është në vigjiljen e fundit. Lufta është te Porta. …
Futia/L’allineamento e BRSS me vendet e Aksit… shënon fillimin e një bote të re e vitale … fillimin e tre shteteve revolucionare si Italia, Gjermania e Rusia, tre shtete të lindura që të bëhen forcërisht (violentemente) kundra Europës kapitaliste; tre shtete antiborgjeze, sepse borgjezia plutokratike e ka mbyllur tashmë ciklin revolucionar…”
Ja gjuha e dakortësisë e “diplomacisë së fshehtë”, gjuha e “mutacioneve natyrale” sipas Musolinit, gjuha edhe e At Fishtës për gjenitë e Niçes, Hitler dhe Duçe! Ja se te cila Europë, e te cila “perspektivë europiane”, për prishjen dhe ristrukturimin e kufijve imperialistë kishte kombinuar me kohë Baba Stalini. (“Rreth çështjes nacionale në Jugosllavi”, 30 mars 1925; “Edhe një herë mbi çështjen nacionale”, 30 qershor 1925. Stalin, Vepra 7, bot. 1952, f 69-76; f 217-227; Z. L. B. akoma nuk ka kuptuar asgjë dhe kujton se ia kemi harruar atë episodin e vogël të rrëmbimit të çantës duke ia dërguar vrap Enverit…)
Kjo ka qenë edhe ajo pika ku S. Luarasi ishte përplasur me E. Koliqin dhe se, ky i fundit ia ktheu xhevapin e 1957-s dhe 1961–shit më 1974. Ia ktheu madje edhe me dy-tre parashikime-vizione realiste përgjigjen paradhënie edhe I. Kadaresë, sepse e njihte më mire se Ismaili, lidhjen e fshehtë dhe “thembrën e Akilit” të Enver Hoxhës! (Shih, E. Koliqi, “Migjeni dhe unë dhe S. Luarasi”, Shêjzat, Nr. 1-10, 1974, Romë, bot. Vepra 5, Prishtinë 2003, f 448-454; I. Kadare, “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, bot. 1991, f 43-44)
Këtë periudhë historike, ku para Polonisë, popullit, patriotëve e komunistëve polakë, e hëngri Shqipëria, e populli shqiptar edhe Organizata Komuniste e Shqipërisë me qendër në Shkodër. E thënë pak më me estetikë, Lufta e II-të Evropiano-Botërore filloi me okupacionin e Shqipërisë, para Polonisë. Këtë historia e famshme e realizmit socialist enverist e ka fshehur, por e ka fshehur edhe historia Berishiane!
Dikur shkrimtari Ll. Siliqi shkruante: “Krijimtaria e Migjenit pret akoma analizën e saj të thellë e të hollësishme shkencore, të mbështetur plotësisht në estetikën M-L, në mësimet e Partisë e të shokut Enver… Andrra ma e guximshme e Migjenit qe pikërisht një burrë që shkatërron dhe që ndërton sërish”. (“Migjeni, Vepra të Zgjedhura”, 1969, f 6-7)
Me fjalë të tjera ky ishte versioni i Burrit Mbinjeri Niçean i adoptuar për Enver Hoxhën. Babai im, Gjovalin Luka kishte shënuar me shkrimin e tij shënimin: Më 1969?! Pra akoma më 1969, në analizat kishte mangësi?!
Ç’ishte e vërteta botimi 1957 dhe ribotimi i 1961 nga S. Luarasi deri diku e kishin kënaqur E. Hoxhën, megjithëse më shumë ishte nginjur M. Shehu me ato “bragasha-maskat”, siç pastaj i pati dubluar pastaj më vonë vetë Ismail Kadareja e jo unë (“Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, bot. 1991, f 81) Por siç dihet situata rrëshqiste me shpejtësi, madje ndërronte edhe boshti ideologjik i planetit dhe Hoxha, si Klasik e si Halifi i M-L Oriental mbetej gjithmonë i pakënaqur…
Këndej edhe botimi i dr. Zeqos, “Migjeni, Vepra”, me bashkautorësi me R. Uçin, as shkrimi me Parathënie/Apokalipsi i I. Kadaresë, nuk mund të quhen “modelet e plota” të Migjenit, megjithëse Angjelinës ia ka qejfi ta definojë “si monumenti më i bukur”, dhe natyrisht pret ta lavdërojnë tashti ata se, ajo është fjala e fundit, megjithëse kishte harruar Petron e vockël… Dr. Zequa sapo ia bëri edhe një lavdëratë qysh pa filluar, porse nuk besoj se do ia bëjë I. Kadare!
Ju z. Ceka (Luarasi) nuk mundeni duke falsifikuar Parathënien e S. Luarasit të v. 1957 e të ribotimit të vitit 1961, ta konvertoni sot babanë tuaj me një futë, në një program të qendrës së djathtë barabar me demek me E. Koliqin. Jo, jo, jeni diametralisht kundër e gabim, e ashtuquajtura “qendra e djathtë” e N. Cekës e A. Imamit, madje djathtizmi i Berishës, nuk rreh nga Europa, por andej nga Xhedahu e Davutoglluja, e deklaron këtë me plot gojën Ismail Kadare, hape dhe lexoje. (“Mosmarrëveshja, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”, bot. 2010, f 29-35) Vitin tjetër krahas 100-vjetorit të Mëvetësisë do kemi edhe 20-vjetorin e anëtarësimit dhe integrimit në KVI, pa filluar të plotësojmë asnjë lloj nga pikat e Europës! I kemi xhiruar rrotat në vend, duke u marrë me arkapija tash dy dekada dhe madje breshka thotë a do ta mbyllni gojën ju, apo nuk po nisem aspak!. Nuk do ishte si shumë çudi që edhe gratë e disa udhëheqësve demokratë, madje ndoshta edhe vetë ministren e Integrimit Europian, t’i shohim nesër “me mbulesa të obliguara” si gruaja e Erdoganit, apo si kryetarka jonë në Arabi! Ne na rrofshin ligjet emancipuese dhe Dekreti i Zogut I… (Bot. 1954, f. 152
Zonja Angjelina, botimi i vitit 1961 e ka fare të pakundërshtueshme se, kush e kishte riquajtur Z. B. si “kushurina e Migjenit”. Mos u përpëlitni kot sa andej-këndej dhe mos akuzoni të tjerët, sepse ka qenë dora vetë Skënder Luarasi. Ja po jua botoj të fotoskanuar juve dhe vëllait tuaj, sepse nuk mbulohet dielli me shoshë! E kam përmendur edhe në TVSH këto ditë. (shih fotoskanimin)
Plotësimi i ndonjë konstatimi të Zeqos, si bie fjala pohimi i Dh. S. Shuteriqit se, Migjeni ka pasur botime (ende të panjohura) në dy organe në Rumani duhet të ishte verifikuar me kohë! (Dh. S. Shuteriqi, “Arti i Migjenit”, Përpjekja Shqiptare, dhjetor 1938, f 400)
Po aty, nga Shuteriqi me rastin e vdekjes së Migjenit, ishte botuar edhe poezia “Frymëzim i pafat” dhe dorëshkrimi i fundit, “Zeneli”. Dr. Zeqo nuk e kishte sjellë në vëmendje se censura e regjimit të Zogut I e kishte mbyllur e dënuar gazetën me shkresë zyrtare për 4 muaj dhe kjo ishte arsyeja e vonesës. Në Dosje zbulohet se Dh. Shuteriqi kishte bërë edhe një poezi në Francë dhe këtë e kishte vazhduar më vonë. Po aty kishte edhe një portret grafikë të P. Markos. (Shih fotoskanimin)
[Edhe ç’është më fatkeqja gjë, i biri i Zenel Islamit, Bedri Islami e ngatërron e përzien disi Zenelin edhe me Lulin e Vocërr dhe ndërkaq nuk ka fare dijeni se, Zenelin e kishte përmendur Gjovalini (Bot. 1954, f 125) por edhe se Dosja e Migjenit ka edhe disa kujtime të tjera…! B. Islami, romani, “Vrasja e Lulit të Vocërr”, bot. 2003]
Dr. Zeqo, megjithëse e përmend botimin e 1954, pa përmendur emrin e Gjovalin Lukës (?!, sepse me sa duket për inerci apo për solidaritete interesash ende e ka frikë…), ka harruar ta konstatojë se atë pohim të prof. Dh. S. Shuteriqit e ka edhe Gj. Luka, “flitet se Migjeni ka botue disa shkrime ma parë se të ktheheh n’atdhe në një të përkohëshme jugosllave dhe në të përkohëshmen Shqipëria e Re që botohej në Kostancë të Rumanisë”. (Bot. “Migjeni, Vepra, Mbledhë she shpjegue nga Gjovalin Luka, 1954, f 89, shën 1)
Pse nuk i kërkoi dhe nuk i kontrolloi z. Zeqo sa ishte drejtor i Muzeut Kombëtar, me gjithë mbesën e Migjenit, z. Angjelina, por ua ngarkojnë sot si detyrë të tjerëve?!
Dr. Zeqo, përmend vjershën “Një natë pa gjumë”, sipas botimit të vitit 1954 të Gj. Lukës (pa ia përmendur emrin!) dhe konstaton se fjala “cauchemares…” ishte vendosur korrekte nga GJL, mirëpo dr, Zeqo nuk bëzan fare për interpretimin shumë korrekt që i kishte bërë Gjovalini asaj poezie dhe se çfarë kritike i kishte bërë atij revista Nëntori, Nr, 5, 1954, sepse nuk e kishte ndryshuar-zëvendësuar fjalën “vetëm” me “larg”… Ishte urdhëruar të vendosej ajo fjalë sepse Migjeni na paska dashur që t’i kishte pranë shokët komunistë të Bashkimit Sovjetik të Stalinit… dhe Gj. Luka si kokëfortë nuk e vendosi…
Unë i kam botuar përgjigjen dhe shpjegimet e mia, por Zeqos nuk i kanë hyrë në sy! Na thirrni bëni ndonjë Simpozium, na jepni edhe ne mundësi të shprehemi dhe gjërat shkojnë në vendin e vet! Gjovalini ka shkruar për këtë vjershë edhe në pragun e vdekjes së tij dhe e dinte fort mirë se i kushtohej Afërdita Shahinit, por censura e kultit të individit ia hoqi më 1954! Në botimin e vitit 1954, Gjovalin Luka absolutisht nuk e ka pretenduar veten si redaktor, ai e cilëson: “Mbledhë dhe shpjegue”. Botimit të vitit 1954, nuk i caktuan as redaksi gjuhësore e as teknike, përkundrazi jo vetëm që e censuruan në 6 pjesë, por e mbushën me gabime edhe nga shtypshkronja me pëlqimin e kriminelit M. Shehu…
Dr. Zeqo shkruan për një lloj Diplome etj., të babait të Migjenit, mirëpo ndërsa e përdor si argumentin Nr. 1, për shqiptarësinë e kulluar të Gjergj Nikollës, “harron” se, aty nuk ka fare Gjergj Nikolla por një Gjiko Nokoliq, si përfaqësues i ortodoksëve shkodranë. Dhe si ky Gjoko Nikoliq, siç e kemi botuar me kohë kemi edhe Millosh Nikoliqi etj.
Nuk dëshiroj të zgjatem më tej. Në Vëll II, të librit, “Rreth të vërtetës për botimin Migjeni, Vepra, 1954”, do të shprehem hollësisht e në mënyrë të dokumentuar edhe mbi sulmet e denigrimet e padrejta, deri edhe me mëni patologjike, që u bënë ndaj Gjovalin Lukës, i cili e meriton një vlerësim si kontribut modest.
Dua t’ia kujtoj dr. Zeqos një lloj kumtimi në konfidencë që ma bëri në zyrën e tij, kur Presidenti Moisiu e pyeti në telefon në lidhje me personin e N. Spiros…
Kur disa persona të katapultuar, apo ndonjë parti oportuniste duan më parë të rregullojnë veten, baballarët dhe fare e fisin, ç’pret hair prej tyre, përveç ndonjë kockë, për ta lëpirë?