“Trashëgimia kulturore e Shqipërisë është në rrezik të zhduket në një botë të padukshme të koleksionistëve privatë”- kështu deklaroi drejtor i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore (QKIPK), Izet Duraku, në konferencën ndërkombëtare me temë: “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të objekteve kulturore në Europën Juglindore. Strategjitë për informimin, komunikimin dhe ndërgjegjësimin e opinionit publik”, që u organizua nga Zyra e UNESCO-s në Venecia; Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, me mbështetjen e Fondit të OKB-së në Shqipëri. Tregu i koleksionistëve privatë që kërkon vazhdimisht objekte të trashëgimisë kulturore nga vendet e origjinës sjell për pasojë edhe precedentin e grabitjeve dhe vjedhjeve të objekteve muzeale. Një vëmendje e veçantë në këtë konferencë iu kushtua sidomos vjedhjeve dhe trafikimit të pasurive kulturore në Shqipëri që, sipas përfaqësuesve të UNESCO-s, vjen nga mangësitë në masat e sigurisë në sitet arkeologjike që ruajnë vlera të mëdha të trashëgimisë sonë kulturore.
Shqipëria, sipas përfaqësuesve të UNESCO-s, rezultoi të ishte në një situatë kritike krahasuar me vendet e tjera të Europës Juglindore përsa i përket vjedhjes dhe trafikimit të objekteve të trashëgimisë kulturore. Edhe pse fenomeni i trafikimit të veprave të artit dhe kulturës nuk është problem vetëm i Shqipërisë, por një problem ndërkombëtar, vendi ynë nuk evidentohet si një vend destinacioni për veprat e artit, por më tepër si një vend origjine, me destinacion tregun e jashtëm. Historiku i vjedhjeve të pasurive kulturore në Shqipëri daton shumë më herët. Si rrjedhojë, trashëgimia kulturore shqiptare është ekspozuar edhe në muze të tjerë në botë, si në Paris e Londër, ku kemi një pjesë të objekteve të trashëgimisë sonë që janë grabitur që para Luftës së Parë Botërore. Moszbatimi i Ligjit “Për Trashëgiminë Kulturore” është një tjetër arsye e situatës kritike në Shqipëri.
Sipas ligjit, të gjitha objektet që dalin jashtë shtetit, qoftë për një afat të përcaktuar, qoftë përgjithmonë (shitje, dhurim, ndryshim vendbanimi etj.), duhet të regjistrohen në bazën e të dhënave për të marrë lejen përkatëse. Në rastin kur janë pronë private ato, sipas ligjit, duhet të kontrollohen nga Komisioni Shtetëror i Vlerësimit, i cili i sugjeron MTKRS-së lejimin ose moslejimin e lëvizjes së objekteve të trashëgimisë konform ligjit. Por shpesh herë ky ligj është i pazbatueshëm edhe nga vetë institucionet shtetërore, edhe pse ligji shqiptar i trashëgimisë kulturore parashikon edhe sanksione për lëvizjen e objekteve të pasurive kulturore me statusin trashëgimi kulturore. Një tjetër problem shqiptarë është edhe mosregjistrimi në katalogun e Qendrës së Inventarizimit të të gjithë pasurisë kulturore. Kryesisht këtu vihet gishti te koleksionistët privatë dhe institucionet fetare.
2 182 objekte të trashëgimisë rezultojnë të grabitura
Grabitjet më të mëdha në historinë e muzeve shqiptarë janë bërë në vitin 1991 dhe më 1997. Në këto vite janë shënuar dy raste flagrante të hapjes së dyerve të muzeve kryesorë të vendit, Butrinti dhe Apolonia. Sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore (QKIPK), Izet Duraku, nga vitit 1991 deri në vitin 2011 në këtë institucion janë regjistruar 2182 kartela objektesh muzeale të vjedhura, që janë kryesisht objekte etnografike, arkeologjike dhe vepra arti, por vetëm 243 prej tyre kanë foto dhe këto me një rezolucion shumë të dobët, çka e bën akoma më të vështirë gjetjen e tyre.
“Këtu nuk janë përfshirë objektet e disa institucioneve të artit që janë plaçkitur tërësisht, për të cilat Qendra e Inventarizimit nuk disponon asnjë informacion si: Muzeu në Bajram Curri, në Burrel, Galeria e Artit në Berat, Pogradec etj.” - u shpjegoi Duraku përfaqësuesve të UNESCO-s dhe të MTKRS-së. Pjesa dërrmuese, gjithsej 2117 objekte, janë vjedhur në vitet 1991-1997.
Rreth 170 objekte të grabitura në 5 vjet
Muzeu Arkeologjik i Tiranës është vjedhur tri herë që nga viti 1990 deri më 1994, ku rezultojnë 85 objekte arkeologjike, si unaza, varëse, byzylykë, togëza etj., të vjedhura. Por në listën e vjedhjeve të mëdha nuk mungon as Muzeu i Durrësit, që numëron 57 objekte arkeologjike të vjedhura në vitin 1991. Por vjedhja më e madhe është shënuar në vitin 1997, ku numërohen 82 objekte të grabitura. “Rekordin” e mban Instituti i Antropologjisë dhe Studimit të Veprave të Artit, ku raportohen 525 objekte të vjedhura të evidentuara nga inventarët e bërë një herë në 5 vjet.
Pas vitit 2000 janë raportuar rreth 170 objekte të vjedhura. Në Muzeun Etnografik të Vlorës në vitin 2006 u vodhën 8 objekte etnografike. Në vitin 2008 Drejtoria Rajonale e Gjirokastrës denoncoi vjedhjen e 18 ikonave në Kishën e Kryqit në Labovë. Një vit më pas Qendra e Studimeve Albanologjike (QSA) raportoi humbjen e 125 objekteve dhe këtë vit Muzeu Etnografik i Elbasanit denoncoi vjedhjen e 22 objekteve etnografike.
Nga 2 182 objekte të vjedhura, vetëm 8 janë riatdhesuar
Të gjitha këto objekte janë kataloguar në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit dhe skedat i janë dërguar Interpolit, edhe pse vetëm 243 janë të shoqëruara me foton përkatëse. Por shumë pak prej objekteve të vjedhura në vendin e origjinës, në Shqipëri, janë riatdhesuar. Historiku i objekteve të riatdhesuara në Shqipëri fillon në vitin 1991 me Dean e Butrintit (Apolloni), e cila u rikthye në vendin tonë nga qeveria italiane. Sot Dea gjendet e ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar. Në vitin 2005 kthehen nga Greqia në Muzeun e Butrintit kokat prej mermeri të Agribës, Herkulianës dhe koka e një fëmije.
Të tria skulpturat ishin vjedhur nga Muzeu i Butrintit gjatë bastisjes së ndodhur në vitin 1991. Portreti i Herkulianës dhe ai i fëmijës u gjetën në Muzeun Nacional Arkeologjik të Athinës, ndërsa ai i Agribës në Muzeun Arkeologjik të Janinës. Në janar të vitit 2008 në Athinë, pikërisht në Akropol, ministrit shqiptar i dorëzohet shtati i Artemisës dhe Apollonit, që kanë qenë të ekspozuara në Muzeun e Pireut në Greqi. Në vitin 2009 rikthehet në Shqipëri “Koka e Zeusit” Askelepios, një objekt me vlera unikale për arkeologjinë shqiptare, i grabitur në vitin 1991 nga Muzeu Kombëtar i Butrintit të Sarandë. Muzeu Arkeologjik i Butrintit duket më fatlumi në listën e objekteve të riatdhesuara, ku nga 11 objekte të vjedhura në harkun kohor 1991-1994, 8 prej tyre i janë kthyer shtetit shqiptar, ndërkohë që për 2 ka të dhëna që ndodhen në Greqi, por ende nuk dihet fati i 18 ikonave të vjedhura në vitin 2008 në Kishën e Kryqit në Labovë, por dhe shumë objekteve të tjera.
Ndërkohë që në faqen zyrtare të Interpolit janë të ekspozuara vetëm 12 objekte që rezultojnë të grabitura në Shqipëri. “Interpoli kërkon depozitimin pranë database-it të objekteve të artit të grabitura të të gjitha objekteve me rëndësi unikale për trashëgiminë kulturore shqiptare, të grabitura gjatë këtyre viteve. Ne si qendër po përgatitim gjithë informacionin e kërkuar nga Interpoli, konform standardeve bashkëkohore të dokumentimit për të plotësuar të gjitha kërkesat që nevojiten për identifikimin e një objekti”- konfirmon drejtori i QKIPK, Izet Duraku.
UNESCO: Butrinti dhe Apolonia më të rrezikuarat
Parku Kombëtar i Butrintit dhe ai i Apolonisë janë më të ekspozuarit nga rreziku i vjedhjeve dhe trafikimit të objekteve arkeologjike. Sipas drejtorit të sektorit të Kulturës në UNESCO, Anthony Krause, kërkohet vëmendje më e madhe nga ana e qeverisë për të shtuar masat e sigurisë në sitet arkeologjike që ruajnë vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore. “Mendoj se Shqipëria tani po bën përpjekje për të bërë punën e saj në parandalimin e trafikimit të këtyre objekteve. Ministria po punon, ligji dhe infrastruktura janë, por duhet më shumë vëmendje. Drejtoria e trashëgimisë tani ka bashkërenduar punën me disa muze në këtë drejtim dhe kjo është rruga që duhet të ndjekë, pasi është kohë kritike për Shqipërinë, ku shumë zona muzeale, veçanërisht Apolonia dhe Butrinti janë shumë të ekspozuara ndaj rrezikut të trafikimit. Është shumë e rëndësishme që të ketë një vëmendje më të madhe në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”- u shpreh drejtori i kulturës në UNESCO, Anthony Krause.