Trafiku i drogës nga ajri është bërë gjatë qeverisjes së PD-së. Faktet për këtë gjë do të bëhen sot publike në komisionin hetimor të ngritur nga mazhoranca. Burime nga ky komision bëjnë të ditur se të dhënat e paraqitur nga Shërbimi Informativ Ushtarak, SHIU si dhe të dhënat e zyrës mbikëqyrëse të aviacionit civil do të jenë pikat e mbështetjes së komisionit, për të dalë më pas dhe me një rezultat konkret. Ndërkohë që kryetarja e komisionit hetimor Ermonela Felaj, në një bashkëbisedim me gazetarët, nga selia e PS-së, tha se është mbledhur një material voluminoz, që do të tregojë shkallën e vërtetësisë për të gjitha akuzat publike të ngritura deri më sot. “Të dhënat janë të tilla, që sqarojnë qoftë gjendjen para 23 Qershorit, qoftë pas 23 Qershorit. Pra, nuk do të lërë asgjë pa sqaruar nga ato që janë thënë”, u shpreh Felaj. Ndërkohë, mbrëmë vonë, kryeministri Rama tha se sot në 11.30 Felaj do të paraqesë në komisionin hetimor të drogës, fakte që flasin për të gjithë.
Trafiku para 23 qershorit
Faktin se trafiku i lëndëve narkotike me avionë ka ekzistuar që në kohën kur ministër i Mbrojtjes ishte Arben Imami e ka deklaruar dy ditë më parë kryeministri Edi Rama. Ndërkohë burimet kanë bërë të ditur se dhe raportet e SHIU-t kanë nisur që në vitin 2012. Madje shtohet se në shumë zona janë përdorur repartet e monitorimit të detit për të pasur zona të lira të veprimit për narkotrafikantët. Ndërkohë që mësohet se janë gjetur fakte edhe nga komunikimi mes SHIU-t, ministrisë dhe SHISH-it. Për këtë mësohet se është marrë dëshmia e një ushtaraku, i cili ka rrëfyer se ka parë avionë të ulet në Gjadër në tetor të vitit 2012. Ndërsa më pas këtë ushtarak e kanë lëvizur nga reparti i tij. Por dëshmia është cilësuar e dyshimtë. Për këtë pikë deputetët e komisionit hetimor do të pajisen me dokumentet përkatëse të sigurisë, për të pasur më pas të drejtën e marrjes së të dhënave në SHISH. Por jo vetëm dokumentet shkresore, por dhe përgjimet që janë bërë në terren, si dhe zonat që janë evidentuar nga ekspertët si më të rrezikshme do të vendosen në raportin përfundimtar, i cili do t’i paraqitet prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Lidhur me këtë çështje Ermonela Felaj, kryetarja e komisionit të ngritur mbi bazën e akuzave të opozitës për përfshirjen e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës, tha se materialet volimunoze të siguruara nga institucionet, detyrojnë komisionin, i cili kishte dje afatin e tij të fundit, të marrë edhe një ditë kohë për të paraqitur rezultatet. “Brenda një kohë të arsyeshme institucionet na janë përgjigjur duke na vënë në dispozicion një material shumë voluminoz. Një material i cili do të na tregojë shkallën e vështirësisë të të gjitha akuzave të ngritur deri më sot. Ministria e Mbrojtjes dhe të gjitha strukturat e saj, SHISH-i, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Autoriteti i Aviacionit Civil, Albkontrol, doganat kanë dhënë informacione. Është material i gjerë, kërkon kohë për t’u analizuar, por gjetjet janë shumë interesante. Të dhënat sqarojnë gjendjen para 23 Qershorit dhe atë pas, do të shohim se cila është shkalla e vështirësi të akuzave që janë bërë deri më sot”, tha Felaj.
Edhe pse nuk dha detaje për mediat për faktet e siguruara, kryetarja e komisionit deklaroi se informacioni është kërkuar nga institucionet vetëm mbi akuzat për përfshirjen e ushtrisë. Ndërsa e pyetur nga gazetarët në lidhje me deklaratën e prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, se organi i akuzës ka siguruar prova për përfshirjen ushtarake në trafikun e drogës, Felaj tha se ky është një hetim i fshehtë për të cilin nuk ka të dhëna. Dy ditë më parë kryeministri Edi Rama zbuloi në Kuvend se komisioni hetimor parlamentar i drejtuar nga Ermonela Felaj ka mbledhur prova që tregojnë se trafiku i drogës me përdorimin e avionëve ka ndodhur me të vërtetë, por në kohën e Berishës. “Ju siguroj që në ditët në vijim do të sjellë para publikut, për herë ta parë prova konkrete që lidhen me këtë çështje. Presim dhe sigurisht pastaj komisioni hetimor do ia çojë prokurorisë. Prokuroria të shikojmë se çfarë do të bëjë”, - deklaroi kreu i Qeverisë. Dokumentet e konstatuara prej institucioneve si ministria e Brendshme dhe ajo e Mbrojtjes kanë detyruar marrjen e masave për izolimin e aerodromeve të vogla të cilat nuk mund të ruheshin prej ushtrisë.
Berisha: Fshesë në Ushtri për të fshehur trafiku e drogës
Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon shefin e qeverisë Edi Rama dhe ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli se po nxjerrin një seri ushtarakësh në lirim, për të fshehur sipas tij, gjurmët e përdorimit të bazave të ushtrisë për trafik droge. Nëpërmjet një komenti në rrjetin social “Facebook”, ish-kryeministri denoncon lirimin nga detyra të një koloneli të forcave ajrore, i cili sipas Berishës, ka deklaruar se në Gjadër janë ulur 5 herë avionë renegat narkotrafiku. “Me urdhër të Kryekomandar Edvinit, Ndrikulla Mrika dhe Gjeneral Trafiku vazhdojnë fshesën në ushtri.
Të dashur miq, Ndrikull Mrika dhe Gjeneral Trafiku, që u vërsulën të tërbuar kundër opozitës pas denoncimeve publike të saj, të cilat u provuan të vërteta, vazhdojnë fshesën në ushtri. Ata që mashtruan shqiptarët duke abuzuar me emrin e NATO-s dhe të partnerëve për të sulmuar opozitën, me urdhër të kryekomandar Ramës po nxjerrin një seri oficerësh në lirim, ndër të cilët edhe kolonelin e forcave ajrore S. Ç. Kjo sepse Kolonel S. Ç. deklaroi se në Gjadër janë ulur 5 herë avionë renegat narkotrafiku. Ata, në panik, po bëjnë çdo marrëzi për të fshehur gjurmët e përdorimit të bazave të Ushtrisë për trafik droge. Në këtë situatë të dashur miq ka vetëm një përgjigje: Rama IK!! IK!! IK!!”- shkruan Berisha.
Hetimet, Felaj: Ka gjetje interesante për trafikun
Zonja Felaj, çfarë keni parasysh kur thoni se ka të dhëna interesante? Paralelisht me Komisioni tuaj po heton edhe Prokuroria. Prokurori i Përgjithshëm, zoti Llalla ka deklaruar se ka fakte që ka përfshirje të infrastrukturës ushtarake në trafikun ndërkombëtar të drogës?
Natyrisht ne nuk e njohim hetimin e Prokurorisë, në kuptimin që dimë se Prokuroria ka filluar një hetim, por se çfarë përmban ai hetim ne nuk mund ta njohim. Për shkak se ky hetim duhet të mbetet i fshehtë deri në përfundim të tij ndaj publikut, kuptohet dhe ndaj Komisionit. Ajo çfarë nënkuptojmë kur themi, që nga informacioni i mbledhur deri tani ka gjetje interesante, i referohet faktit që bëhet fjalë për të dhënat të cilat nuk janë bërë asnjëherë publike deri më sot dhe që mund të ndahen me publikun. Nuk janë të asaj natyre, që janë sekrete, por deri më sot nuk është arritur në evidentimin e këtyre të dhënave.
Duke pasur parasysh deklaratën e kryeministrit dje në “Top Story”, janë të dhëna dhe flitet për para 23 qershorit për komisionin e drogës?
Dua t’ju them këtë gjë. Të dhënat janë të tilla që sqarojnë qoftë gjendjen para 23 qershorit, qoftë gjendjen pas 23 qershorit dhe do të shohim se cila është shkalla e vërtetësisë së këtyre akuzave që janë bërë publike deri më sot. Pra, nuk do të mbetet asgjë pa sqaruar në ato që janë thënë, për këtë ju siguroj. Kemi përgjigje për çfarëdo lloj pyetje.
Keni pasur rezistencë nga ndonjë institucion për të mos marrë informacion, gjatë hetimit tuaj?
Jo, të gjitha institucionet kanë qenë të gatshme për të na dhënë informacioni që iu është kërkuar, brenda kohës së arsyeshme. Natyrisht, për hir të respektit të institucioneve shtetërore, nuk kemi vendosur afate konkrete, ditë brenda së cilës ato duhet të na jepnin informacionin. Jemi mjaftuar të kuptohemi që ky informacion na duhej brenda një afati të arsyeshëm dhe besoj për të gjithë është i qartë se çfarë do të thotë afat i arsyeshëm. Çdo institucion i është përmbajtur këtij afati, sepse brenda dy javëve ne kemi mbledhur gjithë këtë informacion.