Tiranë, 2 Nëntor/ATSH/- Të gjitha institucionet publike tashmë do të kenë dosjen elektronike të punonjësve dhe regjistrin qendror të personelit.
Në një aktivitet të organizuar sot nga Departamenti i Administratës Publike u prezantua puna e bërë për reformën në administratë, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito së bashku me Përfaqësuesin e delegacionit të BE në Shqipëri Yngve Engstrom, Bernard Fitoussi Ambasadori francez, Raffaella Campanati, Sekretarja e parë e Ambasadës Italiane dhe Ramona Maldovan Drejtuesja e projektit të binjakëzimit.
Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito gjatë fjalës së saj shprehu rëndësinë e këtij projekti, duke e cilësuar si një nga prioritetet për të hapur negociatat e Shqipërisë me BE.
"Arsyeja se përse BE i kushton kaq vëmëndje kësaj reforme është fakti që është 1 nga 5 prioritet e hapjes së negociatave me BE. Që shteti shqiptar të funksionojë, duhet patjetër që administrata publike të qëndrojë mbi bazën e meritokracisë. Ishte shumë e vështirë që ç'rrënjosnim mentalitetin për mënyrën sesi punonjësit e administratës publike rekrutoheshin dhe pas kësaj, ngritën një sistem modern të shërbimit civil".
Më tej, ajo shtoi se aktualisht në sistem janë futur dosjet e punonjësve të ministrisë dhe më pas do të lidhen me gjëndjen civile dhe më pas me sigurimet shoqërore, pastaj me tatimet.
Nga ana e tij, përfaqësuesi i delegacionit të BE në Shqipëri Yngve Engstrom tha se "menaxhimi është shumë i rëndësishëm për punën e përditshme ndaj administratës i duhet të zjedhin njerëzit më të mirë për të bërë punën. Reforma në administratë është elementi kyç për hapjen e negociatave, për zhvillimin ekonomik të vendit". Sakaq, ai shtoi se nuk duhet të injorohet rëndësia e vlerësimit të punonjësve.
Ambasadori francez, Bernard Fitoussi gjatë fjalës se mbajtur , vlerësoi punën e administratës publike për reformën e aplikuar .
"Ky është një takim që vjen në një moment të mirë për të kujtuar konventën e të drejtave të njeriut. Të gjithë qytetarët kanë të drejta të barabarta, pasi të gjithë duhet të kenë vendin dhe dinjitetin e tyre, në atë ç'ka bëjnë më mirë.
"Të gjithë punonjësit kanë cilësi për të bërë një punë të caktuar, merita qëndron në faktin se secili duhet të jetë në vendin e tij. Administrata e Shqipërisë e ka zbatuar me përpikmëri këtë projekt, që në thelb ka reformimin", tha Ambasadori Francez.
Raffaella Campanati, Sekretarja e parë e Ambasadës Italiane mbështeti këtë nisme. Ajo tha se reforma e shërbimit civil është vendimtare për rrugën e Shqipërisë për në BE. Po ashtu, tha se Italia mbështet Shqipërinë në integrimin evropian.
Vetë drejtuesja e projektit, Ramona Maldovan tha se fillimisht reforma nisi me drejtuesit e nivelit të lartë dhe të mesëm për të vazhduar më tej.z.t/ /a.g/