Dosje kunder Shpetim Gjikes

Dosje kunder Shpetim Gjikes

Shpëtim Gjika i pandehur! Janë dy vendime të marsit dhe të korrikut të tre viteve më parë që kanë implikuar të parin e Vlorës, në atë që prokuroria e kualifikon si “falsifikim dokumentesh” i kryer më shumë se një herë. Organi i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka nisur për në gjykatën e Vlorës çështjen në ngarkim të kryebashkiakut, të vartëses së tij dhe të 6 personave të tjerë. Në një prononcim për ATSH-në, Gjika tha dje se "deklarata e sotme e Prokurorisë së Përgjithshme është absurde dhe absurditetin e saj, e shton edhe më tepër fakti që bëhet në një ditë pushimi, por jo pushim për Bashkinë e angazhuar me projektet e saj zhvilluese.

Çdo kush është i lirë të dyshojë, por dyshimi nuk kthehet në provë me thashetheme para dhe pas zgjedhore”, deklaron Gjika. Gjithsesi, thotë Kryebashkiaku, qëndrimi ynë më i detajuar lidhur me këtë deklaratë do të bëhet në ditët në vazhdim. Përplasja prokurori- bashki për ndërtimeve pa leje në Vlorë nisi gjatë verës, ndërsa Gjika jo pak herë kontestoi për veprimet e policisë në lidhje me shoqërimin e disa inspektorëve ndërtimorë. Shpëtim Gjika në media deklaroi se ai vetë nuk kishte dhënë leje, por firmat e ndërtimit kishin shkelur ligjin.

 Në të dy vendimet e fundmarsit dhe të meskorrikut të vitit 2010-të të Këshillit të Rregullim Territorit, Vlorë, ku Gjika ka hedhur firmën në cilësinë e kryetarit të këtij këshilli, hetimi ka ngritur pretendimin se dokumentet janë falsifikuar në bashkëpunim me punonjësen e drejtorisë së Planifikimit të Territorit pranë bashkisë.

 Zbulimi i këtyre shkeljeve erdhi nga një sërë denoncimesh që ishin kryer për muaj me radhë nga qytetarë të Vlorës, të cilët prekeshin drejt për drejt nga abuzimet. Policia e Vlorës, në bazë të denoncimeve pati ndërmarrë një operacion për shoqërimin e 9 inspektorëve ndërtimorë, ndërsa u paralajmërua një hetim i të gjithë përgjegjësve për ndërtimet e paligjshme në qytetin e Vlorës.

Hetimi

Në dosjen e Prokurorisë së Vlorës Gjika akuzohet për falsifikim të lejeve të ndërtimit të dy godinave, njëra në lagjen Pavarësia dhe tjetra në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Racat”. Lajmi u bë publik nga Florinda Ballauri, drejtore e kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, në një deklaratë për shtyp dje paradite. Të pandehur përveç kryetarit të Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, është dhe Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë bashkisë Vlorë, si dhe pronarë trualli ku janë kryer ndërtimet e paligjshme.

 "Pas një hetimi, të nisur në shkurt 2013, prokuroria e Vlorës arriti të provonte se i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim më të pandehurën Eleni Dardhaj falsifikuan përmbajtjen e dy procesverbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, përkatësisht të dates 24.03.2010 dhe 15.07.2010. Këto dokumente, të prodhuara nga dy të pandehurit, kanë në përmbajtje të tyre rrethana të rreme. Dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, në të vërtetë nuk janë shqyrtuar dhe nuk janë miratuar nga KRRTja e Bashkisë Vlorë."- thuhet në deklaratën e Florinda Ballaurit. Dosja “Gjika”

Dosja penale ndaj Shpëtim Gjikës dhe 7 personave të tjerë, u regjistrua nga Prokuroria e Vlorës në muajin shkurt. Hetimet nisen pas kallëzimit të disa banorëve për ndërtimin e dy pallateve, njërit brenda rrethimit të portit të Vlorës dhe tjetrit në afërsi të Teatrit “Petro Marko”. Më herët për këto dy objekte me vlerë 1.5 milion euro pati dhe një vendim sekuestro. Në hetimin disamujor, prokuroria provoi si u miratua leja e ndërtimit, mbi bazën e të cilës pronarët ngritën pallatet, njërin 13-katësh dhe tjetrin tetëkatësh. Fillimisht është ndërhyrë duke falsifikuar dy procesverbalet e dy mbledhjeve të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Vlorës. Bëhet fjale për procesverbalet e mbledhjeve të datës 24 mars dhe 15 korrik të 2010-s. Aty është shënuar se anëtarët e KRRT-së së Vlorës, përveç se kanë diskutuar për kërkesën e dy firmave private, kanë dhënë edhe miratimin për lejet e ndërtimit. Pas kësaj ndërhyrjeje, me firmën e Gjikës është lëshuar vendimi për lejen e ndërtimit, referuar dy mbledhjeve të mëparshme.

Për këtë u morën në pyetje anëtarët e këshillit, të cilët mohuan se në ato dy mbledhje ishte diskutuar apo miratuar lejet e ndërtimit. I pyetur për këtë çështje Gjika ka mbajtur qëndrim mohues për akuzat. Sipas kryetarit të Bashkisë nuk është shkelur ligji nga institucioni i tij, por nga firmat private dhe pronarët e tokës. Gjykata e Vlorës brenda dy javëve pritet të caktojë datën dhe orën e seancës së parë gjyqësore ndaj kryetarit Gjika, Eleni Dardhajt, Gëzim Fetës, Gentian Sherifajt, Blerdi Liçajt, Aleks Ahmetajt, Artan Ferratit dhe Mustafa Tartarit. Gjika: “Kallëzova 179 raste, prokuroria i ka në sirtar” “Vlora nuk është macja e zezë e ndërtimeve pa leje”. Kështu u transmetoi Shpëtim Gjika situatën e paligjshmërisë së ndërtimeve në qytetin e tij, disa javë më parë, ndërsa me dhjetëra objekte kallëzoheshin në prokurori se ishin pa leje. Gjika deklaroi se “Bashkia e Vlorës, me firmën time dhe me propozim të Inspektoratit të Bashkisë së Vlorës dhe të Policisë Bashkiake ka dorëzuar në Prokurorinë e Rrethit 185 kallëzime penale për ndërtimet pa leje. Është çuar vetëm një rast për shqyrtim në gjykatë, janë pushuar 5 çështje nga Prokuroria dhe 179 kallëzime penale janë në sirtarët e Prokurorisë.

 Të gjitha këto procedime që bën policia janë të mbuluara prej kohësh nga procedurat ligjore deri në kallëzim penal dhe në vendim për prishje nga ana e Inspektoratit. Pra sot, Policia e Shtetit nuk po bën gjë tjetër veçse po dublon punën e Bashkisë”.

Cilat janë ndërtimet e paligjshme

1-Kompleks banimi dhe shërbimi 13 kate me parkim nëntokë të ndërtuar në bulevardin qendror të Vlorës, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Rasat" në Skelë ku nuk lejohet ndërtimi. Pronarë të kompleksit që janë marrë si të pandehur janë Aleks Ahmetaj, Artan Ferrati dhe Mustafa Tartari, me subjekt ndërtues “Deco System sh.p.k”, me përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj. "Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm, ndodhet në bulevardin qendror Vlorë-Skelë, në afërsi të Teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Rasat”, Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet."- tha Ballauri.

 2- Godinë banimi dhe shërbimi 2-6 kate+papafingo, me një kat nëntokë, në lagjen “Pavarësia”, me pronar trualli të pandehurin Gëzim Feta e subjekt ndërtues “EN-BJO sh.p.k”, me përfaqësues ligjor të pandehurin Gentian Sherifaj. "Vendi për të cilin, sipas këtij dokumenti të rremë, është lejuar kryerja e ndërtimit të mësipërm ndodhet në lagjen “Pavarësia”, brenda territorit të Portit Detar Vlorë. Duhet theksuar se në këtë zonë nuk lejohet të ndërtohet."

Denoncimi i banorëve

 Si fillim kallëzimi u bë nga disa banorë dhe hetimi nisi për akuzën e ndërtimit të paligjshëm. Pas verifikimit të dokumentacionit në bashkinë e Vlorës, ka rezultuar se në këtë çështje ishte i implikuar dhe kryebashkiaku. Më pas u zbulua se rasti kishte të bënte dhe me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Rasti, në fjalë është zbardhur pas pyetjes së dhjetëra personave, duke filluar nga Shpëtim Gjika, pronarët e tokës ku ndërtoheshin pallatet, pronarët e kompanive “Deco sistem” dhe “Embio shpk”, si dhe kryetari disa prej anëtarëve të KKRT së Bashkisë së Vlorës. Sipas prokurorisë, prapa kësaj skeme qëndron një aferë korruptive, kundrejt së cilës është bërë dhe ndryshimi i destinacioneve për lejet dhe sheshet e ndërtimit. Ndërtesa 13-katëshe është ende në ndërtim e sipër. Aktualisht kemi të bëjmë me një ndërtesë karabina që ka shkuar në 5 kate

 Të pandehurit:

 1. Shpëtim Gjika, kryetar i Bashkisë Vlorë, akuzohet për "falsifikim i dokumenteve" të kryer në bashkëpunim, të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të Kodit Penal.

 2. Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, akuzohet për "Falsifikim të dokumenteve" të kryer dy herë, të parashikuar nga neni 186/3 dhe 25 të Kodit Penal.

 3. Mustafa Tartari, Artan Ferati, Aleks Ahmataj, tre pronarët e trembëdhjetëkatëshit akuzohen për “ndërtim të paligjshëm" të kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 199/a/1 e 25 të Kodit Penal.

 4. Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj “falsifikim i dokumenteve” dhe “ndërtimi i paligjshëm" të kryer në bashkëpunim të parashikuara nga neni 199/a/1 e 25 të Kodit Penal.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama