Dr. Flori ballafaqim i familjareve me mjeket

'Dr. Flori', ballafaqim i familjareve me mjeket

Policia do të rimarrë dëshmitë e familjarëve dhe mjekëve për vonesën e Urgjencës së Tiranës

 

Akuzat për mbërritjen në kohë ose jo të shërbimit shëndetësor për rastin e Dr. Florit kanë marrë një rrjedhë serioze për strukturat e Policisë dhe Prokurorisë së Tiranës, të cilat, këtë javë, pritet të përballin të dyja palët. Për t’i dhënë më tepër rëndësi së vërtetës, ekspertët do të ballafaqojnë infermierin 50-vjeçar me inicialet A.Sh, që hetohet në gjendje të lirë dhe shefin e tij Naim Lusha me Blerina Leçinin (Kondin), bashkëshorten e Floran Kondit, Alban Kondin, vëllain e tij dhe pastorin Fitor Muça, që e denoncoi vonesën në emisionin “Opinion”. Në mesin e akuzave të ndërsjella, ekspertët e Komisariatit nr. 2, që po merren me riplotësimin e dosjes, para se ta arkivojnë çështjen, presin të sqarojë deklarimet përkatëse, por kësaj radhe të shoqëruara me masat ligjore që parashikohen: Në rastin e mjekëve, “mosdhënia e ndihmës” që parashikon gjobë dhe në rastin më të keq dënohet deri në dy vite burg si dhe “dëshmia e rremë”, e cila dënohet me gjobë deri në dy vite burg. Deri më tani, në dispozicion të policisë janë dëshmitë paraprake të të gjithë të përfshirëve në këto akuza dhe ripyetja e tyre pritet të sqarojë gjithçka.

 

Versionet e palëve

 

Pastori Fitor Muça ishte personi i parë që në cilësinë e mikut të ngushtë të Dr. Florit, i autorizuar nga familja e tij, denoncoi në emisionin “Opinion”, problemin e vonesës së ndihmës mjekësore. Ai tha se kur Blerina kishte shkuar me djalin e vogël në krah, për të kërkuar ndihmë në urgjencë, duke e raportuar si një rast të alkoolizuar, mjekët i ishin përgjigjur se procedura standarde kërkon që më parë të lajmërohej policia, pasi këta persona paraqesin vështirësi në mjekim. Të njëjtin version kanë mbajtur Blerina dhe Albani. Ndërkaq, Policia e Tiranës ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin me inicialet A.SH., pasi gjatë hetimeve të kryera për vdekjen e shtetasit Floran Kondi, ka rezultuar se ky shtetas me detyrë infermier tek urgjenca e Tiranës, më datë 17 nëntor 2014, ora 09:30, në momentin që shtetasja Blerina Leçini e ka njoftuar për gjendjen e keqësuar të bashkëshortit të saj Floran Kondi, nuk ka marrë masat për të dërguar ambulancën bashkë me ekipin mjekësor për t’i dhënë ndihmë. Naim Lusha, shef i kësaj urgjence, është marrë në pyetje nga prokuroria. Prokuroria e Tiranës ka bërë këqyrjen e regjistrit të shërbimit të urgjencës dhe ka marrë në pyetje shefin e këtij shërbimi. Organi i akuzës pohon se është e nevojshme pyetja e bashkëshortes së Dr. Florit, por marrja e deklarimeve të saj është vendosur të bëhet në një kohë të përshtatshme.

 

Shkaku i vdekjes

 

Deri në këto momente, në dosjen e policisë, rezulton vetëm një version për vdekjen e Dr. Florit: Atak kardiak. Por shkaku i këtij ataku kardiak ende mbetet i pakonfirmuar zyrtarisht nga Mjekësia Ligjore, e cila ka vetëm një version paraprak, atë të testit fillestar, nga ku rezultoi se në trupin e këngëtarit ishin gjetur shenja kokaine. Për të arritur në një përfundim zyrtar duhen edhe të paktën 5 ditë, nga dalja e përgjigjeve të analizave toksikologjike, ndërsa ovderdoza mbetet si shkaku më i besueshëm, pasi të gjitha rrethanat të çojnë atje. Pastori Fitor Muça deklaroi se Dr. Flori prej kohësh ishte larguar nga rruga e drogës, ndërsa miku i tij i ngushtë, artisti Ermal Mamaqi, është shprehur se Dr. Flori prej një viti e gjysmë e kishte lënë drogën dhe kthimi tek ajo ishte aksidental. Mjekët argumentuan se kthimi te droga, me të njëjtën dozë, pas lënies për një kohë qoftë edhe dyjavore, shkakton direkt overdozë. Konsumimi i alkoolit, kur vetë bashkëshortja e raportoi si një rast të tillë dhe përzierja me drogë, gjithashtu përbën shkak për overdozë. Gjithsesi, do të duhen edhe pak ditë që Mjekësia Ligjore të thotë fjalën e saj të fundit, për të përcaktuar zyrtarisht shkakun e vdekjes së këngëtarit të mirënjohur, i cili sot mbush një javë nga ikja e tij e parakohshme.

 

Ballafaqimi

Këtë javë pritet që policia të ballafaqojë të dyja versionet për ngjarjen, atë të familjarëve dhe të shërbimeve mjekësore

Pretendimet

Të dyja palët pretendojnë se kanë të drejtë, pasi familjarët akuzojnë mjekët për vonesë e këta të fundit ua hedhin fajin procedurave standarde

Overdoza

Konsumimi i kokainës mbetet deri tani versioni paraprak, i shënuar në dosjet policore, ndonëse priten përgjigjet e Mjekësisë Ligjore


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama