Për rritjen profesionale të policisë, qeveria e re duket se shikon si rrugë të vetme arsimin e të gjithë efektivit, duke hedhur në një draft disa variante, me qëllim që në një të ardhme të shkurtër, të mos ketë asnjë punonjës policie pa arsim të lartë. Në këtë mënyrë, në një draft të veçantë kërkohet rikthimi i Akademisë 3-vjeçare të policisë, ose krijimi i një shkolle të lartë, duke zhdukur kursin disajavor. Gazeta “Shqip” ka siguruar materialin përkatës për reformën në arsimimin dhe kualifikimin e punonjësve të policisë, ku paraqitet edhe gjendja aktuale për këtë sistem. Pyetja më e madhe për specialistët, të cilët po tentojnë të krijojnë një model shembull për Policinë e Shtetit, ka të bëjë me dilemën nëse Akademia e Policisë duhet të jetë një universitet, apo kurs pasuniversitar për të gjithë ata që kanë mbaruar një shkollë të lartë. Ky material, tashmë i është dorëzuar ministrit të Brendshëm, i cili mund të jetë një ndër prioritetet e Ministrisë së Brendshme për policinë.
Situata aktuale
Sistemi që ka aktualisht Policia shqiptare është një sistem që presupozon përgatitjen e të rekrutuarve për patrulla policie, si dhe teston për gradë personat që i nënshtrohen këtij testimi. Specialistët e policisë mendojnë se sistemi ka shumë mangësi, sepse nuk përgatit punonjësit në nivelin e të gjitha njohurive që duhet të marrë oficeri i policisë në karrierë për të gjithë specialitetet. Sipas tyre, është e pamundur që një sistem i tillë të përgatisë oficerë të policisë gjyqësore për të ndjekur procedurat e hetimit të krimit, pasi nuk arrijnë të marrin njohuritë e nevojshme bazë, jo më ato të thelluara, siç po kërkohet specifikisht sot. Policimi është vënia në veprim e njohurive të oficerit ose të grupit të oficerëve si një bashkëveprim i shumë shkencave shoqërore dhe ekzakte me kulturë komunikimi dhe brenda kornizës ligjore. Nisur nga ky konstatim, grupet e punës për reformën në arsim mendojnë se nuk mundet një person me shkollë të mesme të arrijë të bëhet drejtues policie, qoftë edhe për një periudhë të gjatë kohe, nëse ai ose ajo nuk përfundon studimet e larta.
Reforma në arsim
Nisur nga këto kushte, është rekomanduar që arsimi policor duhet përshtatur në përputhje me nevojat që ka institucioni i policisë për realizimin e misionit të tij në ruajtjen e rendit dhe zbulimin e veprave penale. Numri i personelit, në rolin zbatues është afërsisht 80 për qind e numrit të përgjithshëm të policisë. Nga kjo rezulton se një vëmendje e madhe i duhet kushtuar këtij roli, nisur edhe nga fakti se punonjësit e policisë në këtë rol kanë kontakte të drejtpërdrejtë me publikun dhe realizojnë pjesën më të madhe të detyrave institucionale të policisë. Punonjësit e këtij roli ushtrojnë atribute me karakter ekzekutiv-administrativ dhe proceduralo-penal në rolin e agjentit të policisë gjyqësore. Njëkohësisht, rëndësi të madhe për policinë e shtetit ka edhe roli i mesëm ose niveli i parë drejtues, të cilët përgjithësisht, në kuadrin e atributeve me karakter proceduralo-penal, duhet të ushtrojnë edhe atributet e oficerit të policisë gjyqësore, ndërsa në ato me karakter ekzekutiv-administrativ, ushtrojnë atributet e drejtimit operacional dhe të veprimtarisë zbuluese-gjurmuese. Mangësitë e mëdha që vërehen në këtë drejtim në shërbimin policor dhe në rezultatet për zbulimin dhe hetimin e veprave penale, e shtrojnë si kërkesë urgjente formimin e këtij roli në Akademinë e Policisë.
Objektivat e kërkuara
Specialistët theksojnë se Akademia e Policisë duhet të realizojë disa objektiva, ku parësor është formimi me njohuritë dhe aftësitë për ushtrimin në përputhje me ligjin dhe në të mirë të publikut të atributeve të agjentit të policisë gjyqësore dhe patrullës së përgjithshme të policisë, të punonjësve të policisë. Një tjetër objektiv ka të bëjë me formimin për njohuritë dhe aftësitë për ushtrimin e atributeve të oficerit të policisë gjyqësore dhe specialistit të lartë të policisë. Një drejtim tjetër i Akademisë, si institucioni i vetëm i arsimit policor, mbetet organizimi dhe kryerja e kurseve të kualifikimit për gradë dhe kurseve të specializimit për fusha të veçanta të veprimit policor.
Dy nivele
Nga kjo analizë, rezulton se Akademia e Policisë duhet të formojë dy tipa ose nivele të punonjësve të policisë. Grupi i punës ka propozuar që një prej këtyre niveleve të jetë patrulla e përgjithshme dhe agjentë të policisë gjyqësore, ndërsa tjetri të jetë për specialistë të lartë të policisë dhe oficerë të policisë gjyqësore. Kjo dikton që Akademia e Policisë të ngrihet në nivelin e shkollës së lartë dhe të funksionojë në nivel zbatues dhe nivel drejtues.
Tri variantet
Për mirëfunksionimin e Akademisë së Policisë, specialistët e ndryshëm kanë propozuar tri variante. Në variantin e parë është propozuar që rekrutimi të bëhet, pasi konkurrentët të kenë përfunduar shkollën e lartë (bachelor), ku të preferuara të jenë degët Juridik, Ekonomik, Inxhinieri dhe Akademia e Sporteve. Ndërsa në variantin e dytë propozohet të krijohet shkolla e lartë e policisë, 3-vjeçare, për të nxjerrë oficerë policie të terrenit, e akredituar me program të nivelit bachelor. Për oficerët e terrenit është propozuar që për bazë të merret programi i Fakultetit Juridik. Kurse për variantin e tretë është propozuar të organizohet universiteti i shkencave të sigurisë dhe të funksionojë si institucion i lartë arsimor për formimin, kualifikimin dhe specializimin e të gjithë punonjësve të zbatimit të ligjit, qofshin këta në institucionet shtetërore ose në subjektet private.
Fitimi i gradës
Një tjetër pjesë e rëndësishme për arsimimin policor është konsideruar edhe ajo e trajnimeve të vazhdueshme për punonjësit e policisë. Sipas specialistëve, për ecjen në karrierë duhet të publikohen kreditet që duhet marrë me kurs e pa kurs. Pra, duhet të jenë të publikuara lëndët që do të përvetësohen për të bërë lëvizjen nga një gradë në tjetrën, me qëllim që çdo oficer të ketë dijeni dhe vazhdimisht të studiojë dhe trajnohet për të qenë i përgatitur për të fituar gradën dhe natyrisht edhe vendin sipas gradës. Po ashtu, kërkohet që Akademia e Policisë të marrë përsipër trajnimin dhe pajisjen me dokumente të të gjitha policive që veprojnë në vendin tonë, duke përfshirë edhe policinë private.
Kompetencat
Akademia e Policisë propozohet të marrë përsipër trajnimin dhe pajisjen me dokumente të të gjitha policive që veprojnë në vendin tonë