Drago nje jete e shkurter nje emer jetegjate

Drago, nje jete e shkurter, nje emer jetegjate
Drejtues i Shtëpisë "Naim Frashërit", redaktor i emrave të njohur të letërsisë shqipe dhe kritik origjinal. Drago Siliqi, një intelektual i rëndësishëm në kulturën shqiptare të viteve 40-60, humbi jetën në një aksident ajror në Siberi. Ishte 33-vjeç. Në verën e këtij viti, Drago Siliqi do të festonte 80 vjetorin e lindjes, por për fat të keq nuk e arriti këtë moshë të nderuar për së gjalli. Jeta e tij u ndërpre tragjikisht, kur sapo kishte mbushur 33 vjet, tamam në vërsën e Krishtit. Një koincidencë kjo, që në një farë mënyre sikur merr një kuptim simbolik.

Sigurisht, Dragua s'kish asnjë përngjasim për nga idetë dhe përmasat e figurës madhore të Krishtit. Por gjithsesi gjen tek ai një tipar që ta kujton atë, siç është dashuria e madhe që kish për njerëzit. Ishte kjo dashuri, që ka mbetur edhe sot e kësaj dite në kujtesën e bashkudhëtarëve të letërsisë dhe veçanërisht në atë të shokëve e miqve. Ai vjen para syve tanë, edhe pas afro gjysmë shekulli nga ikja pa kthim, ashtu siç ishte, me pamjen e tij të papërsëritshme, shtatlartë e fytyrëmbël, me ato tipare sa rinore aq dhe burrërore, me ata sy plot dritë sa të gjallë aq dhe meditativë, një njeri që rrezatonte mirësi dhe përzemërsi, bukuri shpirtërore dhe mençuri.

Por, në këtë përvjetor, nuk është vetëm kujtimi i imazhit të tij, që na zgjon nostalgji. Pas kujtimit qëndron personaliteti i Dragos, që përmbledh e përfaqëson emrin e tij të nderuar. Poet e kritik, përkthyes e publicist, editor e mbi të gjitha njeri me gërma të mëdha. Vlera këto që u përftuan dhe fituan qytetarinë brenda një harku kohor prej 15 vitesh. Vite përpjekjesh, lufte dhe pune, kohë përmbysjesh dhe transformimesh, në të cilat Dragua hodhi shtat fizik dhe shtat intelektual.

Ai erdhi nga rrugët e përgjakura të luftës, e nisi si korrier dhe partizan, plot ëndrra dhe këngë liridashëse në buzë, për të hedhur hapat e para në jetën letrare e gazetareske, si një nga nismëtarët e shtypit të fëmijëve, drejtues i gazetave "Trimi i vogël", dhe "Pionieri" dhe bashkëpunëtor aktiv i shtypit të rinisë. Një emër që tërhoqi vëmendjen e lexuesve me vjershat, skicat, tregimet e tij dhe fitoi respektin sidomos të brezit tonë. Është kjo koha kur unë e njoha Dragon, me të cilin më vonë u lidha me një miqësi jete. Koha kur akoma ishim gjimnazistë, por që Dragua, ndryshe nga ne të tjerët, edhe studionte edhe punonte.

Bile ai do të printe në ballë të brezit tonë letrar, duke treguar talent dhe pjekuri të parakohshme. Kësisoj ai jo rastësisht shkoi në Moskë dhe kryeu studimet e larta në Institutin "Gorki" dhe u kthye më pas midis nesh me një staturë tjetër, më të lartë e më të respektuar. Dhe qe fat për kulturën tonë që Dragua u vu në krye të së vetmes shtëpi botuese, që mbante emrin "Naim Frashëri". Them kështu, sepse ai e meritonte dhe e përligjte këtë detyrë me përgjegjësi, si një krijues me emër dhe si kuadër i përgatitur, me kulturë e horizont të gjerë, njohës i gjithanshëm i letërsisë dhe procesit letrar.

Për afro gjashtë vjet që drejtoi këtë institucion, Shtëpia Botuese "Naim Frashëri" shënoi një kthesë të admirueshme në punën e saj. Unë e të tjerë, që ishim në stafin e tij, qemë dëshmitarë të asaj atmosfere pune dhe besimi që u krijua, të klimës së bashkëpunimit dhe si pasojë të bumit të botimeve. Dhe kjo ndodhi në radhë të parë falë vlerave intelektuale dhe cilësive njerëzore dhe organizative të Dragos, të kurajës dhe taktit, të mirësisë dhe frymës së bashkëpunimit që zgjonte e nxiste ai. Si asnjëherë deri atëherë iu hapën dyert shkrimtarëve të të gjithë brezave nga A. Asllani e M. S. Gurra e deri te I. Kadare e D.

Agolli. Iu ngjall besimi dhe iu çmua puna ashtu siç e meritonin, mjeshtërve të përkthimit, si M. Kuteli, L. Poradeci, S. Caci e V. Kokona, etj. Letërsia botërore njohu një shpërthim të paparë, jo vetëm se u zgjerua harta e saj gjeografike, por u sollën në gjuhën shqipe vepra nga epokat dhe drejtimet kryesore letrare, veçanërisht ato të letërsisë bashkëkohore. Lexuesi shqiptar u njoh për herë të parë me krijimtarinë e Gollsuorthit, Drajzerit, Hemingueit, Eluarit, Remarkut e sa e sa të tjerëve. Gjithë kjo pasuri artistike mban vulën në radhë të parë të mendimit, formimit dhe guximit të Dragos.

Nga ana tjetër, shtëpia jonë botuese në këtë periudhë u kthye në një laborator të vërtetë të pasurimit dhe të përpunimit artistik të fjalës shqipe, vatër diskutimesh krijuese, përmes aktivizimit të bashkëpunëtorëve cilësorë, të nxitjes morale e materiale dhe besimit ndaj autorëve dhe përkthyesve. Ishte kjo një klimë e shëndetshme pune që krijoi vlera të shënuara e që zënë vend në bibliografinë e librit shqip të viteve 50-60 të shekullit të kaluar. S'ka dyshim se ideatori, projektuesi dhe drejtuesi i kësaj veprimtarie të hovshme botuese prapë ishte Dragua.

"Ai, - shkruante më vonë Mitrush Kuteli, - kish artin e madh të fitojë zemrën e bashkëpunëtorëve të tij, të ngrejë lart këtë zemër për të kryer detyrat, të zotërojë këtë zemër nëpërmjet asaj ndjenje të madhe dashurie. Dhe ai që vepron në këtë mënyrë mban çelësin e sekretit ... Dragua ynë ishte i dashur, Dragua ynë ishte i çiltër."

Nuk u tregua vetëm drejtues tepër i suksesshëm, por dhe profesionist. Ai ishte shëmbëlltyra e redaktorit serioz e kërkues, dashamirës e tepër i hapur. Dhe kjo, falë përgatitjes solide, koncepteve të qarta estetike, njohjes së laboratorit të artit, sensit të hollë të gjuhës, ndjeshmërisë së lartë artistike. Dragua dinte të punonte profesionalisht sa me poetët aq dhe me prozatorët, sa me përkthyesit aq dhe me studiuesit, gjithnjë kompetent dhe i mirëkuptueshëm.

Kam parasysh punën e imtë dhe durimin që tregonte kur kish të bënte me natyra të vështira, si L. Poradeci apo S. Luarasi. Më kujtohet inkurajimi dhe ndihma konkrete që i dha V. Kokonës për romanin "Me valët e jetës", që nuk ish pa probleme. Aq i lidhur e i kujdesshëm tregohej me autorët, sa romanin e P. Markos "Një emër në mes katër rrugëve", kur u nis për udhëtimin e fundit e mori me vete ta redaktonte. Po kështu punë serioze bëri me romanet "Kali i mbretit dhe kalorës të rinj" i Q. Buxhelit apo "Këneta" i F. Gjatës.

Ai do të merrej dhe me poezinë e I. Kadaresë, D. Agollit e F. Arapit. Në qoftë se me dy të parët gjeti mirëkuptim, me të tretin i ndodhi e kundërta. "Ishim përplasur disa herë, - kujton Fatosi, - por Dragua ish nga ata të pakët me të cilët përplasja ia vlente. Ishte i sinqertë dhe guximtar." Dragua ishte ndoshta i vetmi që kish fituar besimin e I. Kadaresë, aq sa ky i hapej për gjithë sa shkruante. Dihet tanimë që Dragua e inkurajoi dhe e ndihmoi të shkruante "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur", i dha idenë dhe i mbushi mendjen që ta kthente nga novelë në roman.

Edhe unë e kisha Dragon redaktor të librit tim të parë, novelës "Dashuria e Mimozës" dhe e provova ç'ishte në gjendje të bënte një redaktor si ai.Puna e editorit në Shtëpinë Botuese i dha emrit të Dragos një dimension të ri, ajo i shërbeu dhe e ushqeu talentin e tij si kritik letrar.

Kishte dëshmuar prej kohe se kishte brumin e një kritiku, por periudha e Shtëpisë Botuese shënoi një hap të madh drejt pjekurisë dhe konsolidimit të pozitës së tij në këtë fushë të vështirë e delikate. Dragua u afirmua si kritik me individualitet të vetin që dallonte nga të tjerët për nga problematika dhe formimi teoriko-estetik, për ndjeshmërinë dhe intuitën artistike. Akoma student i Institutit "Gorki", ai, me artikujt që botonte, sillte mendime dhe trajtime të reja për probleme kyçe të letërsisë shqipe të kohës.

Mbaj mend jehonën që bënë në qarqet tona letrare artikujt "Për unin tim dhe tëndin" apo "Shënime letrare" (1955), ku ngrinte me kurajë probleme delikate e komplekse mbi konfliktin në art, mbi lirikën dhe subjektivitetin, mbi traditën dhe epigonizmin, apo mbi kritikën dhe subjektivitetin.

Por mendimi dhe gjykimi letrar i Dragos njohu një stad pjekurie gjatë viteve përmbyllëse të jetës së tij.

Në këtë periudhë ai u bë një zë autoritar i kritikës sonë përmes një profili origjinal, nga gama e çështjeve që ngrinte, mënyra se si i trajtonte dhe nga argumentet që sillte e, ç'është më e rëndësishme, për analizat dhe sintezat serioze, të cilat dalloheshin për objektivitet shkencor, larg sloganeve dhe retorikës politike të ditës.

Ishte kjo një frymë guximtare në kohën tonë, e cila nuk kaloi pa u vënë re e pa u vlerësuar. Të tillë qenë artikujt e tij studimorë, si "Në kërkim të së resë", "Për një poezi lirike të thellë" apo "Mbi ndikimet dhe fytyrën personale", të cilët u mirëpritën dhe ngjallën interes të madh në mjediset letrare dhe artistike.

Edhe pse brenda kornizave ideopolitike të kohës, në themel të tyre shtrohej nevoja imperative për një frymëmarrje më të gjerë të letërsisë, ndjeheshin nota të një fryme liberale, sado të përmbajtur. Dragua sillte në një farë mënyre jehonën e erërave të reja që frynin në letërsinë e kontinentit.

Ai ishte për një letërsi novatore e moderne, për një fytyrë kombëtare, por të çliruar nga tradicionalizmi anakronik, për një mirëkuptim brezash letrarë, dhe për t'i hapur rrugën brezit të ri. Ai ngulte këmbë dhe e quante jetike për artin evidentimin dhe inkurajimin e individualiteteve krijues, larminë e tyre, pa të cilën s'ka art të vërtetë.

Ndaj dhe besimin dhe shpresat e tij në radhë të parë i kishte te brezi i ri i letrarëve që po vinte suksesshëm në kapërcyell të viteve 60. Dhe nuk ishte e rastit mbështetja e madhe që ai i dha krijimtarisë së Kadaresë, vlerësimi serioz që u bëri talenteve të shquara, si D. Agolli, F. Arapi, Dh. Qiriazi, V. Skënderi etj. Sigurisht në vështrimin kritik të Dragos përfshiheshin edhe veprat e brezave pararendës, si ato të P. Markos, Dh. Shuteriqit, F. Gjatës, Q. Buxhelit etj.

Është e rëndësishme të theksojmë se një nga shtyllat kryesore të mendimit të Dragos ishte hetimi, hulumtimi, evidentimi dhe studimi i proceseve e prirjeve të brendshme të letërsisë bashkëkohore, vështruar si në rrafshin e përmbajtjes dhe në atë të trajtës artistike. Duke nënvizuar karakterin kombëtar dhe frymën popullore të letërsisë, ai shtronte nevojën e thellimit të realizmit, të tipizimit e përgjithësimit artistik, të karaktereve dhe të motivimit psikologjik, të gjuhës shqipe me vlera emocionale dhe figurative. Të gjitha këto në luftë kundër skematizmit dhe uniformitetit, retorikës dhe deklaratizmit, rrafshimit të karaktereve, shmangies së konflikteve dhe mungesës së dramës, aq jetike për artin.

Një veçori e Dragos kritik ishte ndërtimi i raporteve të drejta me autorët, etika, dashamirësia dhe transparenca. Ai tregohej kërkues dhe i sinqertë, gjë që e dallonte nga kolegët e tjerë. Prandaj dhe ka mbetur e dashur dhe e nderuar figura e tij në kujtimet e bashkëkohësve.

Drago Siliqi kish debutuar në letërsi menjëherë pas çlirimit. Djalë i vjershëtorit B. Siliqi dhe nip i poetit të Rilindjes, R. Siliqi, ai ishte mëkuar dhe rritur në një mjedis ku lëvrohej poezia dhe ndjehej bukuria e fjalës shqipe. Kjo rrethanë fatlume përshpejtonte formimin e tij dhe bëri të shfaqej që herët në shtypin letrar përmes vjershash premtuese.

Në moshën 20 vjeçare botoi librin e parë, përmbledhjen poetike për fëmijë nën titullin "Zgjimi i pranverës" (1950), që u mirëprit nga lexuesit dhe kritika. Ishte një nga veprat që përuronin letërsinë e re shqipe për të vegjël. E pasur me motive dhe psikologji të moshës fëminore, me frymë gazmore, me një gjuhë të thjeshtë e varg të rrjedhshëm, ajo njohu disa botime deri në kohën tonë dhe vjershat më të mira kanë mbetur antologjike. Por Nuk u mjaftua vetëm me poezinë për fëmijë.

Te lirika qytetare e rinore ndjehej talenti, zotërimi i vargut, një patos i sinqertë djaloshar. Më tej, ai u hodh te poema, siç ishin dy vepërzat poetike "Brigadierja" dhe "Në prag të jetës", që shënuan sukses në krijimtarinë e tij. Nuk u ngut t'i përmblidhte vjershat në një vëllim të dytë, ndonëse kish kaluar ndërkaq një dekadë e tërë.

Ai ishte rritur si poet dhe intelektual dhe kish kërkesa ndaj vetes, ndaj, siç do të më thoshte, priste një kohë të përshtatshme për t'i ripunuar një pjesë e për t'i botuar sëbashku. Por ajo kohë nuk erdhi dhe kjo trashëgimi poetike doli në dritë e postume në vëllimet "Çdo ditë agimet zbardhëllojnë" dhe "Kur zemra flet". Po ndërkaq, brenda tij këndonte poezia dhe ne që punonim me të, ia ndjenim potencialin krijues që ai e shfaqte në raste e mënyra nga më të ndryshmet.

Ndaj dhe nuk më erdhi e papritur kur një ditë më tha se po shkruante një poemë, më foli për subjektin dhe ndau me mua disa shqetësime dhe probleme që i kishin dalë. Kjo vepër, të cilën ai e quante më të rëndësishmen, i kushtoi kohë dhe punë deri sa e kreu dhe ma dha për ta lexuar. Mbaj mend që e lexova me një frymë. Kish krijuar një poemë të bukur, të ndjerë. Një novelë në vargje, me temën e kurbetit, që ngërthente një nga dramat e së kaluarës, por vështruar e trajtuar nga një kënd origjinal e bashkëkohor.

E botuar nën titullin "Këngë e re për dashurinë e vjetër" (1960), (ku pata kënaqësinë, bashkë me R. Brahimin, të jem redaktor i saj) ajo u nderua me çmimin e parë në konkursin kombëtar të 15 vjetorit të Çlirimit. Mbaj mend që Dragua u gëzua fort dhe e përjetoi si një ngjarje të shënuar në krijimtarinë e tij, të cilën kish kohë që, duke u marrë me kritikë letrare, e kish spostuar në një farë mënyre.

U shkruan disa artikuj kritikë, nga D. Agolli, M. Gurakuqi, D. Shapllo etj, ku shpaloseshin vlerat e poemës, që nga fabula dhe situatat dramatike, trajtimi dhe hetimi psikologjik, individualizimi i personazheve, e deri te rrëfimi i shtruar e i besueshëm. Nga ana tjetër, kritika çmonte frymën e thellë lirike, bukurinë e figurave, gjuhën emocionale dhe thjeshtësinë poetike sugjestionuese. Por ai, sado që gëzohej për këtë arritje, mendonte për vepra të tjera dhe fakti është se pas kësaj, ai përgatitej të shkruante një poemë për Qemal Stafën dhe një cikël lirikash, që ishin fusha e tij e preferuar.

Ndërkohë, shqipëronte poemën "Mciri" të M. Lermontovit dhe poemën tjetër "Vasil Tjorkini" të poetit rus Tvardovski, si dhe përgatitëm sëbashku Antologjinë e poezisë ruse-sovjetike etj. Të gjitha këto në një kohë kur mbante mbi vete barrën e rëndë të drejtimit të Shtëpisë Botuese. Por ai nuk dinte të ankohej e t'i bënte hile kësaj detyre.

I kujtoj qartësisht si tani muajt e tij të parë të vitit 1963, kur përgatisnim disa nga veprat për t'i dërguar në shtyp dhe merreshim me një projekt afatgjatë të letërsisë së huaj. Dhe tamam në këtë kohë, kur po punonim një pasdreke në zyrën e tij, i erdhi një zarf me ftesën zyrtare për një varg vizitash pune në Kinë, Kore dhe Vietnam.

E kam parasysh fytyrën e tij pak të ngrysur dhe fjalët që më tha, pasi më zgjati letrën: "Prapë larg!" Ai s'kish shumë kohë që ishte kthyer nga Kuba dhe i duhej të nisej rishtazi për rrugë të largëta. Dhe vërtetë, pas disa ditësh u nis.

Një natë përpara u takuam si zakonisht dhe kuptova se s'kish kurrfarë entuziazmi. Kështu, të nesërmen ai fluturoi përsëri, kësaj here çuditërisht me një peng, sikur të kish një parandjenjë fatale.

Mua më mbeti në mendje kjo, aq më tepër kur udhëtimi i tij zgjati disa muaj dhe u zvarrit nga një vend në tjetrin. Këtë ma përforconin dhe letrat që dërgonte prej andej, i mërzitur, i lodhur, mezi priste të kthehej pranë familjes, shokëve, punës. Dhe sikur të vërtetohej parandjenja, ndodhi e pabesueshmja dhe e paimagjinueshmja. Në vend që të vinte ai, erdhi lajmi kobzi.

Dragua kish humbur jetën në një katastrofë ajrore nën qiellin siberian, në aeroportin e Irkuckut. Kish ndodhur ajo që vetë ai do ta kish parandjerë dhe kish shkruar këto dy vargje: "Ka zogj që tërë jetën fluturojnë / dhe vdesin duke fluturuar." Ishte kjo një bombë që tronditi mbarë opinionin publik shqiptar, veçanërisht shkrimtarët dhe artistët, intelektualët, lexuesit. Një vdekje e hidhur dhe e dhimbshme.

Vështirë të gjej një rast të ngjashëm, që të lëndonte zemrat e kaq njerëzve për një jetë që u ndërpre në mes tragjikisht dhe që kish fytyrën e Dragos. Janë të shumta shkrimet të botuara ato ditë, homazhe e kujtime, deri dhe vjersha nga personalitete të letërsisë e të kulturës sonë, të shkruara nga Sh. Musaraj, Dh Shuteriqi, Ll. Siliqi, B. Dedja, A. Cerga etj.

E kujtonin me respekt e dhimbje prekëse L. Poradeci, M. Kuteli, P. Marko etj. "Andrrat e tua Drago nuk kanë vorr!" shprehej në një elegji Ll. Siliqi. Kurse I. Kadareja botoi poezinë "Vjershë ndarje", ku në mes tjerash thoshte: "Ti kaq' e deshe këtë tokë / S'do mundesh të ecësh më në të / Je nisur të vish e s'ke të sosur / N'udhëtim na mbete përgjithnjë." Edhe A. Çaçi në një vjershë thoshte: "Poetët s'vdesin / Ata ndër vite mbesin / Nga jeta ata / As vdekja s'mund t'i ndajë."

Mitrush Kuteli gjithë gjëmën që ndodhi e përmblodhi në këto fjalë: "Pikëllimi na mbledh zemrën. S'dijmë ç'të përkujtojmë e ç'të qajmë më parë. Të rinë plot optimizëm, poetin zemërhapur, patriotin, luftëtarin, njeriun e dhembsur, të çiltër, të drejtë, të hovshëm. Përgjithnjë i mençur, çmonjësin e punës, të njeriut. Të gjitha këto i kishte Drago Siliqi." Petro Marko, momentin kur mori lajmin, e kujtoi kësisoj: "Mora një stol dhe dola në ballkon.

Më rridhnin lotët sikur isha fëmijë. Humba një shok e mik të dashur." Më vonë, kur erdhën hollësi nga ngjarja e largët, Petrua shkruan: "Në çantën e Dragos u gjetën dy palë këpucë të vogla për vajzat e tij të mitura dhe midis sendeve të tjera ishin shpërndarë nëpër aerodrom dhe faqet e romanit tim, të cilat i mblodhën të pranishmit dhe ia sollën familjes."

E pra, ky ishte Drago Siliqi, që u nda nga jeta në një moshë fort të re, po që mbeti në analet e viteve 40-60 të kulturës shqiptare. Një jetë e shkurtër, e ndërprerë dhimbshëm e dhunshëm, një nga shëmbëlltyrat e rralla të brezit të tij, që la pas gjurmë të një poeti e të një mendimtari, të një intelektuali të vërtetë. Dhe janë këto arsye që na motivojnë shpirtërisht dhe mendërisht që ta kujtojmë e nderojmë Dragon përjetësisht 33-vjeçar në 80 vjetorin e lindjes së tij.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama