Drama Gof (analize)


Edhe në këtë giini Anton Pashku është i veçantë: e mbindërton tekstin e dramës mbi konvencionet klasike (sidomos të tragjedisë) dhe me prirje të qartë drejt antidramës. Njësoj si tek proza, teksti i tij dramatik vështirë se mund të rrëfehet si lidhje fabulare brenda një shtrati kryesor. Më parë ai del si ide, si mendim i fuqishëm, si portretizim i gjallë i një dukurie, ngjarjeje, gjendjeje, nga ku përmes ironisë, analogjive dhe parabolave kohore sugjerohen realitete të tjera. Teksti i kësaj drame është ndoshta teksti me tensionin dhe ankthin më të madh dramatik në letërsinë tonë. Fjala është për kohën e pushtimit fashist (1939), që si datë përmendet vetëm në një rast, pa e përmendur as si fashizëm, as si pushtim, as si dhunë; pa shprehur fare as patetikë apo patriotizëm...
Drama ka dy pjesë (jo akte), dhe tri personazhe: Lulashi, Lulua, Lulani, të cilët mund të merren edhe si tri variante, tri perspektiva të një personi. Tekstin e shqipton vetëm Lulashi, duke e thyer shpesh monologun dhe ndërhyrjet e paramenduara të të tjerëve. Monologu, pra, është një kolazh tekstesh e dokumentesh të kohës, si: afishe, deklarata, urime, falenderime, kërcënime, reklama, që së bashku paraqesin një tërësi njerëzish, vlerash, antivlerash, ngjarjesh, ambiciesh, ëndërrimesh... Kështu krijohet përshtypja e një mjedisi shoqëror të përbërë, ku individi humb personalitetin, humb vetveten. I tillë është Lulashi, gjysmë i shpëtuar, gjysmë i humbur, i cili në zjarrmi e përgartje lëshon mendime të tilla që tingëllojnë si kritikat më rrënqethëse, ku ankthi e ironia shkallëzohen në sarkazëm. Të krijohet pamja e një shoqërie që identifikohet me një gjendje kaotike, me një tollovi të përgjithshme, me degjenerim moral, anarki mendimi, ndjenje, me zhdukjen e skajshme të vlerave, ku mbi të gjitha mbizotëron zëri i mashtrimit, i dhunës, e i hipokrizisë. Si sdo shkrimtar i madh, Anton Pashku e parandien dhe e paralajmëron përsëritjen e kësaj gjendjeje tragjike në shoqërinë shqiptare,të viteve tridhjetë, gjysmë shekulli më pas, ashtu siç e ka projektuar dhe në romanin "Oh".

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama