Drama Kurora e dhimbjes u shkrua per aktoren Tinka Kurti serish ne rolin e nenes

Drama 'Kurora e dhimbjes' u shkrua per aktoren Tinka Kurti, serish ne rolin e nenes

Drama “Kurora e dhimbjes” është premiera që pritet të vijë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Vepra që mban emrin e dramaturgut të njohur Fadil Kraja ka angazhuar këto kohë aktorë të njohur të skenës teatrore, mes tyre do të jetë në skenë për publikun dhe aktorja e shquar Tinka Kurti. Veprat që mbajnë emrin e dramaturgut Fadil Kraja, një prej emrave të njohur të dramës shqipe, janë të njohura për suksesin e tyre, vlerësime që kanë marrë brenda dhe jashtë kufijve shqiptarë, dhe këtë herë do të jetë sërish Teatri “Migjeni” i Shkodrës që do ta mirëpresë këtë dramë.  

 

Me regji të Bruno Shllakut, i cili do të jetë dhe në skenë me këtë vepër, në kastin e aktorëve veç aktores së njohur Tinka Kurti do të jenë dhe emra si Paskualina Gruda, Shpresa Garuci, Rajmonda Marko, etj. Drama ka tetë personazhe, dhe sipas dramaturgut Fadil Kraja kjo pjesë që pritet në vijë në skenë jo vetëm për 70-vjetorin e Çlirimit, por dhe për 65-vjetorin e Teatrit “Migjeni”, është shkruar për aktoren Tinka Kurti. Dramaturgu Kraja tregon se në këtë dramë aktorja e njohur vjen me rolin e nënës, emri i së cilës është Tina në vepër.

 

“Dramën “Kurora e dhimbjes” unë e kam shkruar këtë vit dhe ajo do të vihet në muajin nëntor në skenë jo vetëm në kuadër të 65-vjetorit të Teatrit “Migjeni”, por dhe për 70-vjetorin e Çlirimit. Për dramën “Kurora e dhimbjes” janë tetë personazhe, ajo vjen në skenë me regji të Bruno Shllakut dhe në rolin e nënës vjen aktorja Tinka Kurti. Dramën “Kurora e dhimbjes” e kam shkruar për aktoren Tinka Kurti ”, tregon dramaturgu i njohur shkodran Fadil Kraja. Premiera që vjen në skenë për publikun e Shkodrës, nëse do të krijohet mundësia vepra mund të jetë dhe në skenën e Tiranës.   Dramaturgu Fadil Kraja, i cili tregon se këtë vepër e ka shkruar për aktoren e njohur Tinka Kurti, pohon se me këtë premierë aktorja rikthehet në skenën e teatrit të Shkodrës pas gati 20 vitesh.  “Me këtë rol ajo rikthehet në skenën e Teatrit “Migjeni” prej gati 20 vitesh. Unë shpresoj që vepra të vijë dhe në skenën e Tiranës, por ne do të bashkëpunojmë me RTSH, që kjo vepër të jetë dhe një telefilm”, shprehet dramaturgu Fadil Kraja mbi dramën premierë, që do të interpretohet në skenë nga emra të njohur të teatrit nën regjinë e Bruno Shllakut.  

 

Pasoja e luftës së klasave në dramë 

 

I njohur dhe i vlerësuar në temat që ka trajtuar me veprat e tij, dramaturgu Fadil Kraja këtë herë sjell në vëmendje një tjetër histori me dramën “Kurora e dhimbjes”. Ai tregon se vepra flet për pasojat e luftës së klasave në Shqipëri, trajton një histori mjaft prekëse që e rikthen vëmendjen në vitet e diktaturës, dramën e asaj kohe. “Në qendër të veprës janë pasojat e luftës së klasave, kur u luftonin ato vite në diktaturë martesat mes dy shtresave, shtresa e partisë dhe ajo që quhej reaksionare. Është diçka prekëse, janë pasojat e luftës së klasave që i vuajmë edhe sot në shoqërinë tonë”, tregon dramaturgu  Fadil Kraja.

 

Në dramën “Kurora e dhimbjes” që në muajin nëntor pritet të jetë premierë në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ngjarjet vendosen në një qytet të Shqipërisë. Një person që sot është deputet takohet pas shumë vitesh me një grua që ai ia kishte dënuar të birin.   Në takimin e tij me gruan pas më shumë se 20 vitesh, merr vesh që ai ishte i biri i tij. Në kohën e diktaturës ai kishte qenë djali i një familjeje me prindërit komunistë, ndërsa gruaja, vajza që ai dikur kishte dashuruar kishte pasur dy xhaxhallarët e saj të arratisur.

 

Kjo kishte qenë dhe shkaku që ata të dy nuk arritën dot të ishin bashkë, një dashuri që nuk jetoi për shkak të pasojave të luftës së klasave në Shqipëri, por pasoja që vijnë dhe sot në dramë.  Ngjarjet në dramë tregojnë se gruaja nuk ishte martuar, por kishte rritur djalin. Gruaja sëmuret me kancer, por para vdekjes ajo vendos kurorën me atë që sot është deputet, djali që nuk arriti dot të martohej në vitet e diktaturës. Mbi 40 drama dhe komedi të shfaqura në të gjithë teatrot profesioniste të Shqipërisë si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diaspore mbajnë emrin e Fadil Krajës. Mes tyre përmendim "Fisheku në pajë", "Sinjalet e natës", "Shpartallimi", "Baca i Gjetajve", "Gjaku i Arbërit", "Djem të mbarë", "Çështja e Blertës", "Flamur në dasëm", "Rozafa", "Kur flasin zemrat", "Luani i shtëpisë", "Çështje familjare", por kontributi i tij njihte dhe në shumë drama për fëmijë, librete operash dhe operetash. Kontributi i tij është çmuar dhe është nderuar me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh".


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama