Familja Idrizi me banim në Belësh të Elbasanit vazhdon të vuajë pasojat e infektimit të vajzës së vogël me SIDA gjatë një transfuzioni gjaku në 2005-n, atëherë vetëm 8-muajshe. Gabimi mjekesor me vogelushen ka kaluar ne heshtje dhe pa ndeshkim, sic ka ndodhur rendom ne keto vite.
Ndërsa nëna do të dërgojë vajzën e vogël në kopsht, prindërit e tjerë janë frikësuar duke refuzuar që t'i lënë fëmijët me 5-vjeçaren në të njëjtin grup. Kjo ka bërë që prej fillimit të këtij viti shqetësimi të ngrihet disa herë nga prindërit, duke i kërkuar edukatores që të mos pranojë vajzën e vogël në të njëjtin grup me fëmijët e tyre.
Kjo situatë ka acaruar nënën e së miturës,por prindërit e fëmijëve të tjerë thonë se frika e tyre është reale, pasi ata janë të vegjël dhe mund të infektohen duke qenë se nuk kanë mundësi të kujdesen për veten.
Vogelushja (vajze binjake e familjes Idrizi) është infektuar me virusin HIV kur ishte vetëm 8-muajshe. Vajzat binjake kanë shkuar në spital pasi kanë qenë të sëmura me grip, por mjekët u kanë thënë se vogëlushet kanë nevojë për gjak e plazmë pasi janë anemike.
Gjyshi i 5-vjeçares, Agimi, thote per Shekullin se 'mjekët ia kanë helmuar mbesën vetëm se deshën të fitonin 5 mijë lekë të vjetra duke shitur gjak të pakontrolluar'.
Pas gjithë kësaj historie, familja Idrizi ka pritur reagim të strukturave përgjegjëse, por askush sipas tyre nuk është interesuar.
Për këtë rast është njoftuar edhe Drejtoria Arsimore dhe pritet një vendim mbi lejimin ose jo të fëmijës 5-vjeçare në kopsht bashkë me fëmijët e tjerë.
Nga : Gazeta Shekulli