DreamBox mania

DreamBox mania
E gjitha filloi me Star Trek Seriali fantastiko-shkencor ‘Star Trek: The Next Generation’ ishte hiti i viteve të 90’ta që transmetohej nga kanali televiziv Sky One. Gjatë sezonit 1993-1994, sezoni i shtatë i këtij seriali, ai transmetohej përmes satelitit. Në atë kohë, kompania Sky mbronte përmbajtjen e tyre përmes kodimit të sinjalit analog që transmetohej përmes satelitit.

Dekodimi bëhej me anë të marrësit analog që kishte edhe hyrjen për kartelat ‘SmartCard’. Kartela SmartCard ka në vetvete një mikrokontrollues, i cili përmban algoritmin special për dekodimin e sinjalit. Fansat hakerë të Star Trek-ut e kanë ‘thyer’ algoritmin dhe kanë krijuar kartelën e tyre për dekodim të quajtur Season7, që u quajt në bazë të sezonit aktual të TV serialit. Kartela përmbante një mikrokontrollues i cili kishte algoritmin e duhur për dekodimin e sinjalit. Mikrokontrolluesi përmbante procesorin, memorien dhe I/O portet me të cilat mund të vihet në punë diçka apo të kontrollohet gjendja e ndonjë pajisjeje (p.sh. ndezja e dritave dhe matja e temperaturës).

Kështu që kartela nuk ka pasur nevojë për shumë elektronikë që të punojë, sepse në fakt mikrokontrolluesi është një minikompjuter në vete. Mikrokontrolluesi Motorola Pic16c84 ishte më i njohuri për këtë punë. Ky mikrokontrollues ka vetëm 35 instruksione, punon në clock-un prej 10MHz, është 8 bitësh, ka 13 I/O porte me kontroll individual të drejtimit (hyrje apo dalje), Code protection (kodi mbrohet dhe nuk mund ta lexojë askush), EEPROM-in e integruar etj.

Hakerët në këtë kohë kanë bërë edhe një lloj dekodimi tjetër të sinjalit. Ata kanë ndërtuar një interface që futej brenda hyrjes së SmartCard të marrësit dhe që lidhej me PC-në përmes portit RS232 (porti serik). Pastaj, përmes programit special të pranishëm në PC, sinjali dekodohej. Të gjitha këto programe, instruksione etj., gjendeshin nëpër BBS-ët e asaj kohe.

Me kalimin e kohës, Sky bëri një kartelë të re dhe virtualisht të ‘pathyeshme’. Hakerët patën përgjigje edhe për këtë. Sinjali i koduar, ashtu si ishte, duhej të incizohej përmes VCR rekorderit (videove me kaseta) gjatë kohës së transmetimit. Ata që kishin kartelën origjinale të Sky përmes kompjuterit dhe interface special kanë bërë regjistrimin e kodeve të gjeneruara nga kartela SmartCard. Këto kode postoheshin në BBS. Pastaj, pas shkarkimit të këtyre kodeve, kaseta e incizuar lëshohej, lidhej përmes dekoderit dhe kompjuterit me interface për komunikim dhe bëhej simulimi i transmetimit ‘live’ të sinjalit dhe të kodeve nga kartela SmartCard dhe ‘voila’, sinjali zhbllokohej.  Serveri DreamBox dhe klienti në fakt bën të njëjtën gjë si në vitet ’90, kur njerëzit postonin kodet nëpër BBS, vetëm se serveri DreamBox këtë punë e bën në mënyrë automatike dhe në kohë reale (realtime). Sot kjo quhet ‘Card Sharing’. Dallimi tjetër është që në atë kohë njerëzit e bënin këtë ‘free’ dhe në ‘educational purpose only’ :), kurse tani një shërbim i tillë zakonisht duhet paguar çdo muaj,
 
Ç’është DreamBox?

DreamBox është një marrës satelitor i gjeneratës së re. DreamBox në fakt është një minikompjuter në të cilin përveç procesorit, RAM-it dhe Flash-it, janë të vendosur edhe kartela DVB për lidhjen me LNB-në e antenës pranuese satelitore, kartela grafike që mundëson paraqitjen e sinjalit në TV, kartela e zërit që mundëson transmetimin e zërit në përforcuesin e TV-së apo altoparlantëve, kartela e rrjetit me anë të së cilës ‘merren’ kodet e SmartCard origjinale nga serveri, porti RS232 i cili shërben për lidhjen e pajisjes me PC-në për raste të programimit (flashimit), porti hyrës për kartela SmartCard. Disa lloje kanë hyrjen për kartelat CompactFlash dhe disa kanë edhe vendin për lidhjen e hard diskut të brendshëm, tek i cili mund të incizoni filmat/programet e më vonë t’i shikoni përmes DreamBox-it apo t’i transferoni në PC-në tuaj. E gjithë kjo udhëhiqet nga softueri opensource i bazuar në SO Linux. Më të njohurit janë GP (the Gemini Project), PLi Images etj. Ç’është DreamBox Server? DreamBox Server është një kompjuter i cili ka të instaluar një version special të Linux dhe disa programe përcjellëse. Ky kompjuter duhet të ketë edhe një USB SmartCard Reader, në të cilin vendoset SmartCard kartela origjinale e ndonjë pakoje televizive satelitore apo kabllore (po mundet edhe kabllore :) ). Ky server është i lidhur në internet dhe përmes tij u ‘shpërndan’ kodet klientëve që kanë të drejtë lidhjeje në këtë server. Natyrisht, si çdo server tjetër, edhe ky server mund të lidhet me server tjetër dhe mund të shkëmbejnë kodet e kartelave SmartCard me njëri-tjetrin.

Ku na mbeti privatësia? Transmetimi tradicional analog (TV stacionet kombëtare dhe lokale) dhe transmetimi analog ose dixhital përmes satelitit bëhet në një drejtim (download nga ana e klientit) dhe pronarët e këtyre transmetimeve nuk kanë gjasa teorike të dinë se kush shikon çfarë. Kur është fjala për dekodimin e kanaleve përmes DreamBox, pronari i serverit e di saktë se çfarë dhe kur e shikojmë.

Kurrë më shumë se tani nuk ka pasur pirateri më të madhe të kanaleve televizive falë Internetit dhe DreamBox-it. Me siguri gjatë vitit humbin miliarda euro nga kjo lloj piraterie. Në anën tjetër, kur krahasohen çmimet marramendëse për shikimin e kanaleve kualitative televizive (përafërsisht 50eu në muaj) me atë që ofron shërbimi i DreamBox (5-10eu në muaj), njerëzit vazhdojnë ta bëjnë këtë lloj piraterie. Por nëse vazhdohet kështu dhe nëse numri i shikimeve ilegale rritet në masë të madhe, shtëpitë filmike, kompanitë e prodhimeve të përmbajtjes, aktorët, këngëtarët e të gjithët ata që janë në zinxhirë, do të marrin aq pak para, saqë do të mbeten pa punë dhe ne do të mbetemi pa programe televizive.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama