Opozita nisi protestën e saj kundër qeverisë me moton “Drejt Europës, jo Kolumbisë”. Protesta nisi nga selia blu për tju drejtuar më pas Kuvendit të Shqipërisë ku po zhvillohet seanca plenare e radhës.
Protestuesit mbajnë në duar pankarta me foton e kryeministrit Rama, të rrethuar me mushkonja. Betejes politike te opozites i jane bashkuar edhe te larguarit nga puna nga administrata pas ardhjes te se majtes ne pushtet dhe shoferet e furgovane 8+1.
Sipas PD-së, nuk ka një afat zyrtar kur do të përfundojë protesta, edhe pse policia i ka dhënë leje deri në orën 11:00.
Ndërkohë policia njoftoi për masat e marra.
Policia e Tiranës njofton se për shkak të zhvillimit të protestës do të bllokohet për më shumë se dy orë rruga “George Ë.Bush”. Sipas policisë rruga do qëndrojë e bllokuar nga ora 09:00 deri në orën 11:00.
Basha, letër votuesve në Tiranë: PD ka nevojë për ty
Letra e kryetarit të PD-së ka filluar të shpërndahet nëpër shtëpitë e Tiranës. Ai fton çdo votues potencial të PD-së për t’u bërë pjesë e kësaj force politike.“Po të shkruaj sot këtë letër për të vendosur sot mes nesh një komunikim të ri dhe të drejtpërdrejtë për çdo çështje që ka lidhje me vendin, me demokracinë, por edhe me ty dhe mua si bashkëqytetarë dhe bashkudhëtarë në rrugën e jetës”.
Me fillimin e procesit të përtëritjes së dokumentacionit të anëtarësisë në Tiranë, kryetari i opozitës, Lulzim Basha fton përmes një letre çdo votues potencial të PD-së për t’u bërë pjesë e kësaj force politike. Letra e kryetarit të PD-së ka filluar të shpërndahet nëpër shtëpitë e Tiranës, ndërsa në përmbajtjen e saj Basha tregohet konfident duke iu drejtuar atij apo asaj në numrin njëjës. “Dëshiroj dhe uroj me gjithë zemër që të jesh mirë me shëndet dhe të ndihesh plot shpresë dhe optimizëm për të ardhmen. Po të shkruaj sot këtë letër për të vendosur sot mes nesh një komunikim të ri dhe të drejtpërdrejtë për çdo çështje që ka lidhje me vendin, me demokracinë, por edhe me ty dhe mua si bashkëqytetarë dhe bashkudhëtarë në rrugën e jetës”, thuhet në fillim të letrës së Bashës. Në letrën e tij, kryetari i opozitës kujton se në degën e PD-së Tiranë ka filluar përtëritja e dokumentacionit të anëtarësisë dhe regjistrimi i anëtarëve të rinj. “Ky është një hap shumë i rëndësishëm për riorganizimin dhe modernizimin e PD-së për bashkimin dhe ribashkimin e kontributeve dhe vlerave të saj ndër vite, për përtëritjen, hapjen, ringritjen dhe nisjen e saj të re. Ky është gjithashtu një moment shumë i rëndësishëm për të ardhmen e demokracisë shqiptare, sot në udhëkryq”, – shkruan Basha.
Ai nënvizon se sa më e fortë dhe e madhe të jetë PD-ja, aq më i fuqishëm është opozitarizmi i saj. “Duke besuar se jemi në një mendje, të ftoj të bëhesh sot pjesë e PD-së si njeri i lirë, si atdhetar, si europianist, dhe si demokrat. Bëje hapin tënd dhe kontakto zyrën e PD-së në lagjen tënde dhe regjistrohu si anëtari më i ri i saj. Anëtarësohu online duke plotësuar formularin në faqen tonë www.pd.al/anëtarësohu. Nëse je anëtar, rinovo dokumentacionin pranë grupseksionit tënd”, - thuhet në letër. Basha nënvizoi domosdoshmërinë e mbështetjes për PD-në për t’i dhënë vendit një opozitë të fortë. “…Sot PD-ja ka nevojë për ty më shumë se asnjëherë tjetër. Për t’i dhënë jetë së bashku një shprese të re. Për ta bërë më të madhe dhe më të fortë shtëpinë tonë të lirisë. Për t’i dhënë krahë së bashku vizionit të demokracisë së re, të pjesëmarrjes dhe respektit për të gjithë. Ne po ringrihemi dhe do të jemi nesër më të fuqishëm, më të shumte në numër, më të rinj dhe më energjikë së kurrë. Kështu të gjithë bashkë do t’i japim vendit sot një opozitë politike popullore dhe më të fortë dhe do të bëjmë realitet nesër Shqipërinë moderne, të lirë dhe europiane. Të pres krahëhapur dhe përzemërsisht”, – përfundon letra.