Drejt kuzhines kesaj here ndryshe

Drejt kuzhines, kesaj here ndryshe
Gratë kanë zbuluar një mënyrë alternative për t’i bërë të gjitha. Ato po kthehen në shtëpi më të fuqishme se kurrë

Femrat

Teksa zhvillimet globale janë kaq të vrullshme dhe paraja është “drita” pas së cilës po rendin të gjithë, femrat kanë vendosur të luajnë kartën e tyre të vjetër dhe t’i kthehen kuzhinës, por kësaj here ndryshe.Prej vitesh femrat dhe lëvizjet e tyre aktiviste kanë luftuar me mjete nga më të shumtat për të marrë të drejtat e tyre dhe për të qenë të barabarta me meshkujt.

Ishte viti 1920 ai që u dha me ligj femrave të drejtën për të votuar në Amerikë, e që më pas i hapi rrugën për një seri të drejtash, që në shekullin e 21 emërtohen si “Të drejta universale të njeriut”, të njëjta për të dyja sekset.Përfshirja e femrave në punë, duket se e ndryshoi balancën e tregut të punës, u shtua fuqia punëtore, por përse jo edhe cilësia e shpejtësia e kryerjes së punës.

Pronarët e fabrikave dhe kompanive shpreheshin se ishin shumë të kënaqur nga puna që femrat me aq pastërti bënin. Me kalimin e kohës, femrat forcuan rolin e tyre në shoqëri dhe familje. Ato ishin pjesë e pandashme e evoluimit të jetës dhe mendimeve.Pozicionet e liderit nuk kanë munguar për gratë, të cilat e dyzuan jetën e tyre mes punës dhe shtëpisë. Të drejtat politike të femrës u zhvilluan deri në 30 përqindëshin e domosdoshëm të pjesëmarrjes së tyre në Parlament.

Por duket se bota e punës është një vend i ashpër për gruan, që është edukuar të jetë e brishtë, një nënë e mirë dhe një bashkëshorte e denjë. Për këtë arsye shumë femra kanë vendosur t’i kthehen shtëpisë dhe kuzhinës për të sjellë një tjetër risi në ekonominë botërore.Libri “Drejt shtëpisë” i autores Emili Maktar, i botuar së fundi në Amerikë, ka hapur debate të mëdha, pasi ka prekur temën më delikate pas së cilës fshihet një fenomen social gjithnjë e në rritje.

Shumë gra të moshës 30 dhe 40-vjeçare, të arsimuara, të martuara dhe të kompletuara, por të zhgënjyera nga puna, zgjedhin me vetëdije t’i kthehen shtëpisë dhe familjes.Kjo nuk është e gjitha, pasi ky nuk është një kthim i thjeshtë, por me përfitime të shumta ekonomike. Ato hapin biznesin e tyre në fusha të ndryshme, te të cilat e ndiejnë veten më të afta. Shumë prej femrave që kanë zgjedhur të heqin dorë nga puna, kanë shkruar libra gatimi apo kanë hapur kompani ëmbëlsirash, të tjera kanë vendosur që prodhimet e tyre artizanale t’i shesin online, duke krijuar kështu një biznes që funksionon më së miri.

Faqja e shitjes online të objekteve të zejtarisë “ETSY” është punëdhënësi më i madh i mamave artiste. Deri më tani rikthimi i grave drejt kuzhinës është konceptuar si kthim pas drejt asgjësë, por kjo duket se nuk është aspak e vërtetë, pasi personat që e kanë aplikuar këtë metodë shprehen se me veprimtarinë e tyre të re, ato jo vetëm që mbajnë shtëpinë, por arrijnë të paguajnë edhe shkollimin e fëmijëve të tyre.

Kritikët shprehen se kjo tërheqje e ngadaltë e grave nga skena e punës, nuk vjen si pasojë e mungesës së aftësisë së tyre, përkundrazi, ato janë të arsimuara mirë dhe shumë të përgatitura për t’u përballur me sfidat. Gratë kanë vendosur vullnetarisht t’i kthehen kuzhinës dhe artizanatit, si një mënyrë më e mirë për të fituar para pa u ndier të diskriminuara apo të shfrytëzuara.

Kështu qindra gra në Bruklin, të cilat ishin në kulmin e karrierës, kanë braktisur punën dhe i janë kthyer shtëpisë për të prodhuar shalle shumëngjyrëshe, që shiten shumë në internet dhe sjellin fitime të mëdha.Nga ana tjetër, edhe avokatet e studiove ligjore në Amerikë, të lodhura nga mbrojtja e kriminelëve, braktisën studiot ligjore dhe filluan gatimin e ëmbëlsirave me fruta tërësisht organike, të cilat si destinacion kanë festat e fëmijëve.

Nga të ardhurat e bizneseve të tyre të kateringut femrat po arrijnë të jetojnë shumë herë më mirë nga sa kishin jetuar duke qenë nëpunëse. “Faturat janë më të lehta dhe tarifat e shkollës së fëmijëve duken më të pranueshme”, shprehen gratë, që guxuan të provonin një tjetër mënyrë jetese, në fillim të rrezikshme, por më pas shumë të sigurt.Kjo nuk është një lëvizje feministe dhe nuk ka asnjë lidhje me konsolidimin e identitetit të grave shtëpiake, kjo është një mënyrë alternative e zhvillimit të biznesit të së ardhmes.

Duket se femrat po hapin me mendjen dhe punën e tyre rrugën e së ardhmes, ku ndoshta askujt nuk do t’i duhet të punojë më në mjedise të zhurmshme e aspak komode, por shumë thjesht ai mund ta kryejë të gjithë punën e tij nga shtëpia dhe të sigurojë të ardhura akoma më të mëdha.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama