Televizioni, Albanian Screen po shkon drejt mbylljes. Lajmi është njoftuar nga vetë punonjësit e kompanisë, shumica e të cilave kanë shkëputur marrëdhëniet e punës me televizionin. Punonjësit janë njoftuar në mënyrë individuale, se puna do të vijojë vetëm edhe për pak ditë, ndërsa po likuidohen për pagat e prapambetura. Drejtuesit e kompanisë nuk ishin të arritshëm për koment, ndërsa prej disa ditësh sinjali i Albanian Screen nuk po transmetohet më në Digitalb.
Albanian Screen (AS), sipas të dhënave të bilancit të vitit 2013, realizoi një qarkullim vjetor prej 323 milionë lekësh në vitin 2013 (rreth 2.3 milionë euro), me një rënie prej 33% në raport me një vit më parë. Sipas xhiros, Albanian Screen është televizioni i katërt më i madh në vend, pas Top Channel, Klan dhe Vizion Plus. Ndërsa në 2012 AS ishte i treti më i madh në vend, me një xhiro më të lartë se Vizion Plus. Ky është tekevizioni i parë i përmasave relativisht të mëdha që po mbyllet.
Për periudhën 2012-2013, tekevizioni ka rezultuar me një humbje prej rreth 30 milionë lekësh, përkatësisht për secilin viti.
Albanian Screen që pas vitit 2000 ku u themeluar pati një rritje të qëndrueshme duke fituar një audiencë të kënaqshme.
Tre vitet e fundit Albanian Screen e përforcoi audiencën edhe më shumë me një nga telenovelat me prestigjioze turke, “Sulejmani i Madhërishëm”
Para 5 vitesh kompania numëronte mbi 320 punonjës , por pas problemeve që ju krijuan me privatizimin e ARMOS-aksionerit të saj Rezart Taci , aktualisht janë të punësuar pak më shumë se 100 punonjës.
Sipas estraktit në QKR, Albanian Screen (ish Alsat) u themelua në vitin u regjistrua me 11 shtator të vitit 2000 si “TELEVIZIONI KOMBETAR SATELITOR SH.A.” nga fondacioni Velia. Në vitin e parë të aktivitetin ortaket atëherë ALSAT TV ishin: Fondacioni Velia me 40%, të aksioneve, Netëork Technology Consulting LLC 40% të aksioneve, Mira Meksi 10% të aksioneve dhe IiTC Trade Corp. 10% të aksioneve.
Në vitin 2010 biznesmeni Rezart Taci ka blerë aksione me vlerën e 180 milionë lekëve dhe njëherazi është bërë administrator i televizionit.
Sipas të dhënave në QKR Albanian Screen është në proces sekuestrosh nga disa shoqëri përmbarimore për detyrime ndaj të tretëve.
Në bilancin e vitit 2013 rezulton se vetëm detyrime për pagime sigurimesh shoqërore janë rreth 150 milionë lekë, apo gati 1 milion euro./Monitor