Drejtori i spitalit të Dibrës, Beqir Bici, në një prononcim për "Panorama Sport" deklaron se në spital kanë mbërritur 5 pacientë dibranë, të cilët pasi kanë marrë mjekimin e rastit janë larguar. Sakaq, Bici deklaroi se nuk ka pasur asnjë futbollist të dëmtuar të ekipit të Kastriotit apo të tifozëve krutanë.
"Në spital janë paraqitur 5 pacientë dibranë. Dy me plagë të lehta në kokë, të cilët më pas janë larguar. Nuk na rezulton që të ketë ardhur një futbollist i dëmtuar i ekipit të Kastriotit apo të dëmtuar krutanë".
Fundi i ndeshjes Korabi-Kastrioti, e vlefshme për javën e 26-të të Kategorisë së Parë (Grupi A), u mbyll me fitoren minimale për skuadrës vendëse 1-0. Në përfundim të ndeshjes situata degjeneroi në akte dhune ku tifozë kanë dhunuar futbollistët e Kastriotit.
FNSH ka ndihmuar të nxjerrë nga stadiumi skuadrën e Kastriotit pas një ore e gjysmë ngujimi brenda. Vendësit pretendojnë se nga pamjet kanë nisur të provokojnë në kor edhe tifozët e Kastriotit. Pas dhunës së ushtruar ndaj lojtarëve të ekipit krutan, uniformat blu nuk kanë arritur t'i ndalojnë civilët vendës që gjuanin barbarisht ndaj lojtarëve miq.
Është dashur ndërhyrja e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kanë marrë përsipër menaxhimin e situatës. Në hyrjen e dhomave të zhveshjes, tifozët dibranë kanë goditur me çadra dhe sende të tjera të forta lojtarë dhe pjesëtarë të stafit teknik të Kastriotit.
Këta të fundit e kanë pasur të pamundur për shumë minuta për të dalë nga dhomat e zhveshjes. Golin e vetëm për Korabin, që vlen për katapultimin në Kategorinë Superiore për sezonin e ardhshëm, e realizoi Guri në minutën e 69-të. Ky trepikësh i ngjiti në krye dibranët në klasifikim, por me pikë të barabarta (59) me Kastriotin ndjekës.