Drejtoria e Doganave ka penalizuar një kompani, e cila ka bërë një shkelje të rëndë në akciza, pasi që ka shmangur detyrimet. Siç bën të ditur zyra për shtyp e doganave, strukturat e Departamentit të Akcizës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në bashkëpunim me Degën e Doganës Fier, gjatë kontrollit në magazinën fiskale të subjektit “TRADING PETROL & DRILLING” zbuluan një sërë shkeljesh të Ligjit 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” si dhe të VKM 612, datë 05.09.2012 për dispozitat zbatuese të këtij ligji, të cilat klasifikohen “kondravajtie administrative”.
Për shmangien në detyrime subjekti është penalizuar me një shumë të konsiderueshme parash.
“Për diferencat e konstatuara midis deklarimit dhe mallit fakt (lëndë djegëse solar dhe bitum) rezultoi se subjekti “TRADING PETROL & DRILLING” ka shmangur detyrimin e akcizës në shumën 28.317.719 Lekë. Për këtë shmangie subjekti është penalizuar në Shumën 57.788.868 lekë. Në total 86.106.587 leke”.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton se po vazhdon kontrollet për mallrat e akcizës në të gjithë vendin. Ajo u bën thirrje prodhuesve, importuesve, depozituesve, transportueseve, tregtuesve të mallrave të akcizës të zbatojnë me rigorozitet kërkesat e Ligjit 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” si dhe dispozitave zbatuese të tij.