Mbledhja e tanishme e Këshillit u hap me një minutë heshtje për të nderuar profesor doktor Fadil Rakën, anëtar i Këshillit dhe kryetar i grupit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës për drejtshkrimin, i cili u nda nga jeta para pak javësh.
Tema e diskutimeve në mbledhjen e tanishme të Këshillit ishte Drejtshkrimi i zanores ë të patheksuar në shqipen standarde. Sipas Rregullores së Këshillit, ishin hartuar më parë dy parashtresa lidhur me çështjet problemore të drejtshkrimit të kësaj zanoreje, që shërbyen si bazë e material referimi për diskutimet e anëtarëve të Këshillit. Diskutimet u përqendruan në disa raste konkrete të drejtshkrimit të kësaj zanoreje në pozicion paratheksor e pastheksor, u dhanë mendime e u bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e sotëm të kësaj zanoreje, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për mënjanimin a pakësimin e mundshëm e të dobishëm të përjashtimeve, për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të shkrimit të ë-së së patheksuar në pozicion paratheksor a pastheksor në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj.
Diskutimet qenë të hapëta, me argumente shkencore dhe me frymë bashkëpunuese për t’i shërbyer gjuhës sonë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje më të mira që lehtësojnë zotërimin e përdorimin e drejtë të saj.
Në diskutime u theksua se çështja e drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar është e gjerë dhe e ndërlikuar dhe se mbetet detyrë e gjuhëtarëve dhe e institucioneve përkatëse të thellojnë studimet që ndihmojnë edhe për zgjidhjen më të mirë të problemeve të ndryshme të drejtshkrimit të saj.
Zgjidhjet konkrete, që në këtë mbledhje, me argumentim shkencor, patën mbështetje më të përgjithshme të anëtarëve të Këshillit, do t’u përcillen dy Akademive. Çështje të tjera të drejtshkrimit, të fushës së fonetikës, të gramatikës etj., do të shqyrtohen në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.