Drejtshkrimi sovjetik

Drejtshkrimi sovjetik

Si duhen shkruar, në shqipen standard, emrat e përveçëm, me burim të huaj, të njerëzve dhe të vendeve?

Shumë faktorë janë për t'u marrë parasysh gjatë formulimin e përgjigjes dhe sidomos të rregullave përkatëse - p.sh. që shqipja përdor alfabetin latin, ose që përgjithësisht i shkruan fjalët ashtu siç shqiptohen (i ashtuquajturi parim fonetik); por edhe nevoja për t'iu përmbajtur standardeve të caktuara, që kanë të bëjnë me identitetin e emrit përkundrejt shqiptimeve të ndryshme; dhe më në fund, ekzistenca e një tradite brendagjuhësore për një kategori emrash, e cila shkon ndonjëherë deri në "përkthimin" e tyre (p.sh. Papa Gjon Pali).

Një zgjidhje sa logjike aq edhe praktike do të ishte që emrat e përveçëm me burim nga gjuhët e mëdha perëndimore të shkruhen ashtu siç shkruhen në ato gjuhë; ndërsa të tjerët, duke përfshirë këtu edhe emrat nga gjuhë që përdorin alfabete të tjera (rusishtja, greqishtja) dhe sisteme të tjera shkrimi (kinezçja, japonishtja) të transliterohen sipas rregullave tashmë ekzistuese për gjuhët perëndimore.

Përjashtim do të bëhej, në këtë rast, vetëm për emra të përveçëm të traditës, p.sh. do të përdornim gjithnjë Selanik dhe Moskë, pavarësisht nga transliterimi i këtyre emrave në gjuhët përkatëse, etj. Drejtshkrimi i emrave të përveçëm me prejardhje të huaj ka aspektin teknik, që është i ndërlikuar dhe u duhet lënë në dorë specialistëve për zgjidhje; dhe aspektin kulturor, që ka të bëjë drejtpërdrejt me marrëdhëniet e kulturës pritëse me kulturat dhënëse.

Ruajtja e trajtës së shkruar origjinale të një emri dëshmon edhe dëshirën për të njësuar njohuritë dhe qëndrimet kulturore me botën mbarë, ose për të privilegjuar integrimin ndaj shkëputjes, prirjet qendërvajtëse ndaj prirjeve qendërikëse. Për këtë arsye të fundit, ka shumë interes të ndiqet historia e shkrimit të emrave të përveçëm të huaj në shqipe, së paku gjatë dy shekujve të fundit dhe veçanërisht në vitet e konsolidimit të shqipes standard.

Një material që ka zbuluar në arkivat shqiptare historiani Elidor Mëhilli - të cilin e falënderoj që ma dërgoi për ta shqyrtuar, duke më lejuar edhe që të shkruaja për të në publik - hedh dritë mbi këtë çështje; dhe pikërisht mbi historinë e marrëdhënieve midis drejtshkrimit të emrave të huaj dhe depërtimit të mendësisë totalitare në shqipen publike.

Është fjala për një dokument të datës 24 gusht 1951, të nxjerrë nga Fondi i Komitetit Qendror të PPSh-së, Sekretariati, të përmendur në faqen përmbledhëse të dosjes me titullin "Mbi shkruarjen e fjalëve të huaja ashtu siç fliten në gjuhën shqip", dhe që përbëhet nga dy pjesë: një "Relacion për fjalët dhe emrat e huaja që të shkruhen ashtu siç lexohen", të nënshkruar nga Drejtorja e Drejtorisë së Agit-Propit Nexhmije Hoxha dhe Sekretari i Komitetit Qendror të PPSh-së Bedri Spahiu; dhe një Vendim të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, që e miraton propozimin e bërë në relacion.
Në relacion thuhet pikërisht:

Në shtypin tonë fjalët dhe emrat e huaja nuk shkruhen siç është shqyptimi i tyre, por ashtu siç shkruhen në fjalët gjuhët e huaja. Kjo gjë sjell që nga shumica dërmonjëse e lexonjësve të mos bëhet një shqyptim i drejt dhe të mos marrin vesh kuptimin e tyre. Prandaj duke marrë parasysh këtë propozojmë që të gjitha fjalët dhe emrat e huaja të shkruhen ashtu siç lexohen. Shtojmë se edhe në B.S. emrat dhe fjalët e huaja i shkruajnë simbas shqyptimit dhe germave të gjuhës ruse.

Për këtë çështje kërkuam dhe mendimin e shokëve t'Institutit të Shkencave të cilët janë dakord me mendimin tonë.
Ia vlen të ndalemi në disa momente kyçe të këtij relacioni.

Së pari, autorët pranojnë se deri atëherë emrat me prejardhje të huaj, në shtyp, janë shkruar sipas grafisë që kanë në gjuhët burimore (p.sh. Schwarzwald, jo Shvarcvald); duke ndjekur kriterin e ruajtjes së njësisë së formës grafike, përkundrejt variacioneve të mundshme në shqiptim.

Së dyti, autorët besojnë se ruajtja e grafisë së origjinalit, e pazakonshme për shqipen, ka bërë që këta emra të mos shqiptohen mirë dhe për rrjedhojë "të mos merret vesh kuptimi i tyre" - edhe pse nuk është e qartë se çfarë lidhje mund të ketë kuptimi i këtyre emrave ose fjalëve me shqiptimin që u bëhet.

Së treti, autorët propozojnë që emrat e huaj dhe në përgjithësi fjalët e huaja të shkruhen, sa i përket shtypit, sipas parimit fonetik; ose "ashtu siç lexohen" (p.sh. Shvarcvald, jo Schwarzwald), edhe pse një propozim i tillë përmban një kontradiktë, sa kohë që, vetëm një rresht më lart, është thënë se emra të tillë lexohen në gjithfarë mënyrash dhe keq; ndoshta duhej thënë "ashtu siç shqiptohen në gjuhët e origjinës".

Së katërti, autorët e mbështetin propozimin e tyre duke iu referuar autoritetit politik dhe ideologjik dhe duke vërejtur se kështu veprohet edhe në Bashkimin Sovjetik, ku emrat dhe fjalët e huaja "i shkruajnë sipas shqyptimit dhe germave në gjuhën ruse".

Së pesti, autorët nuk e fshehin se këtë çështje e kanë shqyrtuar vetë, por duke kërkuar "dhe mendimin e shokëve të Institutit të Shkencave"; çka lë vend të supozohet se sekretariati i K.Q. çështjen e drejtshkrimit të emrave të huaj e konsideronte më parë si ideologjike, dhe vetëm më pas si gjuhësore-teknike.

Ndoshta kjo radhë përparësish shpjegon edhe pse vetë relacioni, nga pikëpamja e zgjidhjes gjuhësore që propozohet, lë shumë për të dëshiruar; meqë duket sikur autorët, N. Hoxha dhe B. Spahiu, nuk e rrokin dot problemin gjuhësisht, as pasojat praktike të menjëhershme dhe largvajtëse të zgjidhjes së improvizuar që sugjerojnë; por e rrokin për bukuri kontekstin ideologjik të kohës dhe e zotërojnë në majë të gishtave metodën e analizës të problemeve të tilla - shfrytëzimin ose në thelb kopjimin mekanik të eksperiencës sovjetike.

Mes të tjerash, tingëllon kontradiktore këmbëngulja për ta mbështetur drejtshkrimin e këtyre emrave në 'shqyptimin', ose më keq akoma, në 'leximin' e tyre; sa kohë që vetë nevoja për ta ndryshuar këtë drejtshkrim ka lindur, gjithnjë sipas autorëve, nga rrëmuja e varianteve dhe e luhatjeve në shqiptim.

Për shembull, si do të shkruhet në shqipe një emër i përveçëm si Eugene (anglisht), Eugène (frëngjisht), Eugenio (italisht), Eugenius (latinisht), Евгений (rusisht), Ευγένιος (greqisht) e kështu me radhë? Me logjikë, të gjithë këta emra do të shkruheshin Eugjen, duke ndjekur pjesërisht traditën dhe pjesërisht kriterin transliterues.

Përkundrazi, kriteri i propozuar nga N. Hoxha dhe B. Spahiu për shtypin, që më pas u adoptua nga standardi drejtshkrimor për të gjitha tekstet shqipe, ka çuar në forma të tilla si Juxhin (në përkthimin e romanit Gjeniu, të T. Dreiser); Ëzhen (emri i shkrimtarit Eugène Sue, autor i Mistereve të Parisit); Euxhenio, Euhenio, Jevgenij etj. Të krahasohet edhe kontrasti midis emrit zyrtar të frëngut Eugène Sue (Ëzhen Sy), i konfirmuar në përkthimin e një shkrimi të Marksit për veprën e atij shkrimtari; dhe mënyrës si është përkthyer titulli i romanit të njohur të Balzac-ut, Eugénie Grandet (Evgjeni Grande), duke ndjekur traditën e emrit në kulturën shqiptare ortodokse (çka nuk i ka penguar me mijëra lexues që mbiemrin e heroinës ta lexonin me theks paroksiton: Gránde).

Në të vërtetë, çdo gjuhëtar e di se forma e shkruar e ligjërimit është shumë më e qëndrueshme se forma e folur; duke siguruar identitetin dhe njësinë e fjalës edhe në ato raste kur shqiptimi ndryshon sipas parametrave gjeografikë, socialë dhe individualë; dhe aq më tepër vlen kjo, në rrethanat kur kemi të bëjmë me emra të përveçëm, të cilët nuk kanë "kuptim" në vetvete, por vetëm shenjojnë arbitrarisht objekte individuale, të tilla si persona ose vende; rrethana që marrin rëndësi kritike në fusha të tilla si jurisprudenca, historia, e drejta ndërkombëtare, shkencat bibliografike dhe sistemet e referencës, standardet ndërkombëtare, etj.

Edhe vetë parimi aq i përfolur i drejtshkrimit "fonetik" të shqipes është kthyer, me kohë, në të kundërtën e vet, meqë, në atë masë që ekziston dhe zbatohet standardi drejtshkrimor, shqipja e sotme publike nuk shkruhet ashtu si shqiptohet, por shqiptohet ashtu siç shkruhet.

Nga analiza e tekstit të relacionit, tërheq vëmendjen edhe indiferenca pothuajse arrogante e autorëve ndaj traditës së drejtshkrimit të këtyre emrave në shqipe, ose lehtësia me të cilën këta propozojnë një vendim i cili, në thelb, lidhet me një aspekt tepër teknik të normës.

Duke u lëkundur midis parimit të drejtshkrimit "ashtu siç lexohet" dhe drejtshkrimit "ashtu siç shqyptohet", autorët njëkohësisht konfirmojnë gatishmërinë për të marrë vendime arbitrare në fusha delikate si kjo e standardizimit të shkrimit; të cilat vendime u mjafton që t'i mbështetin me një retorikë demokratike populiste banale, ose me përmendjen e "shumicës dërmonjëse të lexuesve"; si për të theksuar se vullneti për këtë ndryshim vjen nga poshtë ose nga populli, dhe këta, në cilësinë e autoriteteve administrative, vetëm sa bëhen interpretë të vijës së masave.

Megjithatë, jemi ende në fillim të viteve 1950, kur regjimi komunist në Shqipëri ende nuk i ka konsoliduar pozitat përfundimisht; madje kur ende po ia ndien pasojat traumës që shoqëroi krizën në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave të vitit 1948 dhe spastrimet e mëdha politike që e pasuan atë krizë.

Për këtë arsye, sekretariati i KQ dhe vetë udhëheqja e PPSh ende nuk kanë aq siguri në vetvete, sa të dalin haptazi si burim i arbitraritetit në sistem; që këtej edhe referenca ndaj praktikës përkatëse, me rusishten, në Bashkimin Sovjetik, e cila i paraprin deri edhe njoftimit për konsultimin me "shokët" e Institutit të Shkencave.

Nga pikëpamja gjuhësore krahasimi me rusishten çalon; dhe çalon ngaqë, ndryshe nga shqipja e Kongresit të Manastirit, rusishtja shkruhet me alfabet cirilik, jo latin. Shkruesit e rusishtes, kësisoj, janë të detyruar nga alfabeti i gjuhës së tyre që t'i transkriptojnë emrat dhe fjalët e huaja, sipas një sistemi rregullash kaotik dhe kontradiktor, por gjithsesi të mbështetur në shqiptimin

Autorët e relacionit i referohen praktikës normative ruso-sovjetike për arsye vetëm ideologjike, ose si gozhdë për të varur përgjegjësinë e arbitraritetit; përndryshe drejtshkrimi i emrave të përveçëm në shqipe do të kërkonte, logjikisht, një qasje po aq teknike dhe sistematike sa edhe qasja që i ka bërë rusishtja vetë.

Kompleksiteti i këtyre rregullave dhe tabelave për rusishten e bën edhe më sipërfaqësor propozimin e autorëve të relacionit më sipër, për të ndjekur, në drejtshkrimin e emrave të huaj, praktikat e miratuara prej "shokëve sovjetikë", të cilët përndryshe gjuhën e tyre, rusishten, e trajtonin me shumë më tepër dashuri e kujdes se tanët shqipen.

Përndryshe, po të ndiqej seriozisht në shtypin shqiptar rekomandimi i ekspertëve shqiptarë të agit-propit, për t'i shkruar emrat e huaja ashtu siç "shqyptohen", vetë emri i kryeqytetit sovjetik do të përfundonte i drejtshkruar, në shqipe, si Maskvá; me o-në e rrokjes së parë të hapur në a, dhe theksin oksiton (në rrokjen e fundit), sipas shqiptimit të rusishtes standard.

Por edhe këtë herë, ideologët e totalitarizmit shqiptar tregojnë ndaj traditës ekzistuese në kulturën shqiptare të njëjtën indiferencë që tregojnë ndaj rregullave filologjike dhe tekstologjike të zbatuara në kultura të tjera anembanë botës, duke përfshirë edhe sovjetikët vetë; për ta zgjidhja e këtij problemi të mirëfilltë dhe praktik të shkrimit të shqipes publike nuk i shërben aq praktikës së ligjërimit shqip, sa i shërben afrimit me Moskën, nëpërmjet transpozimit mekanik të praktikave komplekse, me shpresë se ashtu do të arrihet sinkronizimi i shumëpritur me qendrën (Moskën): nëpërmjet një sistemi në thelb magjik për të riprodhuar pushtetin e parive ekzistuese, duke i vendosur këto në lidhje të privilegjuar me autoritetet e përtejme, ose zemrën e Perandorisë.



Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama