Drejtuesit e tregut Dinamo Bozdo mashtroi per cianurin alibi per te na perzene nga tregu me polici

Drejtuesit e tregut Dinamo: Bozdo mashtroi per cianurin, alibi per te na perzene nga tregu me polici

Deklarata e nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo, se cianuri rrezikon tregun Dinamo, duket se është një manovër për të larguar tregtarët nga ky treg. Kështu shprehen disa nga drejtuesit e tregut të ish-uzinës Dinamo. Sipas tyre, kjo deklaratë është kryekëput e pavërtetë dhe një shpifje e hapur. Alfred Buzhiqi, një nga përfaqësuesit e tregtarëve, thotë se cianuri nuk ndodhet tek tregu i ish-uzinës Dinamo, por tek tregu i ish-uzinës së Dajtit.

 

“Te tregu i ish-uzinës Dinamo nuk ka patur, s’ka dhe nuk do të ketë asnjëherë cianur. Deklaratat e nënkryetarit të bashkisë, Eno Bozdo janë shpifje të hapura dhe të ulëta. Cianuri ka qenë në tregun e uzinës Dajti dhe jo tek tregu ynë. Këto janë deklarata që kanë për qëllim goditjen tonë”, thotë Bizhiqi. Ai tregon edhe të gjithë atë që ka ndodhur gjatë ditës së pardjeshme dhe sesi Bozdo ka vënë në ngërç e ka çoroditur edhe institucionet, Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Bujqësisë . “Cianuri ka qenë në ish-uzinën e Dajtit. Ai është treg pak më tutje se ne, 400 metra në vijë ajrore larg nga tregu i Dinamos.

Pardje janë bërë transportime të cianurit nga tregu i ish-uzinës së Dajtit për në Elbasan. Ky cianur, që është saktësisht cinaur nuk ka rrezikshmëri. Lënda është thjesht kripë dhe nuk ka kaluar fare nga tregu jonë. Tregu i Dajtit ndodhet më tej siç e thashë dhe makinat që kanë transportuar lëndën helmuese të cianurit kanë kaluar nga dalja e tregut të Dajtit. Madje nëse do të ishin helmuar ushqimet siç pretendohet nga bashkia, do të ishin helmuar ushqimet e tregut të Dajtit dhe jo tonat”, thotë më tej Alfred Bozhiqi.

 

Ai shpjegon se me këta deklarata fshihet pas interesi i bashkisë për të goditur tregun e ish-uzinës Dinamo, me qëllim që tregtarët të shkojnë në tregun që ngrihet në Kashar. “Bashkia e Tiranës ka si synim të largojë tregtarët nga uzina Dinamo për tek një treg i ri i ndërtuar në Kashar. Kjo nuk është aspak normale. Ne jemi goditur vazhdimisht nga Bozdo prej më shumë se një viti. Këtu në këtë treg janë 480 biznese, objekte të pajisura me licensë dhe me gjithçka duhet”, përmbyll fjalën e tij Alfred Bozhiqi, kryetar i Shoqatës të Mbrojtjes së Konsumatorit.

Sulmet e qëllimta të bashkisë

Në të njëjtën vijë mendimi është edhe kryetari i Shoqatës Ushqimore, Dhurim Ismailati. Sipas tij, po dëmtohet rëndë imazhi i tregut nga akuzat e pavenda të Bashkisë së Tiranës. Sipas Ismailatit, akoma elementë të administratës së kaluar kanë mbetur në institucione të shtetit. “Akoma ka elementë të qeverisë së kaluar që tentojnë të na godasin. Këtu nuk ka fare cianur. Është një shpifje e hapur që bëhet për transferimin e tregut në Kashar për interesa të afërta të bashkisë.

 

Bozdo futi në ngërç madje edhe dy ministri, Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Bujqësisë. AKU, (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) ka ardhur sot dhe bëri analiza të produkteve të ndryshme në treg, siç bën zakonisht. Zyrtarë të saj erdhën të alarmuar fillimisht se menduan se ka cianur, gjë që e panë që nuk është e vërtetë. Gjithashtu edhe Ministria e Mbrojtjes është disinformuar nga ana e Eno Bozdos”, thotë Ismailati. Ai thotë më tej tha se po prishet imazhi i një tregu me traditë në Tiranë dhe ku shkojnë shumë qytetarë të kryeqytetit. Dhurim Ismailati tregon se janë 162 aksionerë në tregun e Dinamos dhe ka një organizim të mirë dhe të rregullt si treg.

Drejtuesit e tregut: Konsumatorët të vizitojnë tregun pa frikë

Drejtuesit e tregut kanë bërë thirrje që të gjithë qytetarët të shkojnë pa frikë në tregun e ish-uzinës Dinamo. Sipas tyre, asgjë nga ata që ka thënë Bozdo nuk është e vërtetë. Kryetari i Shoqatës Ushqimore Dhurim Ismailati dhe kryetari i Shoqatës së Mbrojtjes së Konsumatorit Alfred Bozhiqi bëjnë thirrje që qytetarët të mos bien pre e deklaratave të gënjeshtra. Ata thonë se tregu vijon normalisht dhe do të ketë përkushtim maksimal për përmushjen e kushteve sa më maksimale për sigurinë ushqimore.

Eno Bozdo: Zhvendosja e cianurit nga tregu Dinamo, jashtë çdo rregulli

Nënkryetari Eno Bozdo në një deklaratë për mediat ditën e djeshme është shprehur se mbetjet e cinaurit janë transportuar jashtë çdo rregulli. Sipas tij, cianuri që ndodhej tek ish-uzina Dinamo është transportuar nga Ministria e Mbrojtjes në mënyrë tepër të parregullt. “Zhvendosja dhe groposja në mes të ditës e 750 kg lëndë helmuese cianur nga tregu i ish-uzinës Dinamo është një turp e papërgjegjëshmëri e madhe dhe një akt kriminal.

 

Larg të gjitha protokolleve e standardeve të miratuara nga Ministria e Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes ka kryer transportin e këtyre lëndëve helmuese gjatë kohës kur tregu ka qenë i frekuentuar nga një numër shumë i madh qytetarësh. Me këtë transport, Ministria e Mbrojtjes ka vënë në rrezik jo vetëm tregtarët në ish-uzinën Dinamo, por edhe qytetarët e shumtë që kanë qenë prezent aty. Bashkia Tiranë kërkon në mënyrë të menjëhershme nga autoritetet përkatëse të kryejnë analizat, provat dhe mbikëqyrjet e domosdoshme për të vlerësuar ndikimin mjedisor të zhvendosjes së lëndëve helmuese në kushte amatoreske”, ka thënë nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eno Bozdo.    

Ministria e Mbrojtjes: Zhvendosja e cianurit nuk është rrezik për qytetarët

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se në një operacion në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit ka bërë të mundur zhvendosjen e lëndës së cianurit. Kjo ministri sqaron se transporti është bërë me parametrat më modern dhe pa asnjë lloj rreziku për qytetarët. “Ky institucion reagon duke siguruar qytetarët se në asnjë rast nuk do të merrte një veprim të tillë, në rast se nuk do të kishte sigurinë e duhur se operacioni nuk do të ishte i rrezikshëm. Ministria e Mbrojtjes siguron qytetarët se se kjo lloj lënde është e ngurtë dhe se procesi i zhvendosjes është kryer pasi është bërë izolimi i zonës dhe është kontrolluar gjithçka nga ekspertët kimikë.

 

Kjo lëndë është në trajtën e një kripe dhe mund të jetë e dëmshme vetëm në rast se konsumohet. Një gjë e tillë është thuajse e pamundur të ndodhë, pasi edhe vetë lënda ka qenë e mbyllur në mënyrë hermetike”, thuhet në komunikimin për mediat të Ministrisë së Mbrojtjes. Kjo ministri ka përmbyllur deklarimin e saj, duke siguruar se Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë janë të vetëdijshme për misionin që kanë, që është sigurimi i jetës dhe i mirëqënies së qytetarëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama