Drita Pelingu “ndaloi” dje për herë të fundit në hollin e Teatrit Kombëtar, për të nisur më pas udhëtimin drejt banesës së fundit. Qindra miq, kolegë dhe personalitete të larta të vendit janë përkulur përpara arkëmortit të aktores, për t’i bërë nderimet e fundit. Ceremonia e lamtumirës së Drita Pelingut nuk ka qenë e lehtë për ata që e kanë njohur. Lotët kanë shoqëruar gjithë orët e qëndrimit të saj të teatër. “Ajo ishte një personalitet i teatrit shqiptar, që do të kujtohet gjatë nga publiku”, tha mikesha e saj, aktorja Margarita Xhepa. “Me vdekjen e saj mbyllet dhe galeria e artit skenik shqiptar. Ajo ishte aktorja që bëri historinë e teatrit shqiptar.
Ka pasur dhe emra të tjerë, por ajo spikati sepse dha një kontribut të madh në teatër”, tha aktori Fatos Sela. Për Mihal Luharasin, mikun dhe bashkëpunëtorin e saj të ngushtë, në shumë shfaqje, ikja e Dritës është një humbje për skenën shqiptare. “Ka qenë një nga aktoret më të shquara. Kishte një pasion të madh dhe dashuri për teatrin. Para disa ditësh kur e takova, më tha që po përsëriste tekstin e dramës ‘Përjetësisht dashuria…’ sepse donte të rikthehej në skenë. Ishte e sëmurë nga këmba, por nuk e mendonte se kjo do t’i merret jetën”, tha Luharasi. Për Elvira Diamantin, Drita do të mbetet gjithnjë e gjallë, si një nga figurat kryesore që ka ndikuar me artin e saj pedagogjik në karrierën e saj. E pranishme në homazhe ka qenë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në profilin e saj në “Facebook”, ministrja i kishte dedikuar një status ndarjes nga jeta të aktores. “Një ndarje e dhimbshme me Drita Pelinkun sot. ‘Çfarë ke në plan të parë në jetë?’, e pyetën Drita Pelinkun
‘Të lë pas gjurmët e punës dhe të dashurisë’, u përgjigj plot dritë Drita që dritë i dha skenës shqiptare deri ditën e fundit kur fiku dritën e vet për të shkuar në paqe dhe që sot e tutje do të vazhdojë të ndriçojë me dashurinë për punën që vetëm ajo dinte ta jepte”, thuhej në statusin e ministres së Kulturës. Pas më shumë se dy orë homazhesh arkëmorti i saj u përcoll përmes duartrokitjeve dhe luleve drejt banesës së fundit, ku do të prehet përgjithmonë. Drita Pelingu do të kujtohet gjithmonë si një nga personazhet më të mira të teatrit shqiptar, si gruaja që u dha jetë dhjetëra karaktereve, të cilat bëjnë historinë e teatrit shqiptar.