Ditëlindjet na tregojnë se sa pak vlejnë mëritë."
Sot ka 85- vjetorin, por nuk ndodhet në shtëpi për këtë festë. Është larguar nga Tirana për disa ditë, për të qenë pranë një mikeje në Pogradec.
Por më 11 mars, në Teatrin Kombëtar prezantohet i pari album fotografik për karrierën skenike dhe kinematografike të Pelinkut. Është një botim i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit që prezantohet me këtë rast.
Pelinku është tërhequr nga skena ka një vit. Për herë të fundit u shfaq në janar 2009, me një monodramë, "Rouz" të Martin Sherman me regji të ish studentit të saj, Bujar Alimani. Ajo vetë thotë se nuk ka ndërmend të ngjitet më në skenë, se ka disa vjet që s'është më si dikur.
Megjithatë ajo është aq afër teatrit si spektatore dhe gati të thotë çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen. Aq elegant është diskutimi i saj për teatrin, sa pa frikë mund të thuash se ke përpara një kritike të teatrit që ka hequr dorë nga e shkruara. Kjo është ajo që e dallon Pelinkun ndër shoqe, ndër bashkëmoshatarë po edhe shumë më të rinj se ajo.
Natyra e saj karakterizohet nga një ambiguitet ku inteligjenca dhe talenti janë në distancën ku njëri kontrollon tjetrin dhe kjo është dija që me kalimin e moshës, edhe pse njeriu i ka lënë hyrjet në biblioteka, i bëhet urti.
Ajo nuk e korrupton vëmendjen e tjetrit me energji të jashtme, fjalë të bukura e të mëdha që s'ua njeh vlerën. As bëhet e rëndësishme për sytë ngaqë quhet Drita Pelinku. Ajo e fiton tjetrin për atë që është.
Sjellja njerëzore: nga gjërat e bukura që aktorja na e kujton se koha jonë po e zhduk si gjë pa vlerë, si send që nuk i përket njeriut.
Ajo nuk luan me cingla titujsh që përkëdhelin sedrën e varfër të artistit. Nuk ka vuajtur ndonjëherë ta quajnë nëna e kombit, legjenda e gjallë, meteor, kometë, e jashtëzakonshme etj., që nuk i vënë njerëzit, po padituria e tyre.
Mospërlyerja me këtë gjellë të mjedisit artistik shqiptar, ruajtja e një sensi relativ dhe objektiv në vështrimin e botës, e ka mbajtur të re aktoren. Dhe në ka gjë të vështirë në këtë kopshtin e artit këtu, është të mos i lehësh tjetrit poshtë dritares me gjithë qenë.
"Nuk mund të përgjithësoj përvojën time, por rinia ime ka zgjatur ca si shumë", ka thënë ajo.
Duam të besojmë se ajo që e zgjat rininë dhe i lë rrudhat aty ku janë, nuk është as fati, as situatat e favorshme që ruajnë njeriun të mos e tregojë fytyrën e vërtetë. Duam të besojmë se ndërsa shkruhen këto radhë Drita e ka mbyllur derën e shtëpisë dhe nuk ka frikë të rrijë vetëm, me veten, edhe me dritë fikur.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli