Drejtori i Përgjithshëm i Kukësit, Dritan Dervishi, në një intervistë për "Panorama Sport" flet për suksesin e vështirë të Kukësit në Kupat e Europës, punën e tij në merkato, për të cilën në fillim ka pasur dhe pak kundërshti nga opinioni publik, por që tani çdo gjë po shkon mbarë. Afrimet po qëllojnë të goditura, Guri apo Greca janë dy prej tyre.
Dervishi flet dhe për marrëdhëniet e tij me presidentin Gjici, të cilin e respekton shumë, pasi është njeri i pasionuar pas futbollit, por që ndonjëherë mund të ketë pasur dhe ndonjë debat konstruktiv në dobi të klubit. Dervishi thekson se Kukësi nuk i trembet Austrisë, pasi merkatoja e bërë më parë dhe dy huazimet, Lilaj dhe Latifi, e bëjnë skuadrën konkurruese edhe ndaj austriakëve.
Dervishi, sa i kënaqur jeni me kualifikimin që morët në Mal të Zi?
Jam shumë i kënaqur, pasi të gjithë kemi punuar shumë që të arrinim te ky sukses. Barazuam ndeshjen e parë, por nga puna dhe përgatitjet arritëm të hidhnim hapin e madh.
Cilat ishin pikat tuaja të forta me të cilat arritët të mundnit Rudarin?
Ne kemi një skuadër të mirë. Boshti i ekipit që gjeta kur mora detyrën e drejtorit, së bashku me lojtarët e rinj që morëm në merkato krijuan një grup mjaft të mirë, të fortë dhe me freski në fushë.
Ishte Sidrit Guri ai që nderoi Kukësin në takimin e dytë me Rudarin. Ai është një nga prurjet tuaja, mendoni që qëlloi i suksesshëm?
Po, është e vërtetë që Guri është një lojtar mjaft i mirë, një i ri premtues, të cilin unë e kam pasur ëndërr ta merrja që kur punoja te Partizani, por nuk u realizua. Te Kukësi gjeta mirëkuptimin e presidentit Gjici dhe e mora direkt. Ai na e shpërbleu në debutim dhe kam besim se do të bëhet lojtar i madh, nëse do të punojë shumë.
Si i keni marrëdhëniet me presidentin Gjici, se ditët e fundit është folur për një përplasje mes jush?
Presidenti Gjici është një person që e do shumë futbollin dhe është i pasionuar pas tij. Kjo ishte një nga arsyet që unë pranova të bashkëpunoja me atë dhe të bëhesha pjesë e Kukësit si drejtor i përgjithshëm. Respektoj shumë rolin e tij, por secili ka punën e vet. Dhe nëse ka pasur ndonjë debat, ka qenë për të mirën e punës dhe për të mirën e Kukësit, për të cilin po punojmë të gjithë që klubi të ecë sa më shumë. Presidenti më ka lënë dorë të lirë në merkato dhe unë besoj shumë se deri tani kam bërë zgjedhjet e duhura dhe për kampionat do bëjmë pak goditje, por super cilësore që të fitojmë kampionatin.
U forcuat akoma për turin e dytë me dy nga lojtarët më cilësorë të Superiores, Lilajn dhe Latifin. A pretendoni tani që ta kaloni Austrinë e Vjenës?
Janë dy supergoditje, ne ramë dakord me Skënderbeun për dy lojtarët që t'i kemi për ndeshjet e Europës. Lilajn unë e kam mik dhe e binda direkt që ai të bëhej pjesë e Kukësit dhe e falënderoj për vendimin që të kontribuojë për ne. Ndërsa për Latifin ndërhyri vetë presidenti Gjici, që e mori. Në këtë rast dua t'i falënderoj të dy presidentët, Gicin dhe Takajn, për akordin që gjetën në të mirë të Kukësit. Besoj shumë, pasi tani jemi të kompletuar dhe do kalojmë Austrinë e Vjenës.
Çfarë ju bën të besoni kaq shumë duke pasur përpara një emër të madh?
Boshti i skuadrës, "garda e vjetër" së bashku me lojtarët e rinj e bëjnë Kukësin mjaft të rrezikshëm. Plus Lilaj dhe Latifi. I falënderoj lojtarët aktualë të Kukësit, pasi janë profesionistë dhe dinë t'i trajtojnë të rinjtë. Mendoj se shanset janë 51% për ne dhe 49% për ata. Kukësi ka shpirt gare dhe unë e jap këtë opinion, pasi jam me mentalitet fitues, ashtu si dhe presidenti Gjici. Ne nuk hyjmë në fushë për të humbur. Luajmë si të barabartë me këdo, prandaj nuk ka asgjë të pamundur në futboll.
Po me trajnerin Lika si i keni marrëdhëniet dhe a keni mirëkuptim në merkato?
Patjetër, trajneri Lika është një specialist i vjetër futbolli, ndaj dhe mua nuk më ka munguar kurrë dëshira dhe bashkëpunimi. Ai është trajneri dhe ne respektojmë punën e njëri-tjetrit. Diskutojmë çdo gjë, për të qenë koherentë në funksion të skuadrës.
Po me tifozët si i keni marrëdhëniet, sepse në fillim kemi parë kundërshti të tyre ndaj jush?
Tifozët kuksianë janë të mrekullueshëm. Natyrisht vija nga një klub tjetër dhe mund të ndodhë që nuk më preferonin, por unë i kam respektuar dhe do vazhdoj t'i respektoj edhe me punën time. Do t'u tregoj që Dritan Dervishi punon për të çuar Kukësin sa më lart. Qëllimi im është që Kukësi të dalë kampion. Por, dhe turi i dytë i Ligës së Europës është shumë i rëndësishëm. Ndaj u kërkoj tifozëve ta mbështesin sa më shumë ekipin, të mobilizohemi të gjithë dhe të arrijmë suksesin e madh, kalimin e Austrisë së Vjenës.
Skerdilaid Sulozeqi