Aktualisht, KESH ia shet CEZ energjinë elektrike për 2.8 lekë/kilovati dhe ulja në rreth 2 lekë do të thotë minus 10 miliardë lekë të ardhura për korporatën e drejtuar nga shteti. Pikërisht, kjo diferencë do të mbulohet nga buxheti i shtetit për çdo rast që do të ketë nevojë KESH. Pra, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nëpërmjet një forme tjetër, qeveria pranon kërkesën e CEZ për më shumë të ardhura duke “korrigjuar” tarifat, në dëm të ndërmarrjes shtetërore dhe natyrisht që këto fondet e arkës së shtetit të planifikuara për investime publike do të shkojnë për nevojat e një kompanie private.
Gazeta “Shqip” mëson lëvizjet e fundit mes ERE, CEZ dhe KESH, ku rol ka luajtur dhe Banka Botërore, garantuesja e kontratës së privatizimit të OSSH.
Vendimi për korrigjimin e tarifave në mesin e vitit, kur zakonisht ka ndodhur në fillim të çdo viti vjen nga ndryshimi i disa situatave. E para lidhet me ardhjen e Kryeministrit çek në Tiranë, rreth një muaj më parë, e dyta me ndërhyrjet e BB-së dhe e treta, me vendimin e fundit të ERE-s duke i njohur CEZ-it borxhin e keq, i cili nga 14 për qind, do të jetë 16.5 për qind. Pikërisht ndryshimi i këtij niveli i hap rrugë kompensimit, që sipas kontratës së privatizimit rregullohet me vendosjen e tarifave të reja.
Rritja e borxhit të keq, të njohur tashmë nga ERE (vendim i marrë të premten e kaluar, sipas “energjia.al”), me nivelin e ri, rreth 16.5 për qind sjell një efekt prej 8.5 miliardë lekë, të cilat CEZ i kërkon, ose duke rritur tarifën për konsumatorët ose të ulet çmimi i energjisë që blen te KESH (shumica). Natyrshëm që ERE, duke u konsultuar me BB-në, mendon të zgjedhë alternativën e dytë, më pak e ndjeshme për xhepat e konsumatorëve, por me rreziqe për buxhetin e shtetit.
Manovra e fundit e qeverisë është një mesazh i qartë për CEZ-in sa u takon pretendimeve për investime të pakta. Tashmë kompanisë çeke i është plotësuar çdo kërkesë dhe në këto kushte nuk do mund të gjejë justifikime për investimet dhe shërbimet e dobëta.
Sakaq, pak kohë më parë, gazeta publikoi pjesë nga bilanci i kompanisë, tashmë e zhytur në borxhe, një pjesë e të cilave konsiderohen të vdekura. Duke nisur nga viti 2007, deri në mars 2012, shifra e borxheve konsiderohet tejet e lartë, afro 56 miliardë lekë, apo gjysmë miliardi dollarë, ku 40 miliardë lekë janë detyrime të papaguara nga konsumatori familjar. Shifra e raportuar nga shoqëria shikohet me skepticizëm nga ERE, e cila ka kërkuar verifikim të të dhënave dhe sqarim se si kompania e njohur energjetike arriti në këtë pikë kritike.
Në momentin që bleu Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë, ish-degë e KESH-it, në maj të 2009-s, borxhet ishin në nivelin e 19.7 miliardë lekëve, ndërsa në mars 2012, regjistrohet një rritje me mbi 300 për qind. Derisa të zgjidhë mosmarrëveshjet me ERE-n, CEZ ka nisur sakaq planin operacional të mbledhjes së borxheve, duke kontraktuar 7 kompani private. Kundrejt një komisioni të posaçëm, përqindje mbi shumën e vjelë, kompanitë kanë hyrë në garë të fortë me njëra-tjetrën se kush kontrollon më tepër zona, për llogari të CEZ-it dhe interes personal.
Afro 9.5 miliardë lekë mendohet të jetë efekti në buxhet pas rishikimit të tarifave të energjisë
CEZ: Vendimi i fundit zhbllokon 20 miliardë lekë investime
Lidhur me vendimin për njohjen e borxhit të keq, kompania “CEZ Shpërndarje”, ka dhënë një prononcim për “Shqip”, duke e mirëpritur planin e ri të tarifave.
Çfarë ndryshon në planet e CEZ rishikimi i borxhit të keq?
Kjo për CEZ Shpërndarje do të thotë përmbushje e një prej kritereve të përcaktuar në Deklaratën Rregullatore, e cila kërkon reflektimin e nivelit real të borxhit të keq në momentin e privatizimit nga CEZ. Miratimi i borxhit të keq sjell një njohje reale të kostove të përllogaritura në tarifat e shërbimeve të energjisë elektrike.
Tarifat e reja, si kompensim i rishikimit të borxhit, sjellin një tjetër plan investimesh? Po mosmarrëveshjet me KESH, zgjidhen?
Sa me shpejt ERE të reflektojë në tarifa nivelin tashmë të njohur të borxhit të keq aq më shpejt do të përmirësohet bilanci i pagesave përkundrejt KESH-it, si dhe po aq shpejtë do të fillojnë disbursimet e financimeve për realizimin e planit të investimeve miratuar dhe nga ERE, të cilat kalojnë vlerën e 20 miliardë lekë brenda 3 viteve të ardhshme. Njohja e nivelit real të borxhit të keq ka qenë një kusht nga bankat për dismbursimin e fondeve për investime.