Nga shqyrtimi i dokumentave në arkiva hidhet edhe më shumë dritë mbi familjen e Kristoforidhit. Kështu nga kodiku i Kujinxhinjve nr 5164 dhe 5151 del për herë të parë emri i Anastasit si i biri i Nelkos dhe gjishtu flitet për Konstandinin dhe Mihalin si të bijtë e Nelkos(dajallarët ose xhaxhallarët e Konstandin Kristoforidhit). Ndërkohë kronika e kishës e Grigor Popës nr 5172 që ndodhet në arkivën e shtetit jepen të dhëna mbi vdekjen e pjestarëve të familjes duke filluar me bashkëshorten: 1896, Janar 19, vdiq e shoqja Eleni, 1899 Mars 19 vdiq i biri Anastas, 1899, shtator 23, vdiq e bija Polikseni, 1893, prill 1, vdiq e bija Anastasia, 1963 gusht 3 vdiq e bija Kleopatra” ndërkohë tre djemtë që njihen Aleksandri, Stefani dhe i fundit Filipi nuk kanë të dokumentuar datë të vdekjes.
Filip Kristoforidhi
Filipi ishte djali i vogël i Konstandin Kristoforidhit. Në një letër dërguar Thanas Konomit në 23 shtator 1957 thotë: Kur ika nga Elbasani në mërgim, sot ma gjatë se 64 vjet… ndërsa në një letër tjetër të 19 nentorit 1963, ai thekson se ishte 11 vjeç kur i vdiqën të dy prindërit. Filip Kristoforidhi lindi në Stamboll më 25 Mars 1884 dhe kishte shkuar në Elbasan në moshën 6 vjeç. Më 1903 ai emigroi për në Amerikë. Ai me krenari tregonte se kishte punuar si kamarier në disa nga restorantet më të mira të qytetit të Nju Jorkut duke përfshirë këtu dhe restorantin “Great Ëaldorf Astoria”. Më 1910 shkon në Francë ku martohet me një franceze e quajtur Gabriela Bevault.
Filip Kristoforidhi do të mbahet mend për sjelljen në Shqipëri të dorëshkrimit “Gjahu i Malësorëve, Hija e Tomorrit”. Kjo konfirmohet nga letërkëmbimi që pati me drejtorin e atëhershëm të Muzeut të Elbasanit, Thanas Konomi më 23 shtator 1957 ku shkruante: “Do përpiqem nga ana e nipit tim, në Amerik, të gjejmë gjurmët e dorshkresës “Gjaja e malsorvet-Hija e Tomorrit”, e cila a botue për herën e par në Korçë më 1930 te shtypshkronja Peppo&Marko” . Filip Kristoforidhi në një letërkëmbim të gjatë që mban me Thanas Konomin jep shumë të dhëna për të atin. Kjo është një pjesë e korespondecës të gjetur në arkiva. Në një letër e 19 nëntorit 1963 ndër të tjera Filipi flet mbi muzeun e Kristoforidhit dhe për shtëpinë e Mimës(Dhimitër Bibasë, dhëndrit të Kristoforidhit), një ndër vendet ku ishte diskutuar për këtë muze. E pikërisht kjo shtëpi sipas F. Kristoforidhit është shtëpia ku lindi gjuhëtari. “Muze-u -Ju më thoni se pleqënia Elbasanit ka vum ndërment të ngrefi ose të përkthej shtëpin e Mimës si muze, aty ku leu im atë.
Ky mendim asht i pëlqyeshëm se dëften një shpërblesë dhe kujtim për dietarin elbasanas, themeltar i gjuhësë shqipe”. Ndër të tjera ai jep edhe një ide se çfarë duhet të vendoset në këtë shtëpi duke përcaktuar si vit lindjeje 1830 kur njihej viti 1827. “Këtu ndë kët shtëpi lindi/Konstandin Ndelka, mbë 1830. Ose Kristoforidhi. Pseudonim që përdori për veprat e tij.
…Te shtëpia e Mimës, atje ku leu, mbas mendjesë s’ime, do jet mirë të ngulen përjashta, ke dera ose në murë, një pllakë me fotografim e kësaj shtëpie të vjetërë.
“Afëroh-u, o vëlla, që të them se kush jam!/Mbë quajn Konstandin Kristoforidh.
Linda ndë kët shtëpi mbë 1830. Vdiqa nd’ Elbasan mbë 1895 ke shtëpia Taq Budës. Ato qi më ngulën këtu, duan t’ju dëftejn se për gjithë jetën punova me pendën ndë dorë dhe përdava mbë katër anët’ e Shqipërisë farën ‘ e diturisë për ndriçimin e gjuhësë dhe rilindjen’ e Kombit t’onë.
Dhe ti, o vëlla, qofsh shqiptar ose i huaj, puno pa kursim për të mirën e kombit, dhe,, mo sprit ndonji shpërlbim për këtë detyrë atëdhetare. Udh’ e mbarë!”
Filip Kristoforidhi në një letër tjetër pa datë që mendohet shtojcë e një letërkëmbimi jepe edhe të dhëna mbi jetën e familjes së Kristoforidhit p as kthimit në Elbasan. Ndër rrjeshta thuhet se Kristoforidhi jietoi në një shtëpi ku jetonin dy familje, në njërën anë Vasil Popa ndërsa në anën tjetër, e motra e Kristoforidhit, Maria, e ve që nuk kishte fëmijë. Ai jep edhe detaje ku gjendej kjo shtëpi “Qo shtëpi gjendesh afër çezmes Kalas, në ballë shtëpis Lazrit papa Janit, tregëtar(reshper) dhe shok i babajt me cilin luenin(lozëshin) tavllash bashkë në kopsht(mbramjet e verës. Afër çesmes ishte dhe shtëpia e Vasil Donçit e një tjetër ku rrinte Tanakja bashkë me të vëllan(topallë). Aty pranë ishte një furëxhi(bukëpjekës, mish dhe laknuërpjekës). Lazri papa Janit kishte 4 djelm dhe një gocë: Dimitri, Jani, Sava, Kovi. Goca(emnin e harrova) ishte martuem me Dhimitër Xhufkën që e kishtë shtëpinë të ngjitun me atë ku rrinte Aleks. Xhuvani….”
Ndër të tjera Filipi përmend një fakt të rëndësishëm që ka të bëjë me edukimim e tij por edhe me të atin, Kristoforidhin për mardhënien që ai kishte krijuar tek fëmijët. Ata e flisnin si gegërishten ashtu edhe toskërishten pavarësisht problemeve që haseshin për të mësuar shqip. “Në qoft se s’ke lem n’Elbasan, të lutem të m’a falësh se ndryshe mund t’a shkruaj toskërishten aq mirë posi gegërishten megjithë se s’kam qen në shkollë shqipe.
Atëherë s’kishte shkolla, s’kishim liri t’a mësojim me shkrue shqipen. Të më besoni, kemi hek shum keq prej Turkut dhe prej bejlerëvet. im at s’kishte frikë pej këtyne; kudo pritesh me nder të madhë prej këtyne”.
Tre letrat e Aleksandër Xhuvanit
Për kontributin e madh që ka dhënë Filip Kristofori i vendosur në Francë ku qëndroi derisa vdiq, pa lënë trashëgimtarë, ekzistojnë edhe tre letra të Aleksandër Xhuvanit. Në letra ka falenderime për një tjetër veprim patriotik që Filipi ka bërë duke fotokopjuar dhe sjellë në Shqipëri ndër të tjera edhe librin e Frang Bardhit.
Në një letër dërguar Filipit më 26 tetor 1957 Xhuvani i shkruan dër të tjera: Gjeta këtu edhe librin e Frangut Bardhë që e kishit fotokopiue dhe lidhë bukur. Ju lumtë! Ju falem nderit për këtë vepër me randësi, të cilën ja dorëzova Bibliotekës sonë Kombëtare”.
Shtëpia muze sot
Shtëpia muze e Kristoforidhit ndodhet në një prej rrugicave të njohura të Kalasë mes familjeve të vjetra. Skulptori që e ka marrë nën kujdes Dhimitër Telezi teksa na hap derën, na thotë të mos çuditemi nga tri pllakat e ndryshme në anë të portës, pasi dy të tjera janë vendosur pasi pronarët e shtëpisë ngjitur nuk pranuan që ajo të vendosej në murin e tyre. Sapo hyn në oborr, (një rrip i ngushtë që të çon në dhomën e vetme me çardakun e thjeshtë) në anë të zë syri një mur të ri prej betoni të ndërtuar rishtazi nga fqinjët rebelë. Shkallët janë karakteristike dhe në anë të çardakut vëren dollapët e punuar prej druri të rrethuar nga punët e ndryshme të Telezit. Zhgënjimi vjen sapo hapet dera. Gjuhëtarit të madh që hartoi fjalorin e gjuhës shqipe, Gramatikën, abetaren, ai që hartoi fjalorin me mijëra fjalë dhe që punoi aq shumë për pastërtinë e gjuhës, njeriut që themeloi gjuhën letrare kombëtare i kushtohet kjo dhomë me dërrasë të kalbur, pa tavan dhe me stenda të vjetëruara të periudhës së komunizmit.
Historia e fotografisë së vetme të Kristoforidhit
Sipas dëshmisë së Rudolf Delianës, stërnip i Kristoforidhit, fotoja është dhuruar nga gjyshja e tij, Kleopatra, e bija e Kristoforidhit aty nga vitet 30-të shkollës Normale. Një prej fotove në fondin e Muzeut Etnografik mban një shënim: “Dhurue nga Nikollaq Bibaja Elbasan, Nandor 1954” e cila ndodhet në Muzeun Etnografik të Elbasanit. Kjo është e vetmja foto e pa modifikuar që jep edhe imazhin e Kristoforidhit. Ndër vite fotoja u përpunua duke ardhur në atë që qarkullon sot dhe që ndodhet dhe në AQSH. E njëjta foto është përdorur edhe për monumentin e Kristoforidhit në qendër të qytetit të Elbasanit si dhe disa piktura që japin imazhin e Kristoforidhit mes nxënësve, duke mbledhur fjalë, etj. Në vendosjen e monumentit ishte ftuar edhe i biri i Kristoforidhit, Filipi por ai nuk erdhi. Në një foto të asaj periudhe me rastin e ceremonisë së vendosjes së monumentit merr pjesë edhe e bija, Kleopatra.
Stërnipi i Kristoforidhit, Rudolf Deliana tregon edhe historinë e kësaj fotoje, që sipas përmasave që ai tregon, ndodhen në muzeun gati të braktisur të Konstandin Kristoforidhit në lagjen Kala të qytetit të Elbasanit. “Mbaj mend edhe fotografinë që, si fëmijë që isha, më dukej çudi të shihja një burrë që të ishte babai i gjyshes sime! Një baba të një plake nuk mund ta përfytyroja aq të ri!
Unë personalisht kam një kujtim nga Shkolla Ushtrimore që lidhet pikërisht me atë fotografi. Duhet të ketë qenë viti shkollor 1937-1938 kur unë ndiqja klasën e dytë. Nuk më kujtohet ç’muaj ka qenë, ndoshta kjo ngjarje mund të ketë pasur lidhje me festimet e 25 vjetorit të Pavarësisë. Më kujtohet që një ditë mësuesi më thotë që të shkoja te gjyshja bashkë me shërbyesin e shkollës, Daj Cenin, për të marrë fotografinë e Kristoforidhit. Mbaj mend se të tre u ngjitëm në katin e tretë të shtëpisë, ku ndodhej dhoma e pritjes. Hymë në të, gjyshja vendosi një karrike, hypi sipër saj dhe e mori fotografinë nga muri. Mbasi e pastroi me shumë kujdes nga pluhuri, ia dorëzoi Daj Cenit me porosi të veçantë që të kujdesej për mirëmbajtjen e saj sepse, siç tha ajo, “është e vetmja fotografi që kam nga Babai”. Se ç’ndodhi më vonë nuk me kujtohet gjë.
Ajo fliste mjaft për këtë fotografi. E trajtonte jo vetëm si kujtim nga i Ati. Ruante edhe mjaft sende të tjera të tijat, por fotografinë e trajtonte edhe si një vlerë kombëtare, ngaqë ishte e vetmja që paraqiste bukur dhe mirë një nga gjuhëtarët më të mëdhenj të shqipes. Vlerat e të Atit, ajo i kuptonte edhe më mirë nga fakti që Shteti Shqiptar i periudhës së mbretërisë i lidhi asaj një pension jetësor në nderim dhe respekt të të Atit. Ajo ruante mirë në kujtesë sidomos periudhën e fundit të jetës së tij”.
Lef Nosi për Kristoforidhin
Ka qenë pikërisht Lef Nosi që ka pasuruar Fondin Kristoforidhi në Arkivën e Shtetit por kjo gjë nuk shënohet në asnjë prej dosjeve. Dosja nr. 49 përmban “Shënime mbi Kristoforidhin shkruar nga Lef Nosi”. Në këtë dosje gjenden edhe shumë anekdota dhe tregime të grumbulluara nga Lef Nosi për Kristoforidhin. Ndërkohë në shënimet “Anekdota” (dorëshkrim origjinal i Lef Nosit) është një anekdotë interesante që jep edhe detaje mbi atë që mendonte Kristoforidhi për fetë: “Kur e pyetën për protestantët dhe katolikët e ortodoksët ai tha: Ortodoksët e katolikët janë një thes me kashtë me nga një koqe gruini mbrenda. Protestantët qitën kashtën e mbeti gruni( Spiro Xhufka)”. Lef Nosi kujdeset të tregojë edhe burimin nga e ka marrë duke e bërë të besueshëm si thënie të dëgjuar nga Kristoforidhi. Në të njëjtën dosje në shënimet që mbajnë datën 24.10.1939, Lef Nosi shkruan: “Gjeta në shpi të zonjës Bibaja, bijës së Kristoforidhit këto libra të përdorura prej tij”. Në dokumentet e renditura të marra në shtëpinë e Kristoforidhit me numër rendor 29 gjenden vepra anglisht, shqip, greqisht etj.
Në një dokument të vjetër të ruajtur në Fondin “Kristoforidhi” në Elbasan shënohen librat që ka pasur në bibliotekën e tij K. Kristoforidhi. Kjo letër ka të renditur 17 vepra e dokumente dhe shënohet se nga dosja 18-28 nuk dihen. Disa prej tyre kanë qarkulluar në fondin e Kristoforidhit pa shënuar emrin e konservuesit për shkak të përndjekjes së figurës së Nosit edhe pas pushkatimit të tij.