Dritero Agolli Jeta ime nje kosh me PO edhe JO

Dritero Agolli: Jeta ime nje kosh me PO edhe JO
Shkrimtari mbushi dje 80 vjeç. Në këtë përvjetor Akademia e Shkencave organizoi “Takim Jubilar” me shkrimtarin, ndërsa Universiteti Europian i Tiranës promovon sot një libër me intervista të përzgjedhura, ese dhe polemika gjatë 50 viteve të krijimtarisë së shkrimtarit si dhe një ekspozitë fotografie.

Në hyrje të Akademisë së Shkencave ishin të shumtë njerëzit që prisnin që ai të shfaqej, gjithsecili me mendimin që të jetë i pari në urimin e tij. Dritëro Agolli shfaqet ashtu pak i kërrusur nga 80 vitet, me hapin e qetë e vështrimin gjithashtu. Si gjithmonë e shoqëron bashkëshortja Sadija. Në sallën “Aleks Buda” kolegët e tij akademikë kishin ardhur të gjithë, por miqve të zakonshëm të shkrimtarit kësaj radhe u ishin shtuar edhe politikanë, e sigurisht mediat që qëndronin në pritje për të fokusuar gjithçka që ndodhte në ato orë. Shkrimtari i madh Dritëro Agolli mbushi dje 80 vjeç dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve organizoi një takim jubilar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit dhe akademikut. “Kam mbushur tetëdhjetë vjeç dhe nuk është e vështirë që të tjerët të më shohin që fjalët i them ngadalë, sepse ato gjëndrat e trurit ecin ngadalë si ata djajtë që ndodhen në kokën e njeriut.

Duket që jam një tetëdhjetëvjeçar” iu drejtua ai kolegëve dhe miqve, që herë pas here buzëqeshnin me të vërtetat e Dritëroit. Ndalon për një moment ligjëratën për të gjetur me sy kushedi se kë. “Atje janë tre katër miq që kemi mbaruar bashkë në Gjirokastër” - tregon me dorë nga tre shokë të viteve të shkollës. “Shoh që këtej nga kjo lartësi e viteve që, po të ishin 80 tulla do të ngrinin një ndërtesë më vete, megjithatë unë mendoj se kush nuk bën gabime nuk krijon, as shkencë nuk bën. Mendoni për ligjin e Omit për rezistencën elektrike. Xhorxh Omi mund të jetë munduar me miliona Po dhe Jo deri sa doli në një ligj. Tani që mendoj për jetën time, për të kaluarën, sidomos kur shtrihem për të fjetur, shikoj që jeta ime bashkë me krijimtarinë time është bërë një kosh me PO edhe JO.

Por jam munduar t’i pakësoj, nëse më mbetet kohë. Të jetosh është heroike jo nga mundimet e jetës, por nga të tjerat” - thotë Dritëroi ashtu ngadalë-ngadalë. Por sa më shumë që vitet kalojnë për të, aq më dyshues duket se është bërë shkrimtari. Nuk heziton aspak ta thotë këtë, madje duke qeshur thotë se tashmë që është plakur ka dëshirë që të flasë më shumë sesa kur ishte i ri. “Shumë pleqve nuk u mbyllet goja. Pleqtë janë llafazanët më të mëdhenj. Unë kur isha i ri nuk fjalosesha shumë, tashti jam bërë shumë llafazan, por edhe grindavec, edhe për gjëra të tjera të jetës që ka njeriu. Dyshoj shumë...”. Në këtë moment diçka i tërheq vëmendjen shkrimtarit. Një buqetë e stërmadhe me trëndafila dukej sikur po ecte vetë në drejtim të shkrimtarit.

Njeriut që i mbante në duar i dukeshin vetëm këmbët. Dritëroi harron për një moment se po fliste, salla gjithashtu kthen kokën për të parë se kush fshihej pas asaj buqete trëndafilash. “Unë kam kënaqësinë tani t’i dorëzoj shkrimtarit tonë të madh këtë tufë të madhe me lule, e sapoardhur nga kryeministri ynë Sali Berisha.” Ishte kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, që bën ta ngrejë atë vazo të madhe me lule po s’e ngre dot. Braktis përpjekjen për ta ngritur buqetën në tavolinë dhe hap zarfin ku me shkrim dore ishte shkruar: “I dashur Dritëro, me rastin e 80-vjetorit të lindjes ju uroj shumë shëndet, gëzime dhe suksese në gjininë tuaj dhe lumturi në familjen tuaj. Me respekt Sali Berisha”. “Kjo është një shenjë nderi, për të gjithë shkrimtarët dhe artistët.

Kështu që duhet një kujdes për njerëzit e kulturës e të artit”- tërhoqi vëmendjen shkrimtari. Studiuesi Moikom Zeqo e cilësoi shkrimtarin si njeri shoqëror, njeri politik, që ka dhënë kontribut të paçmuar në letërsinë shqipe: “Jeta e Dritëroit ka qenë jeta e një prej njerëzve më të çuditshëm, i cili ka mundur të përballojë e të tejkalojë atë që quhet jeta e një qenieje njerëzore. Sepse shkrimtari i përket një rendi më të lartë, që është rendi estetik dhe shkrimtari i përket letërsisë. Dritëro Agolli kuptoi që lirika shqipe, ose lirika si poezia e poezisë, mund të jetë shumë e përjetshme, sepse përfaqëson ekologjinë e shpirtit. Në epokën postmoderniste pandehmat e filozofëve thonë se lirika do të vdesë. Por rikthimi te poezia do të jetë një rikthim i madh i Dritëro Agollit edhe te lexuesit që do të vijnë.

Si njeri shoqëror, si njeri politik që ka dhënë kontribut të paçmuar në letërsinë shqipe, Dritëro Agolli me të gjitha këto është nga shkrimtarët shqiptarë më të mëdhenj.” Por në gjithë ata miq të vjetër, relativisht, në moshë të Dritëro Agollit, më i emocionuari ishte pikërisht ai ministri (i ri në moshë) i Kulturës, Aldo Bumçi. Emocionet ndiheshin dukshëm edhe në tonalitetet e zërit të ministrit, teksa fliste për një emër të madh si Dritëro Agolli. “Këto do të jenë momente të paharrueshme, në këtë bisedë doli thjeshtësia, thjeshtësia, ajo që është esenca njerëzore e që në këtë takim dalin në mënyrë të mrekullueshme e ndaj ne ju falënderojmë. Ajo që spikat në korpusin letrar te Dritëro Agolli ka të bëjë me faktin se në to është menduar dhe shkruar, krijuar me notat e një dashurie e përkushtimi të lartë për vendin dhe bashkëkombësit e tij.”- tha Bumçi.

Libri biografik: Nuk do ta shkruaj

Një vit më parë, në një intervistë për gazetën “Mapo”, shkrimtari Dritëro Agolli rrëfeu edhe një “sekret” të vogël. Ai po shkruante biografinë e tij. Sigurisht me gjithë vështirësitë në të shkruar (dora që dridhet nga pleqëria ia pengonte punën), ai u shpreh se po shkruante kujtimet e jetës së tij dhe të vërtetat e jetës së tij. “Nuk është një libër thjesht për të shkruar për jetën dhe për të lavdëruar veten. Sepse shpesh herë në librat autobiografikë autorët e zbukurojnë vetveten dhe justifikohen për shumë gjëra politike që kanë ndodhur, ku dhe ata kanë qenë pjesëmarrës direkt apo indirekt. Ky libër, si gjithë librat e tjerë autobiografikë ku thuhet e vërteta, është i vështirë për t’u shkruar” - kështu do të shprehej shkrimtari Dritëro Agolli një vit më parë, në 79-vjetorin e lindjes, në një intervistë për gazetën “Mapo”. E sot një vit më pas, në 80 vjetorin e lindjes, autobiografia e tij rezulton mision i pamundur. Ai deklaroi se nuk ka ndërmend ta shkruajë autobiografinë e tij.

Topi dhe Basha e urojnë në shtëpi,

Agolli i firmos tre libra me dedikim krybashkiakut

Në shtëpinë e tij që ndodhet disa metra larg teatrit të Operas dhe Baletit janë të shumtë njerëzit që hyjnë dhe dalin. Të njohur e të panjohur, figura publike dhe politikanë ngjiten secili në orare të ndryshme, sikur të ishin të organizuar për të uruar shkrimtarin Dritëro Agolli. Buqetat me lule që mbanin në duar ishin nga më të ndryshmet, por kishin vetëm një element të përbashkët: të gjitha numëronin 80. Pas familjarëve e miqve të ngushtë dera është hapur për pushtetarët. Kanë hyrë me radhë kryetari i baskisë, Lulëzim Basha, më pas presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ndërsa nuk kanë munguar buqetat me lule për 80-vjetorin e shkrimtarit edhe nga kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Gjatë vizitës në shtëpinë e tij kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i uroi datëlindjen shkrimtarit dhe vlerësoi Agollin për rolin e tij në letrat shqipe dhe në sferën publike në përgjithësi. Basha tha se “Dritëroi është një nga autorët e mëdhenj të letërsisë shqiptare dhe një figurë e dashur publike, me vizion të kthjellët, të qëndrueshëm dhe të pandikuar nga interesat e çastit”.

Nga ana e tij, shkrimtari Agolli vlerësoi urimet dhe praninë e kryebashkiakut në shtëpinë e tij, dhe e përgëzoi zotin Basha për punën e tij në ditët e para në krye të Bashkisë. Agolli tha se ka besim tek angazhimi i brezit të ri në politikë dhe në marrjen e përgjegjësive. Po ashtu, shkrimtari i njohur firmosi tre nga librat e tij me një dedikim të veçantë për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Edhe presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka uruar shkrimtarin e mirënjohur Dritëro Agolli në shtëpinë e tij me rastin e 80-vjetorit të lindjes, me jetë të gjatë dhe pleqëri të bardhë.

Kreu i shtetit gjithashtu ka vlerësuar shkrimtarin Dritëro Agolli për personalitetin e veçantë dhe rolin aktiv në diskursin politik të ditës. Agolli vlerësoi urimet dhe praninë e Presidentit, por dhe të kryebashkiakut në shtëpinë e tij. Ndërkohë një buqetë me lule nga kryetarja e Kuvendit, Jozefika Topalli, ka mbërritur në shtëpinë e shkrimtarit pak para se ajo ta uronte drejtpërsëdrejti që nga Kuvendi në nisje të seancës plenare. “Më lejoni që në emrin tuaj t’i bëj urimet dhe nderimet më të sinqerta për datëlindjen e shkrimtarit Dritëro Agolli, ish-deputetit të këtij Kuvendi, përmes duartrokitjeve” -uroi Topalli.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama