Dritero Agolli Po glorifikohet Ahmet Zogu dhe po erresohet figura e Ismail Qemalit

Dritero Agolli: Po glorifikohet Ahmet Zogu dhe po erresohet figura e Ismail Qemalit
Shkrimtari Dritëro Agolli është shprehur në një intervistë për gazetën Panorama rreth zhvillimeve në kuadër të 100 vjetorit. Ai ka pohuar se në këtë 100 vjetor po bëhen përpjekje për të glorifikuar figurën e Ahmet Zogut për të errësuar figurën e Ismail Qemalit.

“Unë mendoj se glorifikimi bëhet për të errësuar figurën e Ismail Qemalit. Ismail Qemalin e trajtojnë sot si një njeri që vajti dhe ngriti flamurin, qëndroi pak dhe iku. Nuk duhej të glorifikohej në këtë mënyrë. Eshtrat nuk kishin pse i sillnin në një mënyrë  të tillë, ku u rreshtua e gjithë qeveria, nipi apo familja mund t’i kishin sjellë eshtrat e tij, por jo shteti”, thotë Agolli.

Madje ai shton se: “Po ta superngarkosh me lavdërime më shumë i bën dëm vetë personazhit, sesa i bën mirë. Një gjë me sheqer shumë dhe me kripë shumë të bën dëm. Po të ishte gjallë, edhe pse mbret, por si malësor që ishte, për të gjitha ato lëvdata që  u dëgjuan, Ahmet Zogu do zinte të qeshte, duke thënë ç’po më bëni kështu! Riatdhesimi i eshtrave është një gjë normale që mund ta bënte shumë mirë familja, nipi i tij apo dhe Partia e Legalitetit, por përdorimi i protokollit shtetëror për këtë rast mu duk i tepruar. Ndërsa do ta konsideroja provokim të hapur organizimin e ceremonisë në një ditë me përvjetorin e çlirimit të Tiranës. Madje për një njeri që braktisi luftën dhe ne e kemi të shkruar në Himnin e Flamurit dënimin e tradhtisë”.

Agolli mendon se mënyra e zgjedhur për të festuar me 2000 kurbanë është kthim prapa në kohë.

“Mua më duket ide që ka humor brenda. Nuk është puna nëse kthehemi prapa apo jo, por kjo më duket si folklorike, merr ngjyrat e një kurbani. Do të thosha se është një imitim i Kurban Bajramit, janë zakone të vendosura që në Mesjetë dhe në botën e civilizuar nuk praktikohen më. Ndërsa torta nuk është e panjohur, torta janë bërë vazhdimisht në qytete të ndryshme të botës. Për mua ky është pompozitet i panevojshëm. Ndoshta më duket edhe mua si pompozitet, sepse edhe vetë nuk ha shumë. Por nipi im i vogël, kur dëgjoi se makina të mëdha me qengja kanë mbërritur në Shqipëri për t’u therur më tha: Po xhaxhi Saliu do të mbajë fjalim para kasapëve kur të therin qengjat?! Duket se kjo histori nuk ka lënë të qetë edhe të vegjlit,” tregon ai.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama