Dritero Agolli merr titullin Honoris Causa ne Korce

Dritero Agolli merr titullin 'Honoris Causa' ne Korce
Dritëro Agolli, personaliteti i njohur i letrave shqipe, nderohet edhe në Universitetin e Korçës me titullin "Honoris Causa". Dy veprimtari që përkujtojnë përvjetorë të ngjashëm, si ai i krijimit të Universitetit të Korçës, i cili mban emrin “Fan.S.Noli" dhe ai i kremtimit të 80-vjetorit të lindjes së Dritëro Agollit, janë organizuar këto ditë në këtë institucion të arsimit të lartë në qytetin e Korçës.

Në aktivitetin e organizuar me rastin e 80-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, në të cilin edhe ai mori pjesë, kanë qenë të pranishëm akademikë, pedagogë, krijues të njohur dhe studentë që admirojnë veprën e Agollit. Ai ka marrë titullin me motivacionin "Personalitet i shquar në fushën e letrave dhe një figurë me vlera të spikatura në fushën e letërsisë" në ambientet e universitetit, në një fjalë të mbajtur nga rektori Gjergji Mero.

Vlerësimet për kontributin e tij në lëvrimin e letrave shqipe i ka përcjellë edhe zv. ministrja e Arsimit, Nora Malaj, e cila e ka konsideruar Agollin si një prej përfaqësuesve më të mirë të intelektualit shqiptar. Vetë shkrimtari i njohur në fjalën e tij ka përcjellë falënderimet për këtë titull që i është dhënë nga Korça, e cila sipas tij, mbetet një prej dashurive më të veçanta ndërsa nuk ka hezituar të përcjellë as një mesazh për dashurinë dhe ndjenjën vlerësuese që duhet të kultivohet te të rinjtë për vendin e tyre, Shqipërinë. Pas dhënies së titullit "Doctor Honoris Causa" aktiviteti ka vijuar më tej edhe me një simpozium kushtuar veprës së Dritëro Agollit dhe vlerave që ajo bart në vetvete duke i sjellë emocione të shumta shkrimtarit të njohur dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama