“S’po shkruaj dot librin e jetës, do doja një apartament më të madh për bibliotekën”
Dritëro Agolli sot mbush 80 vjeç. I lindur në fshatin Menkulas të rrethit të Devollit më 13 tetor 1931, ai sot feston me fëmijët e tij, nipërit dhe mbesat, por dhe qindra e mijëra admirues në të gjitha trevat shqiptare.
Ndërsa “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” e ka bërë atë me shumë miq në Francë e vende të tjera të Europës, në këtë jubile të ditëlindjes së tij, shkrimtari i madh i letrave shqipe pranon të hapë për ne derën dhe të flasim kësaj radhe për jetën, pengjet e tij, krijimtarinë, marrëdhëniet njerëzore, por, mbi të gjitha, “Shkëlqimin dhe rënien e shokut Zylo”. Duket se ky libër tronditi shtetin e asaj kohe. Ishte viti 1974 kur Dritëroi, një shkrimtar tashmë i afirmuar, ishte bërë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, me një imunitet të plotë, bazuar në popullaritetin dhe karizmin e tij, të mjaftueshëm që mbi të mos të binin shigjetat armikut të popullit. Vetë Kryeministri i asaj kohe, Mehmet Shehu, i cili ndodhej në Francë për një operim, interesohej me telefon prej andej se kur do të përfundonte botimi i tij në revistën “Hosteni” të asaj kohe, duke shprehur bezdi dhe siklet nga tema që libri trajtonte. Në rrëfimin e tij të gjatë, si gjithnjë, shoqja e jetës, zonja Sadije, e cila është pjesë e çdo vargu, e çdo rreshti në prozë, por dhe dëshmitare okulare, por dhe memorizuese e shumë episodeve pikante nga jeta e tij.
Duke folur për bashkudhëtarin e tij letrar, Ismail Kadarenë, Dritëroi jo pa shqetësim dhe rezervë shprehet se marrëdhëniet e tyre u ftohën në kohën kur Agolli u bë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Por, për të, “marrëdhënia me Ismailin mbetet normale”.
Nuk është hera e parë që e intervistoj në shtëpinë e tij shkrimtarin e madh dhe sa herë shkoj, gjej tek ai libra të shpërndarë gjithandej. Më ka treguar dhe dhomën ku ka vendosur bibliotekën, ku librat janë vendosur në mënyrë të çrregullt. Libra sheh kudo në kuti, poshtë tavolinave dhe deri poshtë krevateve. Një peng i madh i jetës së shkrimtarit të madh është pamundësia për të sistemuar këtë bibliotekë të madhe që ka në shtëpinë e tij. “Peng më ka mbetur që nuk kam një apartament më të madh, që të kisha mundësi të sistemoja të gjitha librat dhe dorëshkrimet që kam”, shprehet Dritëroi dhe sytë i mbushen me lot. Është një jetë që e ka kaluar mbi letra, dorëshkrime, shkarravina, shënime dhe një mori librash, poezi, tregime dhe romane. Nga politika kërkon që ajo të gjejë një pikë takimi, një kompromis që të shohin me kujdes hallet dhe problemet e popullit.
Por Dritëroi ka dhe një peng të madh, nuk përfundoi dot librin e jetës, i shtyrë në kohë, herë me humor e herë i sëmurë, ai e sheh të pamundur ta përfundojë këtë libër. Dikur më thoshte se që ta përfundonte këtë libër duhet të ishte në gjendje të mirë shpirtërore, përveçse shëndetësore. “Më dridhen duart dhe nuk mund të shkruaj, ndërsa Sadija nuk më ndjek dot me ritmin e dikurshëm hedhjen e tyre në letër. Mendimet më ikin dhe pastaj fillojmë e zihemi”, shprehet Dritëroi, ndërsa Sadija vijon e tregon episode kur shkrimtari kërkon që ajo të shkruajë shpejt apo në atë moment që i vijnë mendimet.
Në këto 80 vjet, cilat janë momentet më kulmore që kanë lënë gjurmë dhe të kanë lënë pa gjumë?
Në këto vite unë do të kujtoja gazetën “Zëri i Popullit”, ku kam punuar 15 vjet, dhe unë duhet të kisha gjetur momentin që ta ndërprisja shumë më shpejt. Kujtoj gazetarët e “Zërit të Popullit”, një pjesë e madhe e tyre kanë vdekur dhe ndonjëherë lajmin e kobshëm të ikjes së tyre nga kjo jetë e kam marrë vesh vonë, si Vangjush Gambeta, Niko Nikolla, Jusuf Alibali dhe të tjerë.
Pse thua se duhet të ishe shkëputur më shpejt nga gazeta?
Unë duhet të qëndroja aty jo më shumë se 5 vjet dhe të dilja në profesion të lirë. Por edhe kur dola në profesion të lirë, unë prapë shkoja në redaksinë e “ZP”. Megjithatë, vitet e gazetarisë më kanë pasuruar aq shumë, sa asnjë profesion tjetër besoj. Ku në këmbë, ku në mushkë, ku me ndonjë kamion, kam bredhur të gjithë vendin, kam njohur vende dhe karaktere. Nuk është shprehja ime ajo që thuhet që çdo shkrimtar duhet të kalojë më parë nga gazetaria, por duhet të ndiejë kur të largohet. “Pas pesë vitesh punë në gazetë duhet të largohesh”, ka thënë Heminguej, i cili ka punuar në gazeta 5-6 vjet. Por për shkrimtarët është e domosdoshme puna në gazetë. Edhe të tjerë u larguan nga “Zëri i Popullit” dhe mirë bënë, u morën me letërsi, si Xhevahir Spahiu, apo një studentja ime, Ludmilla Xhapija dhe të tjerë.
Ju duket se gazetaria sot ka humbur forcën dhe peshën e fjalës, duke mos pasur atë efekt publik si dikur, që pas çdo shkrimi kritik si në “ZP” apo në gazetën “Bashkimi” vihej në lëvizje gjithë struktura shtetërore, jo kundër gazetarit, por kundër fenomenit që kritikohej apo satirizohej?
Po, e ka humbur! Sot, rrallë ndodh që të bëhet ndonjë polemikë për fenomenet e ndryshme që sillen në lajme. Kjo ka ardhur dhe për shkak të burimeve të shumta të informacioneve apo televizioneve. Pesha e pendës është zbehur, duke ia lënë figurës të flasë më shumë përmes televizioneve. Sot është shpërdoruar fjala.
Cilat janë momentet më të vështira të jetës tuaj që ju kanë lënë pa gjumë?
Si plak 80-vjeçar kujtoj krijimtarinë time që më ka lënë pa gjumë, si librat, ashtu dhe shkrimet në gazetë. Unë zakonisht shkruaja natën, ndërsa shqetësimi për temat që trajtoja, apo libra të veçantë, nuk më linte të mbyllja sy. Kulmet e shqetësimeve dhe të pagjumësisë kanë arritur me “Zylon…” dhe “Arka e djallit”, që më kanë marrë më shumë kohë dhe vuajtje për t’i krijuar, por dhe përjetuar.
“Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” kam përshtypjen se ka qenë më i sikletshëm për t’u shkruar, por dhe pas shkrimit për kritikën që përcillte?
“Zylo” ka qenë më i sikletshmi, siç e the, sepse merrte përsipër diçka shumë të vështirë, sepse përmes Zylos unë godisja burokratët e aparatit shtetëror. “Shkëlqimin dhe rënien e shokut Zylo” nisa ta botoj te “Hosteni” dhe kjo u bë mirë, sepse në atë kohë nuk besoja se do të botohej i tëri për vetë kritikën që nisi të merrte. Niko Nikolla, që drejtonte revistën satirike “Hosteni” në fillim të viteve ’70, nisi ta botonte kapitull pas kapitulli të gjithë librin që unë e kisha në dorëshkrim. Kur botohej ky roman te “Hosteni”, Mehmet Shehu ishte në Paris për të bërë një operacion. Që nga Parisi ai mori Niko Nikollën dhe i tha: “Kur do të mbarojë ky Zyloja?”, duke treguar një lloj sikleti dhe bezdie që i kishte krijuar libri. Nikoja i mblodhi kapitujt e mbetur në një broshurë dhe e botoi në një vëllim, sepse ndryshe mund edhe të bllokohej. Nëse nuk do ta kisha botuar te “Hosteni”, jam shumë i bindur se “Zyloja” do të ishte bllokuar si botim.
Nga “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” patët probleme nga sistemi i atëhershëm, pasi në atë kohë u duk si një frymë kritike ndaj fenomeneve të dëmshme në Shqipëri…
Mehmet Shehu e ka kritikuar këtë roman dhe për një periudhë ai mbeti në heshtje. Askush nuk u mor me të, as kritika. Munguan dhe vlerësimet letrare. Mehmet Shehu është shprehur në atë kohë se “’Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’ e bën përshesh administratën tonë”.
“Zylo” mund të konsiderohet për atë kohë një lloj disidence fine, e hollë, apo e kujdesshme?
Po, luajti një rol të tillë, sepse edhe Mehmet Shehu, në një mbledhje të Këshillit të Ministrave, duke iu drejtuar ministrave, u tha: “Ç’më dini ju mua, Zylo?!”. Pra, libri dhe personazhi e kishte lënë një gjurmë. Bile u propozua atëherë, në’72-shin, që “Zylo” të botohej në Francë dhe u ndalua. Unë, në fakt, në atë kohë, më 1974-n, isha bërë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe si i tillë nuk ma ndaluan fare nga qarkullimi, por nuk i bënë komente dhe publicitet të madh, ndërsa u bllokua botimi i tij në Francë.
Ishte kjo letërsi e kësaj periudhe e ndikuar nga një frymë liberale që kishte përfshirë dhe Europën Perëndimore?
Po, në prozë dhe në poezi ishim ne një grup shkrimtarësh të rinj që donim të hapnin një rrugë të re. Por kohërat e atëhershme ishin të vështira, sepse quhej si letërsi kundër regjimit, një disidencë e brendshme. Për shumë vite nuk u lejua Gyt, një përkthyes francez, që të përkthente dhe të botonte në Francë në atë kohë “Zylon”, pasi letërsia jonë duhet të kishte në themel heroin pozitiv, dhe jo burokratin.
Këto botime ishin spontane, apo kishte një vetëdije të brendshme se kishte ardhur momenti që vendi të hapej në letërsi dhe art. Patën ndikim lëvizjet studentore në Europën Perëndimore?
Për mua kishte ardhur një moment për të kuptuar apo shpresuar se disa gjëra do të bëhen më mirë. Atë që mendojmë dhe shpresojmë edhe sot, se vendi do të hyjë në rrugën europiane. Ne në atë kohë mendonim se gjërat po brenda atij sistemi do të bëheshin më mirë, duke i korrigjuar po nga brenda sistemit.
Si e shpjegoni faktin që si ju, edhe Ismail Kadare, nuk patët probleme nga botime të tilla, si “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” apo “Kronikë në gur”, nuk u dënuat nga ai regjim?
Kam përshtypjen se kjo vinte për vetë emrin që kishim krijuar dhe reputacioni jo i vogël. Një shkrimtar tjetër, jo i njohur, do të ndalohej që në shtypshkronjë për botim, madje do të shkarkohej. Kurse mua më ra fati që u bëra kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe nuk kishin se ç’më bënin, pasi edhe u duhesha. Edhe duhej ai sistem të na mbante, sepse kishte dënuar gjysmën e shkrimtarëve dhe artistëve. Edhe Ismailin e përkthyen për të njohur Shqipërinë ndryshe dhe për të mbyllur zërat se këtu ka censurë të fortë. Megjithatë, luajtën një rol këto vepra për të futur një frymë ndryshe. Por unë pata një fat edhe më të keq, në prozë kryesisht. Çuditërisht, gjithë prozën time e kanë ndaluar, pasi ishte botuar më parë sepse po të merrej vesh në shtypshkronjë se cila ishte përmbajtja, do të bllokohej që atje, por unë e kisha botuar më parë në organet e shtypit dhe ato letrare. Në atë shoqëri kjo ishte interesante, librat ndaloheshin pasi ishin botuar. Që më 19610shin, kur nisi polemika për këtë letërsi, e ndaluan për t’u botuar në Francë, por u botua në fund të 1989-s.
Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me Ismail Kadarenë në ato kohë kur letërsia shqipe ndahej mes jush si peshë krijimtarie?
Edhe në shkollën e mesme të Gjirokastrës, por edhe këtu ,derisa unë u bëra kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, ne kishim miqësi të vjetër dhe të mirë. Na lidhte krijimtaria. Kemi pasur marrëdhënie të mira, edhe kur kemi pasur ndonjë diskutim apo problematikë, Ismaili vinte tek ne lart, se banonte poshtë nesh, dhe diskutonim. Asnjëherë nuk ka pasur zili mes nesh dhe kemi qenë me fat se të dy kemi pasur drejtime të ndryshme në letërsi.
Kishit kontradikta apo pika ku nuk përputheshit për çështje të letërsisë apo artit në përgjithësi?
Ne kishim miqësi dhe flisnim me njëri-tjetrin dhe për gjëra që s’duhet t’i dëgjonin të tjerët, sepse njeriu është qenie e çuditshme. Ka aftësi edhe të dyzohet. Ne na bënin kritikë në plenumet e Komitetit Qendror, siç ishte libri im “Zhurma e erërave të dikurshme”, por nuk pati kritika të ashpra që ne të dënoheshim.
A kishit ju qëndrime të ndryshme për figurën e Enver Hoxhës?
Ne, në bisedat tona, nuk e zinim fare në gojë direkt Enver Hoxhën, por tërthorazi, dhe nga kjo anë nuk kemi pasur ndonjë kontradiktë. Kur unë u bëra kryetar i Lidhjes, Ismaili pati një ftohje ndaj meje, sepse duhej që për shumë gjëra unë të kisha mendimet e mia.
Si u prit në rang shkrimtarësh apo dhe në Lidhje arratisja e Ismail Kadaresë?
U bë një mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve, sepse e kërkuan nga lart. Ai ishte edhe kryetar i Kryesisë së Lidhjes. Në mbledhje u fol se çfarë qëndrimi do të mbajë Lidhja pas “Zërit të Popullit”, i cili kishte shkruar se ai ishte tradhtar. Unë në mbledhje thashë se Ismaili nuk është tradhtar, por ai u zhgënjye se po zgjatej koha për hyrjen në demokraci. Ai mbetet shkrimtar i madh për ne dhe vepra e tij nuk do të ndalohet. Ramiz Alia më tha: “Pse je shprehur që të mos ndalohen veprat e Ismailit dhe e ke quajtur shkrimtar të madh?”.
Si janë marrëdhëniet tuaja pas vitit 1990?
Normale. Edhe para një muaji jam takuar me Ismailin dhe mbajmë marrëdhënie normale.
Ka pasur mes jush dhe Ismail Kadaresë një lloj hendeku, pasi ju konsideroheshit si shkrimtar i popullit, ndërsa Kadare një shkrimtar elitar? E keni ndjerë këtë në marrëdhëniet tuaja?
Jo, sepse ne kishim drejtime të ndryshme në letërsi dhe secili nga ne kishte admirues të veçantë, që nuk konfondoheshin me njëri-tjetrin.
Pas viteve ’90 letërsia shqiptare nuk po nxjerr shkrimtarë të nivelit tuaj apo të Ismail Kadaresë. Përse kjo varfëri kur liria e shprehjes është e pakufi, ndërsa ju keni krijuar në një kohë që liria mungonte?
Tani lejohet çdo gjë, secili mund të botojë çdo libër. Por unë do të thosha se është kohë e shkurtër për të nxjerrë shkrimtarë të mëdhenj, 20 vjet për letërsinë nuk janë të mjaftueshme për të rritur një brez shkrimtarësh të spikatur. Shkrimtarët e tanishëm nga forma shohim të shkruajnë pa shumë rregulla dhe janë më të lirë. Mbase është pengesë që një pjesë e tyre mundohen të imitojnë rryma të paprekura për letërsinë tonë, pasi jemi mësuar me disa rryma standarde. Meqë rrymat moderniste ne nuk i kemi provuar, na duken si të panjohura dhe jo me cilësinë që ne jemi mësuar. Mbi bazën e këtyre eksperimenteve duket se nuk kemi shpërthime dhe shkrimtarë të spikatur. Por, nuk thellohen në problemet sociale që ka vendi, veçanërisht për prozën e kam fjalën. Ka disa të rinj që shpresojnë, siç është Agron Tufa, një njeri me talent. Ka botuar disa libra me poezi dhe ka talent, mund të bëhet me emër duke krijuar individualitetin e tij, por është politizuar pak. Për mua shkrimtari duhet të ketë karakter të fortë e mbi bazën e karakterit ndërtohet dhe krijimtaria e bashkuar me talentin. Unë kam shumë shpresë që do të dalin dhe formohen shkrimtarë të mirë.
Cili është pengu juaj në politikë, në krijimtari dhe në jetë tuaj private?
Personalisht më shqetëson klima politike në vend. Partitë politike e drejtojnë vendin me një mentalitet të vjetër, duke mos gjetur asnjë pikë takimi mes tyre. Pa një kompromis nuk mund të ecë shoqëria jonë. Kompromisi është ajo që na mungon gjithë këto vite. Edhe kur diskutojnë në Kuvend, nuk ka një pikë takimi si do shkojë e ardhmja, si do e përballojmë varfërinë, sepse nuk jetojnë të gjithë njerëzit si në televizor. Ka varfëri të madhe. Kjo shoqëri është e ndërlikuar dhe kërkon vëmendje të madhe nga politika shqiptare. Të mos mbizotërojë klima e tensionit dhe e konfliktit. Unë i bëra një urim Lulzim Bashës si kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës dhe pati një reaksion të madh. Por unë jam mësuar me reaksionet, por marr dhe përgjegjësi. Njerëzit, sidomos rinia, duhet të jetë më tolerante dhe më e kulturuar që të kuptojmë tjetrin përballë dhe jo ta fyejmë.
Pengu juaj në krijimtari?
Peng në krijimtari më mbetet fakti se më dridhet dora dhe nuk shkruaj dot. I kam mendimet dhe nuk arrij dot të shkruaj, ndërsa Sadija nuk më ndjek dot e t’i hedhë shpejt mendimet në letër, si dikur. Mendimet më ikin dhe nisim e zihemi. Ky është ngërçi im në letërsi. Peng më ka mbetur dhe libri im i jetës, i cili më mbeti pa shkruar, do ta shkruaj tani, do ta shkruaj më vonë dhe ngeli pa u shkruar. Kam dhe dorëshkrime të tjera, një libër me poezi, “Prit edhe pak”, është faqosur, është redaktuar dhe do ta botoj pas pak… “Prit dhe pak unë i them vdekjes”, është një varg i marrë nga Balzaku, si mendim i së kaluarës dhe që nuk e kemi shfrytëzuar si duhet kohën. Ia kushtoj Sadijes.
Po pengu i jetës suaj, cili është?
(Mbështet kokën në kolltuk, fiksohet në një pikë në mur, ku qëndron një portret i tij në vaj dhe flet me gjysmë zëri). Do të doja, nëse do të kisha pasur mundësi, të kisha një apartament më të madh që të mundesha të sistemoja bibliotekën time. Për të gjetur një libër duhet të vuaj shumë. Shtëpia ime është mbushur me librat e mi, dorëshkrimet e mia dhe me librat e shkrimtarëve të tjerë, të cilët sa herë botojnë, më sjellin një kopje të librit të tyre si dhuratë. Unë s’mund t’i hidhja, i kam të gjithë librat që më kanë dhënë shkrimtarët e rinj dhe të vjetër, sepse e di shumë mirë se sa mund, sa orë pa gjumë dhe mendim është dashur për ta shkruar atë. Por në këtë rrëmujë që është krijuar këtu, nuk gjej dot më shënimet, dorëshkrimet dhe librat e mi.
Festa sot në Akademinë e Shkencave
Akademia e Shkencave organizon sot në orën 9:00 një takim kushtuar 80-vjetorit të shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli. Ashtu si në 75-vjetorin e tij, Akademia do të organizojë një takim ku shkrimtarë dhe akademikë do të mbajnë kumtesa lidhur me jetën, aktivitetin dhe krijimtarinë e Agollit. Pritet që gjatë këtij aktiviteti të lexohen pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e tij si në prozë, ashtu dhe në poezi.
Ceremoni edhe në selinë rozë
Partia Socialiste do të organizojë një koktej ditën e premte, në orën 10:00, me rastin e jubileut të ditëlindjes së shkrimtarit, apo siç njihet ndryshe, patriarku i socialistëve. Janë ftuar në këtë aktivitet shumë personalitete të kësaj partie, të cilët kanë qenë bashkë me Agollin që në krijimin e kësaj partie. Dritëro Agolli mbahet mend në Partinë Socialiste ditën e krijimit të saj, pasi fjalimi i tij ishte ai që bëri kthesën e shkëputjes nga Partia e Punës në Kongresin e 10 qershorit 1991.
Përmbledhja e botimeve në UET
Për imazhin e Universitetin Europian të Tiranës, Dritëro Agolli, i cili është fiksuar tek të gjithë për mesazhet e dijes, do të ketë sot pasdite një mbrëmje të veçantë. Libraria e UET-së ka organizuar një botim special me intervista, ese, poezi të tij në një volum të posaçëm, ndërsa do të ketë lexime të seleksionuara të tyre para të pranishmëve. Pak muaj më parë, ky universitet i dha Agollit titullin e lartë “Honoris Causa” para stafit pedagogjik të tij.
Urime edhe nga Kosova
Dritëro Agolli, dy ditët e fundit ka marrë urime nga shqiptarë kudo që ndodhen. Duket se ai nuk i përket vetëm familjes së tij, por “perandoria” shtrihet kudo ku jetojnë shqiptarët. Një grup miqsh nga Bilishti ishin në shtëpinë e tij, ku nuk kishin harruar të merrnin me vete dhe një grup artistik me këngëtarë dhe instrumentistë duke e rikthyer në vendlindjen e tij. Por, një lajmërim disi i veçantë i ka ardhur përmes telefonit. Një grup me nxënës nga Bujanovci do të mbërrijnë të premten, pesë nxënës bashkë me mësuesin e tyre, një gazetar dhe një operator do të vijnë nga Kosova për t’i uruar 80-vjetorin dhe të marrin prej tij kujtimin më të bukur të jetës. Ndërsa e zonja e shtëpisë nuk përton të ngrejë vazhdimisht telefonin nga i cili merr çdo 2 minuta urime nga shumë dashamirës.