Driteroi Rama sdoli kunder popullit Brace nje karkalec me i shkurter se grate deputete

Driteroi: Rama s'doli kunder popullit, Brace nje karkalec, me i shkurter se grate deputete

Shkrimtari i njohur Dritëro Agolli, që kishte kërkuar një përgjigje “Jo” të armëve nga Siria, vlerësoi qëndrimin e Kryeministrit Rama dhe argumentet që solli. Agolli thotë se në gjithë këtë çështje fituam një gjeneratë reale qytetare, që proteston për interesat e saj dhe jo për ato partiake. 

 

Si e komentoni sqarimin e Edi Ramës për armët kimike? 

 

Unë mendoj se Edi Rama mbajti një fjalim shumë të mirë dhe dha arsyet ku u mbështet për të mos pranuar armët kimike siriane. Unë kam qenë kundër ardhjes së këtyre armëve, siç e kam thënë te “Panorama” dhe do të jem kundër të gjitha armëve. Shkallë pas shkalle, Edi Rama sqaroi me argumente arsyet pse nuk i pranoi këto armë. Fjalimi i tij ishte prej një drejtuesi të kulturuar. Edi Rama nuk doli kundër popullit të tij. 

 

Mos ishte pak i vonuar në kohë ky reagim? 

 

Kjo vonesë për vetë Ramën mund të jetë negative. Por, kjo vonesë është pozitive për gjithë shoqërinë tonë, sepse krijoi hapësirën e duhur që populli të reagojë dhe të dalë të protestojë, me qytetari, pa lajmërime partie dhe pa frikën se mund të vriteshin nga dritaret dhe pritat e tjera. Për mua kjo vonesë lindi gjeneratën e re, e cila u mësua të dalë në protesta të tilla për të drejtat e qytetarëve dhe jo në protesta politike, për zgjedhje apo për votën. Këto protesta treguan edhe një gjë tjetër: që qeveritë të respektojnë protestuesit, pa përdorur dhunë policore, por as armë. Nuk pamë asgjë të tillë. Dy vjet më parë në po atë shesh, më 21 janar, kemi parë përdorim armësh ndaj protestuesve dhe të vrarë në mes të protestuesve. Unë e kuptoj opozitën, sepse opozita ka dëshirë për protesta, sepse është një nga mjetet e saj. Por, aty pamë që edhe përdorimi i protestës së qytetarëve nuk është më aq i lehtë. Ne pamë që protestuesit i përzunë drejtuesit e PD-së nga protesta e tyre, sepse nuk donin ta bashkonin me politikën. 

 

Një protestë qytetare na mungonte që prej vitit 1990… 

 

Jo, unë mendoj se ka një ndryshim mes protestave të viteve 1990-1997 dhe kësaj të 2013-s, sepse atëherë kishte dhe thyerje, dhe plaçkitje. Tani rinia tregoi qytetari. Edhe unë do të isha në këtë protestë me shumë qejf, edhe pse jam 82 vjeç, por nuk më mbajnë këmbët. Kjo është një gjeneratë e re dhe jo brezi i ri i ministrave, siç paraqitet ndonjëherë, apo me numër të madh grash në Parlament. Gjenerata e re është e këtyre që vetorganizohen dhe jo ata që emërohen nga kryetarët. 

 

Me këtë vendim të Edi Ramës, mendoni se mund të cenohen marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA? 

 

Jo aspak, sepse përndryshe duhet të cenoheshin dhe marrëdhëniet e SHBA-ve më të gjitha vendet e tjera të Europës që nuk i pranuan këto armë. Edhe sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, tha që shkatërrimi i këtyre armëve më mirë të bëhet në Siri. Mos do të duhet të prishen dhe marrëdhëniet e SHBA-ve me OKB-në?! Jo nuk mund të cenohen. Edhe Ambasada Amerikane madje e vlerësoi qëndrimin e Edi Ramës dhe konfirmoi se do të vazhdojë të punojë me Shqipërinë. 

 

Kundërshtitë tuaja për armët kimike u keqinterpretuan në disa raste… 

 

Një deputet i PS-së tha “dikush tha se po të vijnë armët kimike këtu nuk do të jetojë dot as karkaleci”. Ai “dikushi” jam unë dhe unë kam një emër, nuk jam dikushi. Këtë të shkurtrin, që është më i shkurtër se gratë deputete, e zuri frika se do të mbytej dhe ai si karkalec. Saç kam shkruar unë libra, ai karkaleci nuk ka ngrënë patate.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama