Përkthyesi i kësaj përmbledhjeje është Ilia Fonjakovi. Tani – poet, përkthyes, kritik, eseist, një emër i njohur, i përfshirë edhe në antologjinë e plotë Poezia ruse e shekullit të njëzetë. Atëhere 50 vjet më parë - bashkëstudent me Agollin në Universitetin e Sankt -Peterburgut, në degën e gazetarisë, madje shokë të një grupi. Po si e kujton Fonjakovi shokun e tij shqiptar të viteve studentore? “ Djali i pashëm me flokë të errët e profil shqiponje, ishte një figurë që binte në sy në Fakultet. Dhe shok i mirë. Bashkë me ne, merrte pjesë në aksionet studentore, ndërtonte stalla për lopë e kuaj nëpër kolkozet e shkatërruara të pasluftës; si një djalë fshati që ishte, na mësonte të përdornim sharrën apo sëpatën”.
Bashkëpunimi poetik Ilia – Dritëro, paskësh filluar qysh atëherë, kur djaloshi shqiptar i përkthente rresht për rresht vjershat e veta rinore shokut rus dhe ky i vargëzonte e i botonte nëpër revista dhe, anasjelltas, Dritëroi i botonte poezitë e Ilias tek gazeta Zëri i Rinisë.
Pastaj, fijet u këputën, po jo fare. Dritëroi e pati mundësinë të ndiqte zhvillimin e letërsisë ruse dhe, besoj që nëpër revista e libra,do t’i ketë ndeshur emrat e miqve të tij të Universitetit. Por edhe tek këta të fundit, gojë pas goje, vinte ndonjë informacion i vagullt, se ç’kishte arritur Dritëroi në vendin e vet.
Erdhën vitet 90, kontaktet midis miqve u rivendosën. Shkëmbime telefonatash, vizitash, librash.
Si përfundim Ilia Fonjakov merr përsipër t'iu japë zë poezive të Dritëroit në vendin e tij. Nuk kënaqet vetëm me përkthimet ad litteram , as me plotësimet e albanistëve të Sankt-Peterburgut. Për saktësime të ndryshme lidhet në telefon me vetë autorin, privilegj të cilin jo çdo përkthyes e ka., Fonjakovi na thotë se gjatë punës lënda poetike nisi ta tërheqë gjithnjë e më shumë. Ai vëren se me vite, miku i tij i rinisë ka përftuar mençuri të thellë, hera-herës të brengosur. Mendimi i mprehtë dhe zakonisht i paparashikueshëm e befason përkthyesin. E fillon përkthimin, thotë Fonjakovi në parathënie, dhe të duket sikur e merr me mend si do përfundojë, por jo! Një kthesë, fare e papritur dhe e freskët, të çudit. Dhe nis e ndien më hollë koloritin shqiptar, ballkanik, frymëmarrjen mesdhetare.
Lexova titujt e përmbajtjes: një përzgjedhje e kujdesshme, me poezi të periudhave të ndryshme, por më shumë nga ato të viteve të fundit, ku mendimet dhe përsiatjet e Dritëroit janë më të thella, kanë më shumë mençuri, më shumë trishtim e dhembshuri për jetën. Mbase nga mosha, apo dhe nga pesha e këtyre viteve të trazuara. Buqeta më pëlqeu. Dukej sheshit se përkthyesi kishte nisur një ndërmarrje serioze për t’ua prezantuar sa më mirë bashkëkombësve të vet veprën poetike të mikut të tij të vjetër. Një drojë e kisha ama. Përkthimi i tekstit poetik është ndër punët më të vështira për shkak të kufizimeve të shumta që të imponohen nga skema ritmike, sistemi i rimës dhe gjuha poetike. Aq më tepër, thosha me vete, është e vështirë të përkthesh Dritëronë, këtë poet tepër të veçantë, tepër tokësor, me kolorit të fortë shqiptar e me shpirt thellësisht popullor.
A do t’ia ketë dalë vallë Ilia Fonjakovi ta bëjë të flasë rusisht Dritëronë tonë, mendoja? Apo do ta ketë modeluar sipas gjuhës poetike të klasikëve të mëdhenj rusë dhe kësisoj poeti ynë i madh do të rezultojë një hije e zbehtë e Pushkinit, Eseninit, Bllokut, Pasternakut etj. etj?
Nisa t’i lexoj poezitë në rusisht një nga një e me zë. Mbeta e mrekulluar. M’u duk se fliste rusisht vetë Dritëroi, madje, nuk fliste, por këndonte. Vargjet rridhnin melodikë, me kadencat e tyre karakteristike, me të cilat prej vitesh më ishte mësuar veshi. Kjo muzikë më vuri në lëvizje të gjitha shqisat: sytë më panë peizazhe shqiptare plot dritë e ngjyra, veshët më sollën uturimën e detit, korin e bulkthave natën, preka barkun e kadifenjtë të kalit, shijova kripën e lotit të burrit, nuhata aromën e kashtës e të qumështit. Mendova se përkthyesi titullin e vëllimthit “Nga vjen kjo muzikë?” e ka zgjedhur edhe si metaforë vlerësimi.
Lexova poezitë për së dyti më me përqendrim. Përpara kisha po atë subjekt lirik të origjinalit, Dritëronë e papërsëritshëm: devolliçe - delikat e kokëfortë; shqiptarçe - huqli, namuzli e sedërtar; bektashijçe - bekri e pijetar; kristiançe - mëkatar e pendestar; evropiane - autoironik e autokritik; rusçe - meditativ e melankolik…
Kureshtja më shtyu të mësoj se si ka arritur ky përkthyes i shkëlqyer “të thotë gati të njëjtën gjë në një gjuhë tjetër” ( U. Eko). Çfarë ka sakrifikuar nga origjinali dhe çfarë ka shpëtuar?
Mora tekstin në shqip dhe nisa të bëj krahasimin. Desha, pra, të hyja në laboratorin krijues të përkthyesit. Shpejt u binda se nuk kish kuptim të numëroja nën lupë rrokjet e njërit, apo të tjetrit tekst. Ishte e kotë të kërkoja fjalët, epitetet, figurat e munguara apo të shtuara. Përkthyesi kishte shpëtuar strukturën e vargut agollian dhe jo detyrimisht numrin e rrokjeve, kishte ribërë frazën poetike me material të ri leksikor, për t’i ruajtur mesazhit qartësinë dhe forcën emocionale. Intuita prej poeti i kishte diktuar Fonjakovit zgjedhjet optimale.
Kështu, në laboratorin krijues të Fonjakovit gjeta një dhomë të errët, ku shkrihej frymëzimi i poetit me atë të përkthyesit, si një akt dashurie.
Udhë të mbarë në Rusi, Dritëro!
Drita LAZRI pedagoge e gjuhës dhe e letërsisë ruse, përkthyese
Nga Gazeta Shekulli