Kjo prishje është një marrëzi
Ditët e fundit është artikuluar nga politika ideja e shembjes së Piramidës dhe ndërtimi aty i një parlamenti të ri për vendin. Cili është mendimi juaj për këtë vendim që ka ngjallur debat të ri?
Unë e di qartësisht dhe e di mirë, se pas kësaj bisede që po bëjmë bashkë do të thonë se autori ka nostalgji për kohën e komunizmit dhe veçanërisht për Enver Hoxhën. Kjo sepse unë tani 79 vjeç i kam kaluar dhe hyj në të 80-at, si dhe kam jetuar pjesën më të madhe të jetës sime në socializëm, duke qenë një njeri aktiv edhe në atë kohë në letërsi, në publicistikë dhe në politikë, duke qenë edhe komunist në forume të larta, siç kam qenë edhe anëtar i Komitetit Qendror. Atëherë disa njerëz ose shumë njerëz, veçanërisht ata që kanë dëshirë të ngacmojnë politikisht, do të thonë që Dritëroi po shikon me mallëngjim atë kohë dhe ka dëshirë ta ketë Piramidën përpara syve dhe të rrijë përpara kësaj piramide dhe të mallëngjehet. Do të thonë se ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe disa shkrimtarë e kanë pësuar edhe për fajin e Dritëro Agollit. Por pavarësisht se çfarë do të thonë, unë mendoj se prishja e Piramidës është një hap i pamenduar mirë. Kjo sepse ajo nuk është një kasolle e vogël, apo një shtëpi tradicionale që edhe mund të prishet, por është një ndërtesë tepër e madhe, aq sa e quajnë edhe Piramidë. Kështu që prishja e kësaj është një marrëzi, atë mund ta transformosh, mund të bësh të tjera gjëra brenda, por jo ta prishësh nga themelet. E para sepse kjo piramidë është ndërtuar nga populli, nga taksat e popullit. Atëherë nuk quheshin taksa, por ishin taksa të fshehta, hynin në atë rrogë që merrnim ne, sepse një pjesë e rrogës mbahej. Kështu që një ndërtesë e tillë nuk është bërë me paratë e Enver Hoxhës, apo me paratë e ndonjë pjesëtari të familjes së tij, ajo ishte nga taksat e popullit dhe u bë një ndërtesë që të mbetej si monument, sepse atëherë mendohej se komunizmi do të triumfonte dhe nuk do të kishte vdekje.
Është hapur një debat për këtë objekt, i cili sipas ekspertëve përbën në vetvete një model arkitektural në metropol. Mesa duket, kemi një përballje të re me çështjen e vlerave që përçohen nga njëra kohë në kohën tjetër?
Ky debat është realist, sepse veprimet për të mos ekzistuar ajo si ndërtesë, janë për një arsye tjetër, nuk janë sepse kjo ndërtesë ia prish pamjen qytetit. Përkundrazi, ai është një monument të cilin do ta shohin si të veçantë edhe njerëz të huaj që do të vijnë ta shikojnë Tiranën. Edhe në Paris u ndërtua një që quhet “Piramidë” në vitet ‘60 dhe si e tillë u mendua atëherë që të ketë një ndërtesë ndryshe në këtë qytet. Kam qenë aty, ka edhe bibliotekë, teatër, sallë për aktivitete dhe njerëzit dhe të huajt e vizitojnë si të tillë. Mirëpo këtu te ne ka një gjë të çuditshme, që nuk luftojmë për transformimin e ndërgjegjes, për ta edukuar njeriun me këto elemente të demokracisë, por syri na vete te këto materiale që shohim. Se ne nuk hyjmë në mendjet e njeriut. Që të largohesh nga komunizmi, kjo gjë duhet të nisë nga mendja, se ç’ka brenda koka. Se edhe koka nga brenda është me piramida, është labirinti më i madh. Ne nuk hyjmë këtu për ta përmirësuar këtë tru për një demokraci të vërtetë dhe të mirë, ku të pakësohet varfëria dhe të rritet mirëqenia. Ndërsa ne mendojmë për ato që janë ndërtuar dikur, që i ka bërë një shoqëri tjetër dhe duhet t’i prishim ato, që ta harrojmë këtë kohë. Por mendja do të thotë piramidë edhe kur ajo të rrëzohet dhe po të bëhet parlamenti, ne do i themi atij vendi ish-Piramida. Madje këtij vendi nuk kam dëgjuar ndonjëherë t’i thonë muzeu i Enver Hoxhës, por i thonë thjesht Piramida, sepse është një fjalë.
Historia e pathënë për çastin kur lindi ideja për muzeun e Enverit
Nuk jam në asnjë mënyrë për shembjen, jam për transformimin. Këtu dua të tregoj një histori që nuk është thënë nga askush. Pas vdekjes së Enver Hoxhës u bë një mbledhje në Komitetin Qendror, ku isha dhe unë i ftuar bashkë me disa njerëz të kulturës. Aty u tha që do të ndërtohej një muze për Enver Hoxhën dhe na treguan se projektet kishin nisur për këtë vepër dhe po përgatitej një vepër madhështore. Në atë mbledhje ishin sekretarë të Komitetit Qendror, njerëz të shquar, ata që kishin mbetur pas Enver Hoxhës. Unë thashë që më mirë muze të bëhet shtëpia ku ka jetuar Hoxha që nga ‘44-ra pas çlirimit këtu në Tiranë, dhe pikërisht aty do të ishte shumë mirë, sepse është intime dhe do të kishte më shumë kujtime, siç ishin sendet që kishte përdorur etj. Kjo sepse ky muze i ri mund të kushtojë. Kjo, sepse më tha një miku im që kisha, që ishte anëtar i Komitetit Qendror, por nisur nga fakti se fjala e shkrimtarit ishte më e lirë, ai nuk donte vetë se mos ia merrnin për ters... Tani ka vdekur. Edhe unë e thashë këtë gjë, pastaj u ngritën disa që thanë se për Enverin nuk mund të kursehej dhe se kjo do të bëhet patjetër. Madje unë u vendosa në pozitë të vështirë dhe thashë me vete pse e dëgjova këtë shejtan, ç’mu desh që e thashë këtë fjalë, sepse bëhej fjalë për ‘85-n... Dhe më pas aty u bë ajo ndërtesë, që tani do të prishet...
Për atë kohë dhe se ç’ndodhi më pas kam edhe një histori tjetër. Pasi kishte vdekur Enveri, dikush nga Komiteti Qendror më kërkoi të çoja edhe unë si shkrimtarët e tjerë që kishin botuar kolanat e veprave të tyre, një kopje të kolanës sime me autografe. Unë i thashë atëherë atij se si mund të shkruajë tani autograf për Enverin që ka vdekur. Kjo nuk shkon dhe kështu ndodhi, unë nuk i çova. Atje kishte një bibliotekë me libra të dhuruar për Enver Hoxhën, që më pas nuk di se ç’u bënë. Unë kisha turp të çoja vepra për Enverin te Piramida, dhe nuk i çova.
Unë me origjinë jam fshatar dhe fshatari ka droje për këto gjëra. Dhe s’e bëra, megjithëse ka disa rezistenca fshatari që lëkurën e ka shumë të trashë, nuk i shpohet kollaj, por turpin e ka të madh. Edhe është pak oportunist fshatari, se është njeri i zgjuar dhe thotë lere dalëngadalë këtë punë, siç lëron tokën, siç piqet domatja. Nuk piqet menjëherë domatja, do kohën e vet. Dhe nga kjo anë unë nuk ia dërgova. Kur i vunë ata librat, më thotë një sekretar i partisë që t’i bëja një autograf shokut Enver dhe nuk ia bëra. Të vetmin autograf ia kam dhënë Mehmet Shehut, jo se kisha ndonjë inat me ta, por kisha inat me veten pse isha kaq i ndrojtur.
Ne nuk mësojmë nga historitë e dhimbshme…
Kjo godinë të rregullohet brenda dhe të bëhet siç janë marrë tre-katër vendime të tjera. Njëherë të bëhet si një qendër e artit, kulturës, teatrit etj., njëherë të bëhet vetëm teatër... Më duket se kështu janë marrë disa vendime që më kujtohen. Por esenca e tyre ka qenë që ky objekt të ndryshohej brenda përbrenda dhe jo të prishej nga themelet. Por kjo ndodh sepse ne nuk mësojmë nga historia. Historia është ajo që të mëson për shumë gjëra, që të ndihmon të rregullosh shumë gjëra, ashtu siç kanë bërë të parët ndonjë gabim, dhe jo vetëm një, por me mijëra gabime, sepse pa bërë gabime nuk gjen të vërtetën. Gabime kanë bërë edhe shkencëtarët. Kështu, për të arritur te Teorema e Pitagorës janë bërë me mijëra gabime, duke bërë dhe duke prishur, derisa të gjendej e vërteta. E di ti që për të arritur në rezultatet që 1+2 bëjnë 3, ose 1+1 bëjnë 2, janë bërë me mijëra gabime?!
Por problemi jonë është që ne nuk mësojmë nga historia. Ne në kohën e socializmit prishëm varrin e Nënës Mbretëreshë, ne e hodhëm në erë me dinamit. Pse duhet ta bënim këtë? Nuk është e thënë që të ktheheshim në mbretëri, por të paktën një kujtim të kësaj kohe ta ruanim. Prishëm dhe hodhëm në erë Kishën e Vaut të Dejës, që ka qenë një monument i rëndësishëm kulturor, por në vitet ‘66-‘67 anëtarët e komitetit të Shkodrës, me iniciativën e tyre kërkuan që të gjitha këto monumente të hidheshin në erë, me idenë se do të lavdëroheshin nga kjo. Atje ka qenë dhe Ndre Mjeda dhe ka shkruar aty.
Kjo kishë do të shërbente si monument edhe vetëm për këtë fakt. Nuk kishte urdhër që ajo të hidhej në erë dhe në momentin kur kjo ndodhi, u kritikua si nisëm, por kjo nuk kishte ndonjë rëndësi, sepse kjo gjë kishte mbaruar. Po fjala vjen disa objekte u mbajtën dhe nuk u hodhën në erën. Ku është akademia sot? Atje jetonte Ahmet Zogu, nuk ishte shtëpia e tij e vërtetë, po aty jetonte me qira, por nuk u shemb. Po kështu korpusi qendror i universitetit dhe godinat përqark, po ta shikosh nga lart, konfigurojnë sëpatën e Duçes dhe u bë një diskutim se si do t’ia bënim për këtë simbol të fashizmit. Por pas diskutimeve u vendos që ajo të mos hidhej në erë dhe u la. Po të ishin ata me mendjen e sotme, kjo godinë do hidhej, do prishej. Por kjo nuk është vetëm te ne. Edhe në Afganistan, talebanët i prishën të gjitha objektet e krishterimit dhe ato të mëparshmet. Çdo gjë e hodhën në erë. Kur kjo po ndodhte, për këtë ngjarje foli i gjithë shtypi ndërkombëtar, duke i akuzuar se ata po prishnin kulturën e tyre. Kështu që nga këto histori, ne nuk mësojmë.
A mund të konsiderohet kjo si një përballje e antikulturës me kulturën?
Po, po. Një përballje e atyre që mendojnë se kjo është një antikulturë. Pse do ta shembësh? Çfarë do t’i lesh kohës që vjen pas 100 ose 200 vjetësh? Duhet t’i lësh këto ndërtime, që të tjerët të kuptojnë se ç’ka qenë ky sistem, pse i ka bërë këto vepra?!
Si mund të ikim nga psikologjia e shembjes?
Duhet të heqim dorë nga politizimi i objekteve, nuk duhet t’u japim shpirt objekteve. Duket sikur ajo, Piramida, do na flasë ne, do të na ngrihet natën e do na bëjë agjitacion, do na lëvdojnë Enver Hoxhën. Edhe këtë dritë që shohim, ne e kemi falë atyre hidrocentraleve që janë ndërtuar në atë kohë. Po mos të ishte rreziku që nga prishja e tyre do të kishte përmbytje, deri në Vorë, atëherë ato do të ishin shkatërruar me mina, pse i kishte bërë socializmi. Në qytete dhe fshatra u zhdukën shtëpitë e kulturës, kombinatet, fabrikat, me qëndrimin se gjithçka duhet të nisej nga zeroja. Madje filluan të hiqnin edhe veshjet e digave me idenë se nuk kishte asnjë problem dhe nuk do të kishte përmbytje. Madje në vitet e para të pluralizmit më kujtohet një deputet në Kuvend që tha: “Ku është bërë elektrifikimi? Çfarë është bërë”? Dhe unë i thashë: Ja, kjo duket nga kjo dritë që kemi ne këtu, sepse siç e sheh, nuk jemi me qiri.
Ne duhet të heqim dorë nga mentaliteti i vjetër i përmbysjeve. Kur u bë revolucioni francez, Mbretit Luigji XVI ia prenë kokën, por nuk ia zhdukën pallatin mbretëror. Po kështu, kur u bë Revolucioni i Tetorit, nuk u prishën urat.
Besoni se kjo situatë do të kalohet?
Unë mendoj se ne jemi tepër kokëfortë dhe mund të shembim që të vejë në vend fjala jonë, por do të bëjmë gabim shumë të madh. Këto gjëra janë pronë e popullit. Ti mund t’u ndryshosh këtyre objekteve destinacionin, por jo t’i prishësh.