Një rrëfim në detaje se si qarkullon droga nëpër lokalet e natës, se si mund të gjendet në mënyrë që nata të të japë më tepër kënaqësi. E nëse droga është vetëm një detaj, nuk duhen harruar edhe femrat. Sigurisht, duhet të kesh një shumë të konsiderueshme parash me vete, por jashtë kësaj, gjithçka është më e lehtë seç mund të mendohet prej atyre që pabin e konsiderojnë vetëm një vend alkooli dhe muzike.
Bardhi dhe miqtë e tij
“Pronarët e lokaleve në përgjithësi nuk dinë gjë”, thotë rrëfyesi. “Ata që më shumë merren me këtë punë, janë punonjësit, duke përfshirë këtu kamerierët, banakierët dhe truprojat. Normalisht nuk është aspak e vështirë që sigurosh çfarë do. Madje, po të tregohesh i kujdesshëm për të vënë re lëvizjet nëpër klubet e natës, do të kuptosh shumë lehtë se si funksionon.
“Mund të gjesh lehtësisht kokainë, hashash dhe në varësi të muzikës edhe ekstazi. Këtë të fundit më shumë e gjen tek lokalet me muzikë të fortë.
“Por duhet të dish edhe si të shprehesh që të kërkosh diçka. Normalisht, duke qenë e jashtëligjshme, askush nuk ka dëshirë që të kapet nga policia dhe në përgjithësi tregohen të kujdesshëm. Kështu që duhet të përdorësh fjalët e duhura kur kërkon drogën”. Sigurisht, nuk është si të porosisësh birrë apo uiski. Mësojmë se ndër shprehjet më të përdorura për kokainën janë: “A ka ndonjë gjë me tërheq?”, “Duam ta zgjasim pak këtë partin, ku mund të takojmë Bardhin?”. Ndërkohë që për të kërkuar hashashin është më e thjeshtë: “Ku mund të mbaroj punë?”, “A ke ndonjë qese?”, “Bëhet gjë për ndonjë këte?”.
Ndërsa për sa i përket ekstazisë, pyetja është shumë akoma më e thjeshtë, pasi kërkohet direkte me nofkën e saj, “kokrra” ose “aspirinë”.
Gjatë verës, në lokalet në plazh mund të gjesh edhe kokainë, edhe hashash. Ky i fundit përdoret nga të rinjtë që nuk kanë shumë lekë. “Mbaj mend që është shitur edhe një cigare hashash për 700 lekë. Ndërsa përgjatë dimrit nëpër pabe është më e thjeshtë të gjesh kokainë sesa hashash. Pasi hashashin e ke shumë më të thjeshtë ta gjesh jashtë pabit, ndërsa kokainën jo dhe aq”, vijon rrëfimi.
Por kush pyetet në këto raste? Sipas ish-punonjësit, i pari me të cilin ke kontakt të mirëfilltë në lokal është kamerieri dhe ndaj atij i drejtohesh në fillim. Në këtë rast përgjithësisht fjala “sajoj” është kyçe, dhe “gjej” apo “marr” pasi mund të ngresh direkte dyshime.
“Ka një rëndësi mënyra se si sillesh dhe se si flet me kamerierin. Është tepër e rëndësishme se si ti e kërkon atë, pasi nëse dikush dyshon diçka, nuk do të të shesë asgjë. Por edhe banakierët dhe truprojat nuk janë pas”.
Si përzgjidhet klientela? Ish-punonjësi tregon se përgjithësisht ata që kërkojnë, e dinë se ku të shkojnë dhe se si të flasin. Janë njerëz të cilët vishen disi shik, njerëz të cilët “nuhaten” se kanë para për të blerë. “Normalisht që nuk shitet tek çdo person apo çdokush që të kërkon, t’i japësh. Është një gjë që njerëzit duken se si vishen dhe sillen. Ai që ka para duket nga porosia që bën, veshja, aksesorët etj. Por nuk është kusht i vetëm paraja, pasi edhe të tjerët mund të marrin, por duhet edhe pak nuhatje e mirë për ta shitur, pasi mund të të rastisë ndonjë kalec. Por nuk di të ketë pasur raste kalecash, pasi ata edhe bien disi në sy. Megjithatë, duhet të them që në disa raste nuk janë vetëm ata që kërkojnë. Edhe kamerieri kur çon porosinë mund të pyesë: “Dëshironi ndonjë gjë tjetër më të fortë?”. Sigurisht, kjo në varësi të rastit”.
Por kush shet veç punonjësve? “Edhe menaxherët. Por ka raste që ka edhe të tretë brenda, që shesin. Në rastet e ekstazisë gjithmonë janë të jashtëm ata që e shesin, më konkretisht, është një person i cili njihet nga të tjerët dhe dihet që shet drogë. Në këtë rast ai furnizon ekstazinë për të tjerët”.
Kamerieri tregon se kjo gjë ka qenë e pranishme vite më parë dhe është ende edhe sot. “Kur kam filluar të punoj nëpër lokalet e natës, nuk e dija këtë gjë dhe isha pak i habitur. Por me kalimin e kohës dhe me ndryshimin e vendeve të punës kuptova që kjo është normale. Çdo ditë bindesha që shpërndarja e drogës funksionon në mënyrë të përkryer brenda lokaleve dhe që pak a shumë njihet nga klientela. Mendoj se ky fenomen është bërë i pandashëm sot për të gjithë ata që frekuentojnë jetën e natës. Sigurisht, më duhet të them që jo të gjithë që frekuentojnë jetën e natës marrin drogë, pasi pabi nuk është një “supermarket”. Por një pjesë e frekuesntuesve duan që ta shijojnë në mënyrë pak më të ndryshme se të tjerët mbrëmjen, duke mos u mjaftuar alkooli dhe duke zgjedhur diçka më të fortë”.
Prostitutat
“Dhe i thua vetes ku dreqin i gjeti aq shumë lekë kur nuk punon. Fillimisht mendon se ka ndonjë të dashur të pasur, por pastaj, tek e sheh sa në një makinë në tjetrën, kupton që gjërat janë pak ndryshe. E tillë ishte njëra që e shihnim të vinte gjithnjë vetëm në lokalin ku punoja. Po vrisnim mendjen si staf se pse vinte gjithnjë vetëm. Pas pak kuptuam se para saj vinte gjithnjë dikush tjetër që kontrollonte ç’bëhej rrotull dhe pas largimit të tij, vinte vajza, e zhveshur pak më shumë seç duhej dhe që qëndronte gjithnjë vetëm. E morëm vesh që punonte me lekë dhe personi që kontrollonte më parë pabin ishte tutori i saj”, vijon rrëfimi i ish-punonjësit. “Është vështirë t’i quash prostituta. Kanë “klas” dhe në përgjithësi gjuajnë persona që kanë para. Një natë kushton jo pak. 200-300 euro është një gjë normale. Ka edhe më pak, ndoshta me 50, por këto janë në një tjetër stad.
“Si funksionon? Shumë e thjeshtë. Vijnë, ulen nëpër lokale vetëm, në banak apo në një tavolinë. Ka njerëz që u afrohen për t’u ofruar diçka për të pirë ose janë ato vetë që zgjedhin mashkullin. Gjithsesi ky i fundit duhet të paguajë gjithçka: pijet, transportin, hotelin dhe sigurisht, hakun e punës.
“Ka që janë edhe disa shoqe bashkë. Njëra mund të shkëputet në rast se gjen dikë që mendon se ia vlen dhe është gati të paguajë tarifën e saj. Nuk është çështje turpi. Është thjesht një punë si gjithë të tjerat.
“Personalisht kam dëgjuar se ka shumë prej këngëtareve të reja të cilat punojnë në këtë mënyrë. E pastaj ngjisin edhe shkallët e “suksesit”. Ato kanë tarifa më të larta. Shkojnë edhe 1000 euro pa problem.
“Normalisht kanë tutor. Por ndoshta jo në kuptimin aq të egër të fjalës. Kanë nevojë për dikë që t’i mbrojë, sepse jo të gjithë janë të sjellshëm. Pastaj, nëpër lokale fillon dhe i njeh se cilat janë. Nëse dikush do të pyesë një punonjës se ku mund të gjejë një shoqëruese, normalisht është lehtë për atë që t’i sugjerojë dikë. Në shumicën e lokaleve të natës ato nuk janë të lidhura me pronarët apo menaxherët, por normalisht nuk mund të përjashtohen edhe rastet në të cilat kjo lidhje ekziston. Më lehtë mund të thuhet se ka një lidhje me hotelet, sepse duhet të shkojë diku ku mund të ndihet e sigurtë.
“Përgjithësisht ata që kërkojnë prostituta janë ose ata që kanë shumë para ose emigrantët”, vijon rrëfimi. Normalisht që studentët apo të rinjtë nuk janë aq të prirur për të paguar para për një natë seksuale. Shumica e personave që paguajnë janë në moshë më të madhe. Ndërsa vajzat që punojnë janë në moshë të re. Ka prej tyre studente, që me këtë “punë” paguajnë shkollën. Ka edhe të tjera që janë në një moshë pak më të madhe. Gjithsesi, nëse flitet për lokalet e natës, shumica kanë një moshë mesatare rreth 25 vjeçe. Fundja, është konsideruar si profesioni më i vjetër në botë. Që nuk është zhdukur në asnjë situatë të mirë apo të keqe të historisë. Koha e sotme vijon të provojë se sërish vazhdon të mbetet një profesion i shumëkërkuar.