Droge gjobevenie e pengmarrje ja ana e erret e tifozeve te Milanit

Drogë, gjobëvënie e pengmarrje, ja ana e errët e tifozëve të Milanit

E përditshmja italiane "Il Corriere della Sera" i ka bërë një "skaner" grupimit të organizuar të tifozëve të Milanit, "Curva Sud", ku dalin në pah të fshehta që nuk kanë shumë lidhje me sportin, por me botën e krimit të organizuar në Itali.

Untitled-9Gazeta në fjalë ka shpjeguar se si "Curva Sud" kontrollon biznesin e drogës dhe shantazhon biznesmenët më të fuqishëm në Milano.

Metodat janë kërcënimi me vdekje, pengmarrja dhe përdorimi i dhunës. Sakaq, janë cituar edhe emrat e krerëve të bandës, ku bien në sy ata të vëllezërve Françesko dhe Luka Luçi, ky i fundit kapoultrasi i "Curva Sud", Xhankarlo Sandokan Lombardi, Marieto Diana dhe "baroni", Xhankarlo Kapeli.

Flitet se grupimi i ultrasve të Milanit e operon veprimtarinë e tij kriminale në veri të vendit, teksa ka mbështetjen e mafies në kontrollin e drogës.

Historia

Përpara se të tregojmë historinë e tyre, duhet të kthehemi pas në kohë.

Në vitin 2006, klubi i Milanit akuzoi një grup tifozësh që kishin shantazhuar me armë krerët e shoqërisë për të kontrolluar biznesin e biletave. Lidhur me këtë ngjarje, në pranga përfundoi kreu i grupit "Guerrieri Ultras", Sandokan Lombardi, dhe së bashku me të "baroni", Xhankarlo Kapeli, i cili më pas rezultoi i pafajshëm. Lombardi u dënua me 3 vite e 8 muaj heqje lirie.

Prokuroria e Milanos në atë kohë zbuloi më pas edhe lidhjen e Lombardit me liderin e "Viking" të Juventusit, Loris Grançini, në biznesin e drogës. Të dy personat në fjalë gëzonin mbështetjen e klanit kalabrez, bandës famëkeqe që është në krye të mafies së "Ndrangetës" në Itali.

Bosi i tyre, Pietro Amante, ka bashkëpunuar me dy krerët e tifozërisë së Milanit dhe Juventusit në eksportin dhe kontrollin e territorit të lëndëve narkotike në Veri të Italisë.

Ndërsa kreu aktual i "Curva Sud", Luka Luçi, është hetuar në vitin 2009 se ka dhunuar një tifoz të Interit, i cili gjatë grindjes humbi një sy dhe tre vite më vonë u gjet i vetëvrarë në banesën e tij.

Sakaq, Luçi është hetuar edhe në vitin 2006 nga ana e autoriteteve italiane, teksa në makinën e tij u gjet dhe u arrestua Luixhi Çikalese, "killeri" i "Ndrangetës", i cili ekzekutoi në vitin 2005 avokaten Maria Spinela.

Gjobëvënie dhe armëmbajtje pa leje

Ekuilibrat e tifozëve të Milanit nuk ruhen më si dikur, kjo për shkak të luftës së brendshme midis grupimeve ultras.

"Curva Sud" numëron numrin më të madh të pjesëtarëve, pas tyre është "Commandos Tigre". Midis tyre nuk kanë munguar konfliktet. Gjatë sfidës Milan-Juventus të datës 9 prill, disa ultras të "Curva Sud" zbritën në unazën e dytë të stadiumit për t'u konfliktuar me "Commandos". Sherri lindi pas një koreografie që ekspozuan këta të fundit.

Tensioni kishte lindur disa muaj më parë dhe mjaftoi vetëm një shkëndijë për të përfunduar në sherr. Grindja gjatë sfidës Milan-Juventus nuk është e para midis dy tifozërive.

Një tjetër episod, më i dhunshëm, dhe jashtë telekamerave, ka ndodhur në stadiumin "Marasi" të Xhenoas. Ishte mbrëmja e 17 prillit, teksa qindra ultras të "Curva Sud" i kishin zënë prit një grupi të "Commandos", të cilët u goditën me mjete të forta.

Dy ditë më vonë, kreu i tyre u kërcënua me armë. Mirëpo, as "Commandos" nuk janë "të pastër". Krerët e këtij grupi flitet se kanë mbështetjen e një familjeje siciliane. Kjo është edhe arsyeja pse policia italiane dyshon se pas konfliktit mes dy grupimeve fshihet kontrolli i biznesit të drogës.

Vetëm dy javë më parë u përhap lajmi se grupi "Commandos Tigre" ishte shpërbërë, mirëpo disa orë më vonë erdhi përgënjeshtrimi, teksa ky grup nuk mungoi gjatë sfidës së fundit midis Milanit dhe Romës.

Berluskoni dhe tifozët

Prej kohësh flitet se "Curva Sud" gëzon një marrëdhënie shumë të mirë me familjen Berluskoni, teksa shpeshherë kanë mbështetur Barbara Berluskonin duke kërkuar "kokën" e administratorit tjetër, Adriano Galiani.

Burime pranë ultrasve të Milanit flasin për një takim kokë më kokë mes Luçit dhe presidentit, Silvio Berluskoni, të cilit i kanë kërkuar të largojë Galianin.

Duket se rezultatet negative të ekipit kanë kaluar tashmë në plan të dytë për tifozët. Krerët e grupimit të organizuar flitet se po bëjnë gati një rikthim të madh: atë të "Fossa dei Leoni", organizata historike e ultrasve, e cila u shuajt në vitin 2005, së bashku me "Brigate Rossonere".

Objektivi është që të zgjohet sërish interesi i tifozëve, duke i bërë këta të fundit nostalgjikë. Publiku, i shumtë në numër, shërben edhe si një "mburojë" e mirë për të fshehur trafikun e drogës nëpër stadiume.

Përgatiti: LEAR MAÇI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama